E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët e Sharrës, pas dy muajsh pa drita dhe me ujë të ndotur

Shpresa Mezini

Fëmijët çdo ditë shtrohen në urgjencë. Uji që rrjedh në rubinete ka ngjyrë të verdhë

Shpresa Mezini

Ministria e Punës nuk mban premtimin për furnizimin e romëve me ujë të pijshëm nga një linjë e re. Rreth 8 familje rome, që jetojnë prej më shumë se 2 muajsh në Sharrë, ankohen për ujin e ndotur që rrjedh në rubinetet e tyre. Alarmi është ngritur rreth 10 ditë pas zhvendosjes së tyre në një prej godinave të ish-repartit ushtarak, ndërsa ende sot nuk është marrë asnjë masë për zgjidhjen e kësaj situate. Për rrjedhojë, stina e nxehtë e verës së këtij viti ka qenë një nga më të vështirat për këtë komunitet. Kjo për shkak se përveç se jetojnë në errësirë në një godinë me dritare pa xhama, janë të detyruar të konsumojnë ujë të ndotur, i cili rrjedh nga rubineti me ngjyrë të verdhë.

Na premtuan se në fillim të muajit korrik Ministria e Punës do të ndërhynte për furnizimin me ujë nga një linjë e re uji, por na gënjyen. Akoma sot e kësaj dite pothuajse çdo ditë apo 1 herë në 2 ditë i çojmë fëmijët në spital. Mirë që i çojmë në spital, po nuk kemi para për ti blerë ilaçet. Duam zgjidhje të menjëhershme. Ksera të mbajë premtimin. Përpara se të jetonim këtu, na thanë se do rregullonin gjithçka që ta bënin godinën të banueshme, por po jetojmë për faqe të zezë, tha Xhilda, kryefamiljare e një prej familjeve rome, që jeton në Sharrë, nënë e 4 fëmijëve. Ministri i Punës, Spiro Ksera, duke iu referuar ankesave të panumërta të romëve për ujin e ndotur, premtoi zyrtarisht se do të ndërhyhet për furnizimin me ujë nga një linjë e re, ndërsa theksoi se kjo do të bëhej realitet në fillim të muajit korrik. Por, në të vërtetë asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë. Për rrjedhojë, premtimi mbeti në letër, ndërsa fëmijët romë vuajnë shëndetin, për shkak të ujit të ndotur që pinë çdo ditë. Po kërkojmë të drejtën tonë, asgjë më shumë. Mirë ne që jemi të rritur, por po na marrin në qafë fëmijët, që janë ende të vegjël. Spo na lënë ti rrisim si duhet. Çtaksirat kanë fëmijët që përgjegjësit i fusin lekët në xhep të vet, ndërsa ne po na lëmë të vdesim, shprehet Xhilda e tensionuar.

Situata

Sikur të mos mjaftonte, ky nuk është i vetmi problem me të cilin po përballen 8 familjet e strehuara në këtë godinë. Ata janë të shqetësuar, pasi dhomat janë pa xhama, ndërsa herë pas here ndërpritet energjia elektrike. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës kanë premtuar se godina do të rikonstruktohet, për ta kthyer atë në të banueshme, për shkak të kushteve të mjeruara që ofron ajo. Premtimi jo vetëm që nuk u mbajt përpara transferimit të tyre në këtë lagje, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e bërë mes Ministrisë së Punës dhe Unionit të romëve, por vazhdon të shkelet ende sot.

Romët e Sharrës, pas dy muajsh pa drita dhe me ujë të ndotur burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›