Romeo Shehu: Nuk jam në kërkim, akuzat u sqaruan

Romeo Shehu
TIRANE – Romeo Shehu, 29-vjeçari që në fillim të këtij muaji u përfol si person i shpallur në kërkim pasi akuzohej për vjedhjen e një magazine me cigare, në të vërtetë nuk ka qenë asnjëherë i akuzuar dhe as në kërkim. Për ngjarjen e ndodhur më 5 shkurt 2012 u arrestuan dy punonjës të Ministrisë së Brendshme, të cilët po ashtu janë liruar nga gjykata dhe hetohen në gjendje të lirë deri në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Ndërsa ka rezultuar se Romeo Shehu, në kohën kur supozohet se është vjedhur ngjarja, ndodhej në Itali. Këtë e konfirmojnë edhe burime nga Policia e kryeqytetit. Ai sqaroi dje për gazetën se gjithçka ka qenë një keqkuptim nga media, pasi ai kërkohej nga policia thjesht për të dhënë një deklaratë se përse kishte komunikuar me dy personat e tjerë të përfshirë në këtë histori. “Është e vërtetë që kam qenë në polici. Kamë dhënë edhe një deklaratë, por nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen që është përfolur në media. Unë madje kam qenë në Itali në atë kohë. Personat që u ndaluan i njoh dhe nuk dua të flas për atë që dyshohet nga policia, pasi ata sot janë të lirë dhe kjo do të thotë që asgjë nuk është ende e provuar”, u shpreh Romeo Shehu. Nga ana tjetër ai tregoi se fakti që është thirrur për të dhënë sqarime në polici lidhet vetëm me telefonatat që ai ka bërë me dy personat e tjerë që u arrestuan më 5 shkurt. Pasi u sqarua edhe arsyeja e telefonatave me ta, që sipas Shehut ishin telefonata miqësore për shkak të njohjes së hershme me ta, nuk ka pasur asnjë kontakt tjetër me policinë. “Nuk e di se çfarë ka ndodhur dhe nuk mund të flas për atë pjesë. Thjesht unë ju them që nuk jam person në kërkim dhe lëviz qetësisht nëpër Tiranë”, u shpreh Shehu. Nga ana tjetër, edhe Policia e Tiranës deklaroi se Shehu nuk figuron person në kërkim dhe që ka rezultuar që nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën u akuzuan dy personat e tjerë. Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Tiranë, pak ditë më parë policia publikoi një komunikatë zyrtare në të cilën shpjegoheshin rrethanat e krimit. Ndërkohë, shtetasi Romeo Shehu ka pohuar se gjithçka është sqaruar dhe se ndaj tij nuk ka më asnjë urdhër apo mandat-arresti.