E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët dhe ridimensioni i statusit qytetar

Nga Gëzim Tushi

Gezim TushiProblemet e popullsisë rome janë bërë problem me rëndësi i jetës sociale dhe shqetësim serioz për jetën publike të qytetarëve tanë. Kohët e fundit ka një sensibilitet të ri social. Por pavarësisht tonusit të ri social që ka marrë njohja e problemeve të tyre në shoqërinë tonë, ato nuk janë të reja dhe të panjohura. Përkundrazi janë të vjetra dhe tradicionalisht të njohura. Por tani konteksti social i problemeve të komunitetit rom vjen i hapur dhe bashkë me  shqetësimet e tyre komplekse ekonomike, sociale dhe kulturore specifike.

Problemi është se megjithë sensibilitetin e ngritur social të shoqëruar me disa veprime formale dhe juridike edhe pse janë shtuar përpjekjet për të mundur të gjendet ndonjë lloj zgjidhje, që të jetë sa më optimal për përballuar në mënyrë humane hallet e këtij komuniteti, dyshoj se ato do të zgjidhen duke i parë me optikën tradicionaliste, me paragjykime të fshehura apo duke zmadhuar artificialisht masën sociale, peshën ekonomike dhe faturat financiare të problemit të tyre. Për të kapërcyer Rubikonin rom në shoqërinë tonë është e pamundur në se vazhdojmë se në mënyrë subjektive vazhdojmë ti biem fyellit në vrimën tendencës së përdorimit abuziv, të vështirësive që vijnë nga determinimet historike të paradigmave kulturore të komunitetit rom, veçorive të mënyrës së jetës dhe specifikave të kulturës dhe qytetërimit të tyre.

Më ka bërë përshtypje fakti, që tani nuk ka një rrugë të qartë, të mundshme për zgjidhjen e problemeve të tyre. Shteti, shoqëria shqiptare duke u ndodhur para vështirësive të natyrshme dhe të panatyrshme për të zgjidhur problemet e tyre nga njëra anë, vetperceptimin e situatës dhe rezistencën qytetare në rritje të këtij komuniteti nga ana tjetër, duket se jemi në një situatë të re që tashmë të përball me ndërgjegjësimin e tyre për të drejtat qytetare. Ndërkaq, duke ndjekur me seriozitet diagramën e çështjes rome dhe dialektikën e reflektimeve shtetërore nuk mund të mos vëmë në dukje faktin që në këtë betejë sociale duken shpesh herë abuzime teorike e mediatike, të bëra nga njerëz që flasin pa përgjegjësi, apo që i thonë shoqërisë se statusi social dhe gjendja e tyre ekonomike, arsimore, e strehimit, etj, janë veçanësi fatale tyre, me të cilën nuk kemi se çfarë të bëjmë. Pikërisht duke parë situatën sociale, zvarritjen e problemeve të vjetra të romëve, duke e mbuluar situatën e tyre kritike me fjalë, strategji, komitete, plane veprimi etj, të krijohet ideja, se ajo që është bërë deri tani të mbush mendjen të besosh, se sa më shumë bëjmë sikur kemi ndryshuar situatën e romëve në Shqipëri, aq më shumë ajo ka mbetur siç ka qenë.

Si sociolog dhe qytetar i këtij vendi, në këto situata dhe nga mënyra si shikohet dhe pretendohet të zgjidhet problemi romëve, më shumë se më shqetëson gjendja konkrete e jetës së tyre empirike. Në të njëjtën kohë të mërzitin tautologjitë propagandistike të politikës, mungesa e besimit social se është e mundur që me një angazhim ndryshe, gjërat e romëve në shoqërinë tonë mund dhe do të ndryshojnë me ritëm tjetër. Por sinqerisht më shqetëson akoma më shumë një fakt që mund të mos e vëmë re, por që po kristalizohet në shoqërinë tone, lidhur me qëndrimin që mbajmë ndaj  problemit të tyre. Është e turpshme që sipas mendimit tim në shoqërinë shqiptare të krijohen kushte për të qenë indiferent apo akoma më keq për të bërë dallime e diskriminime antiqytetëruese të romëve.

Sipas mendimit tim, duhet të korrigjojmë sa më shpejt të jetë e mundur thelbin e qëndrimit social që mbahet ndaj kësaj popullsie. Por që të ndodhë kjo nuk duhen vetëm plane, strategji, para, por së pari duhet të mbrojmë shoqërinë dhe qytetërimin tonë nga rreziku i diferencimit dhe gjykimit të problematikës rome sipas parimit të shëmtuar të vijës së ngjyrës. Mund të na vijë keq, mund të themi që ne nuk jemi racistë, por situata e tyre, zvarritjet e zgjidhjeve të problemeve, mungesa e perspektivës së qartë për të ardhmen e tyre, të krijon idenë se rreziku i diferencimit të tyre ka filluar të bëhet me indiferencë sociale. E cila sipas meje, përveç arsyeve të natyrshme dhe vështirësive objektive të zgjidhjes, ka filluar të duket si reflektim i mentalitetit të deformuar të gjykimit të problematikës rome sipas standardit të papranueshëm të dallimit sipas vijës së ngjyrës.

Kjo është gjëja që sipas meje duhet goditur fort për ta shpartalluar që tani që mund të jetë në fillimet e veta të kristalizimit. Në shoqërinë tonë ka vërtet grupe sociale që në këto dy dekada janë favorizuar nga puna dhe fati, por ka dhe shtresa sociale të pafavorizuara siç janë romët. Ne kemi të varfër, të papunë, por problemi rom është më kompleks dhe shumë i veçantë. Ata kanë të cënuar shumë aspekte thelbësore të drejtësisë dhe barazisë qytetare. Romët janë përballë rrezikut të thellimit të mëtejshëm të diferencimit social. Kjo është një çështje që së pari duhet pranuar politikisht. Prandaj që të zgjidhet problemi i tyre, së pari duhet të bëjmë dallimin e duhur të situatës së tyre konkrete në të cilën është kjo shtresë, ky komunitet social në raport me diferencimet dhe pabarazitë e natyrshme që ka shoqëria jonë. Në krahasim me individët dhe shtresat e tjera në nevojë, pabarazinë dhe diferencat që ka komuniteti rom, në raport me standardet minimale të jetës dhe qytetërimit tonë janë më të thella.

Ka shumë të varfër në Shqipëri, që jetojnë keq dhe janë larg standardeve të mirëqenies dhe minimumit jetik. Por romët sipas meje, janë me keq se të gjithë dhe prandaj me prioritet politik e social duhen ndihmuar, me masa sociale dhe forma të tjera të favorizimeve përmes diskriminimit pozitiv të kësaj popullsisë. Popullsia rome është e veçantë në fatin e vet social, për shkak se pozicioni i tyre social ekonomik në shoqërinë shqiptare ka qenë dhe ka mbetur i disfavorizuar, gjatë rrjedhës jetësore në të dy sistemet. Si shoqëri, shtet dhe qytetari, duhet ta marrim në konsideratë rastësinë e pozicionit të tyre social ekonomik, që është bërë fatal për fatin e tyre të keq, fat që e përjetojnë edhe në ditët e sotme.

Është ironike, e turpshme në se me këtë popullsi për të zgjidhur problemet e shumta dhe të komplikuara që ata kanë, gjykojmë me gjak të ftohtë social, pa vrarje ndërgjegje, dhe pa shpirt social minimal u tregojmë si zgjidhje tregun dhe teoritë individualiste të lojës dhe shanseve që mund të kenë ata në ekonominë e tregut. Romët nuk kanë kushte dhe mundësi të hyjnë me sukses në lojën e iniciativës private. Në këto kushte për ta diçka duhet bërë ndryshe nga shtresat e tjera në nevojë në se sinqerisht duam tu garantojmë disa të drejta minimale që janë bazë për ekzistencën e tyre njerëzore.

Romët nuk kanë zgjidhje të problemeve të tyre, në se si shoqëri nuk ju japim shpresa, përmes mbështetjes sociale të shtetit dhe solidaritetit të vërtetë qytetar. Me ta duhet të sillemi ndryshe. Ndoshta nuk është keq që të rikthehemi tek disa vlera tradicionale të shoqërisë tonë, që e ka patur në AND-në e saj, mbështetjen për të varfrit dhe të dobtit. Në atë gjendje që janë ata, nuk kanë mundësi të japin më tepër, as për veten e tyre pa le më pastaj për shoqërinë. Por pavarësisht këtyre, ne nuk duhet të harrojmë se romët nuk janë thjesht njerëz biologjikë, por janë qytetare. Prandaj, që të ndryshojë situate e tyre, duhet të krijojmë tjetër klimë sociale për ta, duke menduar që gjëndja e tyre nuk është situatë natyrore por më shumë është gjëndje shoqërore.

Kjo do të thotë që ka ardhur koha të shtojmë respektin dhe kujdesin social për këtë popullsi, që ka aq shumë vështirësi për integrimin social ekonomik në vendin tonë. Nuk është fjala këtu që nevojën për mbështetje të veçantë, apo diskriminim pozitiv të romëve, ta konsiderojmë si mënyrë të tërthortë si shprehje të idesë së shëmtuar dhe thelbësisht raciste për të ashtuquajturën përgjegjë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›