Kosovë, Hoxhaj: Strategjia e Kosovës ndryshon kur të arrihen 100 njohje

Ministri i Jashtëm thekson se në OKB Kosova do prezantohet edhe me UNMIK-un, deri në njohjen nga 100 shtete të botës
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, nuk e sheh si kompromis faktin që do të mbajë para vetes një fusnotë që i referohet Rezolutës 1244 dhe Opinionit të GJND-së, sa herë që do të marrë pjesë në takime kur prezent mund të jetë edhe ndonjë shtet që nuk e ka njohur Kosovën.
Në një intervistë për mediat vendase ministri e pranon se në OKB do të vazhdojë të prezantohet edhe me UNMIK-un, por strategjia e Republikës së Kosovës, sipas tij, do të ndryshojë kur të arrihen 100 njohje. Hoxhaj ka thënë se pret qasje më pozitive ndaj Kosovës të pesë vendeve anëtare të BE-së dhe pret lëvizje të tyre drejtë njohjes. Sipas tij, tek tani ka nisur ora evropiane e Kosovës.
Opozita, skeptike për marrëveshjen: Cenon arritjet e deritanishme
Marrëveshjen e arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, zyrtarët e lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e kanë parë si marrëveshje në vazhdën e pajtimeve të arritura deri tani mes dy vendeve, që sipas tyre nuk po realizohen ashtu siç do të duhej. Nënkryetari i kësaj partie Ahmet Isufi, tha se pozicioni i Kosovës dhe paraqitja e saj në bashkëpunimet rajonale duke u prezantuar edhe me Rezolutën 12 44 e kthen Kosovën në pozicionin në të cilin ka qenë dikur në kohën e UNMIK-ut. “Kthimi i Rezolutës 12 44 është rikonfimimi i prezencës së UNMIK-ut dhe po ashtu pa Republikën e Kosovës që do të duhet të ishte formulim në marrëveshje, cenon arritjet e deritanishme për Kosovën”, tha Isufi.
Vetëvendosje - Fushatë kundër marrëveshjes/Lëvizja Vetëvendosje ka ndërrmarrë sot një fushatë sensibilizimi kundër nënshkrimit të marrëveshjes së Kosovës me Serbinë, për bashkëpunimin rajonal. Drejtuesit e Vetëvendosjes kanë kërkuar mbajtjen e një debati në Kuvend, ku të diskutohet për detajet e marrëveshjes dhe mbi faktin se çfarë ka fituar Prishtina nga ky pakt. Për këtë qëllim, Vetëvendosja ka nisur mbledhjen e firmave nga gjithë komunat e Kosovës për të mundësuar mbajtjen e debatit dhe anulimin e marrëveshjes. “Kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës në përputhje me nenin 65 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenet 15 dhe 38 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të mbajë debat parlamentar për ta trajtuar këtë kërkesë tonën: Të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë”, thuhet në dokumentin e “Vetëvendosjes” që sot është shpërndarë në gjithë Kosovën.