Berisha prej dy muajsh shmang interpelancën për mafien e kromit, PS kërkesë sërish në Kuvend
Partia Socialiste prej dy muajsh ka dorëzuar në Kuvend një kërkesë për interpelancë me kryeministrin Berisha për mafien e kromit në Bulqizë, por çuditërisht ende nuk ka marrë asnjë përgjigjie. Për këtë arsye, deputetët socialistë i kanë dorëzuar një tjetër kërkesë Kuvendit.
Në kërkesën e tyre, deputetët socialistë theksojnë se pas më shumë se 2 muaj pas depozitimit të kërkesës së parë për interpelancë me kryeministrin nuk është marrë asnjë përjgigje nga Kuvendi duke shënuar kështu një precedent tejet të rrezikshëm për funksionimin e demokracisë parlamentare.
Deputetët socialistë thonë se kjo interpelancë ka si objekt zbatimin e marrëveshjeve koncesionare për shfytëzimin e kromit në Bulqizë dhe problemet e shumta që lidhen me këtë çështje.
Ju kujtojmë se marrëveshja koncesionare është miratuar nga Kuvendi me 2 ligje të posaçme, përkatësisht me ligjin Nr 8590. Dt. 23.03.200 dhe ligjin Nr. 8791, dt. 10.05.2001 dhe si i tillë i nënshtrohet kontrollit të zbatueshmërisë së saj nga Parlamenti. Ju kujtojmë se kryeministri Sali Berisha nuk është paraqitur asnjëherë në Parlament për të dhënë shpjegime në lidhje me marrëveshjen koncesionare për shfytëzimin e kromit në Bulqizë edhe pse situata është tejet e rënduar si pasojë e shfytëzimit pa asnjë kriter e në kapërcim të çdo caku ligjshmërie me pasoja fatale për humbjen e jetëve të 70 minatorëve dhe gjymtimin e shumë të tjerëve thuhet në kërkesën e PS-së.
PS-ja i ka kërkuar kryetares së Kuvendit të lejojë zhvillimin e interpelancës urgjente me kryeministrin, duke zbatuar rregulloren e Kuvendit e duke garantuar njëkohësisht të drejtën e Kuvendit dhe detyrimin absolut të kryeministrit për llogaridhënie para deputetëve.