Marrëveshja me BE-në nuk i ndihmon kryeministrit kosovar
Arritja e marrëveshjes kyç me Brukselin nuk po e ngre rejtingun e Hashim Thaçit dhe të Qeverisë së tij për çdo ditë më pak të popullarizuar
Në letër, vendimi i muajit të kaluar nga Bashkimi Evropian për të nisur bisedimet rreth Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me Kosovën, që efektivisht i hap dyert e integrimit eventual evropian të Kosovës, ishte një e arritur e madhe për Qeverinë e Hashim Thaçit. Në shumicën e rrethanave, kjo do të nënkuptonte rritje të përkrahjes popullore për Thaçin dhe Partinë e tij Demokratike të Kosovës, PDK, nga një popullatë që përgjithësisht e konsideron anëtarësimin në BE si të vetmin drejtim politik për të ardhmen. Njëkohësisht, Thaçi sot mbetet i dashuri i diplomatëve perëndimorë. Asnjë lider tjetër nuk duket të jetë më i mirëseardhur në Bruksel, Uashington dhe në kryeqytete të tjera evropiane. Andaj, në letër, Thaçi mund të duket se është njeriu i duhur. Por ky kalkulim po dëshmohet si i pasaktë. Realiteti në terren është shumë më i ndërlikuar, ndërsa hapat e qartë pozitivë të afrimit me BE-në nuk po e prodhojnë euforinë, apo çfarëdo reagimi pozitiv publik në Kosovë. Është e kundërta. Ndjenjat popullore ndaj Qeverisë dhe kryeministrit janë më negative se kurdo më parë. Papunësia e madhe, të ardhurat e ulëta, pasiguria sociale, jostabiliteti politik, korrupsioni i përhapur, shkurtimet e rrymës dhe ujit, si dhe progresi i limituar në sundimin e ligjit, shihen nga shumica e popullatës si pasoja të një qeverie të keqe dhe të korruptuar. Ky mllef ndaj Thaçit dhe kabinetit të tij ka arritur nivelin edhe më të lartë pas nisjes së dialogut të ndjeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, të ndihmuar nga BE-ja. Kjo nisi në Bruksel së pari në nivel teknik, para më shumë se dy vjetësh, dhe është ngritur në nivel më të lartë politik tetorin e kaluar, kur kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë nisën të takoheshin personalisht. Ishte e qartë që prej fillimit se do të ketë kundërshtime ndaj dialogut Kosovë-Serbi nga nacionalistët nga radhët e elitës politike dhe popullatës, njerëz të njëjtë që përbëjnë elektoratin natyral të Thaçit.
Por, natyra sekrete e bisedimeve dhe marrëveshjet e arritura pa konsultime me përfaqësuesit politikë dhe shoqërinë e gjerë i kanë shtuar radhët e kundërshtarëve të dialogut, për të përfshirë edhe një pjesë shumë më liberale të shoqërisë. Derisa pakënaqësia rritet, Thaçi po e merr vesh se kjo mund ta lëndojë. Dy javë më parë, ratifikimi i marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka nxitur demonstrata jashtë Parlamentit dhe një konfrontim brenda ndërtesës. Si rezultat, votimi ishte i mundur vetëm pas intervenimit policor. Ndërsa javën e kaluar Ligji për amnisti i dakorduar në bisedimet Prishtinë-Beograd është dërguar në Parlament nga Qeveria e Thaçit, por deputetët nuk e kaluan. Duke bërë kështu, ata reflektuan një kundërshti të përhapur publike kundër idesë së faljes së një numri aktivitetesh kriminale në pjesën veriore të Kosovës, të dominuar nga serbët.
Edhe më shumë njerëz po kundërshtojnë zëshëm kundër ligjit për shkak se shkelësit shqiptarë, shumë prej tyre të afërt me elitën qeverisëse të Thaçit, po ashtu mund të përfitojnë nga legjislacioni i tillë. Shumë kanë frikë se Thaçi e përdor procesin e dialogut si mjet për të shfajësuar njerëzit brenda partisë dhe qeverisë së tij, që dyshohet se kanë kryer vepra të ndryshme, të cilat tani mund të amnistohen përmes këtij ligji, i cili u diskutua sërish në Parlament, këtë javë, dhe përfundimisht u miratua nga shumica. Por edhe kështu, kohë të vështira shihet se kanë nisur për Thaçin dhe qeverinë e tij, me zgjedhjet lokale të caktuara për nëntor si prova e parë e madhe, pak muaj larg. E gjithë kjo i vjen Thaçit në një moment të ndërlikuar. Derisa ende është i sigurt për përkrahjen perëndimore, ai e di se kjo përkrahje është e kushtëzuar nga aftësia e tij për të kryer punë. Kjo do të thotë se çdo dështim në zbatimin e asaj që është dakorduar në Bruksel me kryeministrin serb, Ivica Daçiq, do të dëmtojë pozicionin e Thaçit tek diplomatët evropianë dhe amerikanë. Në anën tjetër, Thaçi po përballet nga opozita e forcuar brenda Kosovës, dhe rënia e përkrahjes për të është e sigurt se do të ndihmojë forcën e vetme që vazhdimisht është përplasur me Thaçin dhe qeverinë e tij, lëvizjen “Vetëvendosje” të udhëhequr nga Albin Kurti. Që kur Thaçi u bë kryeministër, “Vetëvendosja” ka qenë e vetmja forcë parlamentare që vazhdimisht e ka luftuar atë rreth një numri të gjerë çështjesh. Ajo nuk ka hezituar të përdorë të gjitha metodat – prej populizmit deri te nacionalizmi dhe demonstratat, e madje edhe konfrontimi fizik me forcat e sigurisë, sikur javën e kaluar, kur ata organizuan demonstratat kundër ratifikimit të marrëveshjes me Serbinë. Derisa metodat e përdorura nga “Vetëvendosja” i bëjnë shumë njerëz të mos ndihen rehat, Thaçi dhe përkrahësit e tij janë të vetëdijshëm se në mesin e popullatës shumicë të Kosovës forca politike e Kurtit po shihet çdo herë e më shumë si e vetmja alternativë e vërtetë për regjimin e tij. Pjesa tjetër e opozitës nuk është dëshmuar e rrezikshme për qeverinë e tij. Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, të dyja përgjithësisht shihen si pjesë e sistemit të udhëhequr nga Thaçi, posaçërisht, meqë të dy këto parti ishin të gatshme të përkrahnin Qeverinë në dialogun me Brukselin dhe kompromiset pasuese që janë negociuar me Serbinë.
Problemet për Thaçin nuk përfundojnë me këtë. Në të vërtetë, problemi i tij më i madh mund të mos jetë jashtë, por brenda vetë partisë së tij. Disa personalitete udhëheqëse në parti, përfshirë anëtarë të Kryesisë, deputetë dhe prefektë, po hetohen nga misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX, për krimet që përfshijnë krime të luftës, korrupsion dhe krim të organizuar. Disa nga njerëzit më me ndikim në radhët e PDK-së janë momentalisht duke u gjykuar, apo po mbahen në paraburgim në pritje të gjykimit. Pak mund të bëjë Thaçi për të ndikuar në procedurat ligjore kundër shokëve të tij dikur të afërt. Ndërkohë, telashet e tyre mund të kenë efekt të ndjeshëm edhe në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, që do të duhej të mbaheshin në pranverë. Dhe me Task Forcën Speciale Hetuese të BE-së, nën udhëheqjen e prokurorit amerikan Clint Williamson, ende duke hetuar akuzat për trafikim të qenieve njerëzore gjatë luftës, që implikojnë vetë Thaçin, sfidat që e presin kryeministrin e Kosovës vetëm sa mund të rriten.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Koha Ditore”