Romët ankohen: Bashkia po na heq plehrat për tia dhënë kunatit
Dhjetëra banorë romë kanë protestuar përpara bashkisë së Tiranës, duke u ankuar se nuk po lejohen të mbledhin kanoçe dhe gjëra plastike në koshat e plehrave. Një banore rome tha për Shqip se nuk po i lejojnë të mbledhin mbeturina, edhe pse me to mbajnë frymën gjallë. Madje banorja thotë se ata janë penguar me forcë nga Policia Bashkiake. Ajo shton se ndaj një fëmije është ushtruar dhunë e rëndë fizike nga policët. Për çudi, banorja rome shprehet për Shqip se ata kanë dëgjuar se bashkia po e ndërmerr këtë veprim pasi kunati i Bashës do të marrë me koncesion mbledhjen e plehrave. Kurse bashkia shpjegon se veprimet i ka ndërmarrë pas ankesave të qytetarëve se romët i shpërndajnë plehrat jashtë kazanëve, duke shkaktuar erë të rëndë. Edhe firmat e pastrimit ankohen, duke thënë se nuk i mbledhin dot plehrat, pasi romët i shpërndajnë.