E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët e dëbuar: Do flemë në dyert e bashkisë, duam strehim

ROMET PROTESTADo flemë në dyert e Bashkisë së Tiranës, e në sheshin Skënderbej, derisa problemi me banesat tona të zgjidhet përfundimisht e të mos mbetemi në rrugë Kjo ka qenë kryefjala e protestës së komunitetit rom, ditën e djeshme, tubim i cili u organizua nga vetë familjet rome, përpara Bashkisë së Tiranës. Komuniteti rom i larguar 10 ditë më parë, nga banesat e tyre pranë ish-Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, zonë e cila njihej prej më shumë se 12 vitesh si vendbanim nga familjet rome, është zaptuar padrejtësisht nga një firmë ende fantazmë e cila duket se i ka përzënë nga banesat e tyre familjet rome. Të mbetur pa asnjë strehë, burra gra dhe fëmijë romë, janë vendosur ditën e djeshme në sheshin ‘Skënderbej’, ku pritet që kryefamiljarët e këtyre familjeve të ngrenë strehë deri në momentin që do të marrin përgjigje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Protesta

Gjatë protestës të organizuar paradite, romët kanë deklaruar se kanë patur përplasje me Policinë Bashkiake. Të gjendur prej ditësh në rrugë të madhe, ata kërkojnë që shteti të tregojë së paku interesim për çështjen e tyre. Kësaj proteste iu bashkuan edhe përfaqësues të shoqërisë civile. “Jemi qytetarë të Tiranës prej 600 vitesh dhe kërkojmë që problemit te familjeve rome t’i jepet zgjidhje”, ka deklaruar dje Xheladin Taço, përfaqësues i komunitetit rom. “Të marrin masa urgjente për sistemimin e familjeve rome, të cilat nga dita e tubimit dhe deri më sot janë në qiell të hapur ka theksuar Taço ndër të tjera duke i bërë një thirrje publike kryebashkiakut Basha të marrë masa për strehimin e 30 familjeve rome.

Apeli

Ndër të tjera përfaqësues të komunitetit rom kanë theksuar faktin se deri më tani asnjë prej institucione përkatëse nuk ka marrë masa për strehimin alternativ të romëve të cilët kanë më shumë se 10 ditë që flenë në qiell të hapur edhe pse në familjet e tyre, kanë fëmijë e të moshuar të sëmurë. Duam t’ju vëmë në dijeni se deri tani nuk jemi njohur me asnjë alternativë nga institucionet përgjegjëse për strehimin e komunitetit rom”, thotë Brisilda Taço, aktiviste për çështjet rome. Për rastin e romëve të dëbuar nga vendbanimi i tyre ka reaguar edhe Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut. “Bashkia të paktën të jetë humane, në mos nuk është profesionale. Edhe nga mediat kjo çështje nuk duhet të kalojë si gjithnjë, por duhet të trajtohet si një çështje e rëndësishme”, thotë Elsa Ballauri nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriu. Më herët aktivistja Ballauri ka deklaruar për mediat se firma e cila do të kryejë ndërtime në banesat ku u dëbuan romët drejtohet nga Delijorgji, një nga ish të akuzuarit e çështjes Gërdeci.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›