Romët nuk lejohen më të sheshin as plaçka
Aksioni
Policia bashkiake përzë tregtarët e veshjeve të përdorura në Rrugën e Elbasanit
Lorina Mixha
Kjo verë do të njihet si periudha e gjuetisë së romëve.
Pas sekuestrimit të mbetjeve të mbledhura nga romët në kazanët e plehrave, një tjetër sipërmarrje e njohur si ekskluzivitet i këtij komuniteti, është në proces disiplinimi.
Gjatë paradites së djeshme, policia bashkiake ka vendosur rregull në Rrugën e Elbasanit, duke nisur nga Shkolla e Baletit e deri në fund të rrugicës që të nxjerr te xhamia e tabakëve.
Në këtë zonë, prej vitesh romët dhe tregtarë të tjerë shesin rroba, këpucë, çanta, por edhe produkte të tjera të përdorura me çmime tepër të lira. Në fundjavë, për shkak të shtimit të blerësve, çmimet rriten ndjeshëm, ndërkohë që në ditët e javës produkte që tregohen në merkaton e dorës së dytë janë me çmime nga një mijë lekë të vjetra e deri në 10 mijë lekë të vjetra, që mund të shkojë një xhup apo pallto e trashë dimri.
Policia bashkiake
Inspektorët e policisë bashkiake zbritën nga një furgon ku lexohej Policia bashkiake. Të veshur me uniformë dhe me të dhënat personale të shkruara në kartën e vendosur në xhepin e këmishës, kanë ngritur tregtarët romë bashkë me plaçkat që ata shesin. Në një kohë të shpejtë, tregtarët që shesin në rrugë pa paguar taksa bashkisë apo pa leje mjedisore për shfrytëzimin e sipërfaqes publike, kanë ngritur mallin për ta futur në çanta, makina e biçikleta. Bashkia e Tiranës ka deklaruar zyrtarisht se nuk ka asnjë urdhër zyrtar për largimin e romëve, tregtarë që shesin rroba të përdorura, por kontrollet e policisë bashkiake janë inspektime rutinë, të cilat bëhen për tregtarët ambulantë në të gjithë qytetin. Pas cigareshitësve, dhe romëve që punonin me ndarjen e mbetjeve në letër, kanoçeve dhe qelq, në inspektimet e policisë bashkiake do të jenë edhe tregtarët e plaçkave të lira, këpucëve të përdorura, rrobabanjove të dorës së dytë apo edhe produkteve të tjera të zërit veshmbathje.
INSTAT
Sipas Institutit të Statistikave, në raportin e fundit për tremujorin e parë të vitit, lidhur me treguesit e shitjeve rezulton se kërkesa për veshmbathje të jetë ulur ndjeshëm krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin paraardhës.
Shitjet e veshjeve kanë rënë me 20 për qind krahasuar me një vit më parë. Sipas krahasimit të INSTAT-it, në tremujorin e parë të këtij viti kemi ulje të çmimeve të veshjeve me 12 për qind.
Rroga mesatare në Shqipëri është 35 mijë lekë të reja, ndërkohë që minimalja është 18 mijë lekë. Në një kohë krize, kur pagesat minimale dhe mesatare janë në këtë nivel, tregu i rrobave të përdorura mbetet zgjidhja për një pjesë e mirë të qytetarëve.
Po ashtu një pjesë e mirë e familjeve rome janë integruar në këtë sipërmarrje duke u punësuar familjarisht dhe duke e pasur këtë veprimtari si të vetme mënyrë jetese. Mes tyre komuniteti i tregtarëve romë të rrobave të përdorura bëjnë edhe diferencime. Në këtë grup kemi edhe nënndarje të tregtarëve që shesin rroba të shtrenjta dhe të tjerë që shesin mallra të lira.
Edhe në vendet europiane gjejmë tregje të dorës së dytë dhe të dorës së tretë, të rrobave dhe sendeve të përdorura. Qytete të veçanta shpesh u lejojnë tregtarëve ti shesin këto mallra dhe produkte në qendër të qytetit në ditë të caktuara, duke i përjashtuar nga të gjitha tarifat dhe taksat vendore apo qendrore.
Por të nesërmen në rrugë autoritetet marrin masa që qytetarët të mos gjejnë as mbeturina dhe as papastërti.
Përvoja
Edhe në vendet europiane gjejmë tregje të dorës së dytë dhe të dorës së tretë, të rrobave dhe sendeve të përdorura
Precedenti
Një muaj më parë, policia bashkiake bllokoi romët që punonin në plehra
Një muaj më parë, komuniteti rom reagoi duke protestuar dhe duke kërkuar mbështetjen e shoqërisë civile, Avokatit të Popullit dhe opinionit publik lidhur me papunësinë e tyre. Policia bashkiake pa një urdhër të shkruar nisi sekuestrimin e mbetjeve të romëve dhe ndaloi punën e tyre në kazanët e plehrave, në rrugë apo edhe në vendgrumbullime mbeturinash. Sipas Bashkisë së Tiranës, vendimi për ndalimin e punës së romëve në kazanët e plehrave erdhi pasi kishte qindra qytetarë që depozituan ankesa për erën e rëndë që vinte, pasi romët kontrollonin kazanët.
Mbi 800 romë, shifër e dhënë nga shoqëria civile, kanë mbetur pa punë dhe i është hequr e vetmja mënyrë jetese. Mbi dy mijë fëmijë kanë mbetur pa bukë, për shkak të papunësisë së familjarëve të tyre, që deri dje bënin ndarjen e mbeturinave në karton, qelq dhe kanoçe.
Ekspertët e shoqërisë civile shpjegojnë se nuk është parashikuar asnjë masë tranzitore apo për të siguruar një alternativë tjetër për sigurimin e të ardhurave të domosdoshme, me qëllim përmirësimin apo së paku ruajtjen e situatës ekonomike të anëtarëve të komunitetit rom të përfshirë në grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme.
Romët nuk lejohen më të sheshin as plaçka burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip