E Diel, 1 Nëntor 2026

Romët protestë para bashkisë: Duam strehim. MP: Mos i përdorni politikisht

rometTiranë- Të ndodhur në mes të katër rrugëve, të pastrehë dhe të dëbuar, familjet e komuniteti rom kanë zgjedhur të protestojnë sot përpara Bashkisë së Tiranës për të kërkuar të drejtat e tyre.

Duam të drejtat tona jemi shqiptarë. Mbani premtimet,- ishin disa nga thirrjet e grave, nënave e fëmijëve romë që protestonin me pankarat në duar.

Ndërsa kreu i federatës së romëve Xheladin Taço, tha se kërkesa e vetme e tyre është vetëm të dëgjohen nga kryetari i bashkisë dhe institucionet shtetërore dhe të mbajnë premtimet.

Ka dy javë që familjet tek ish ndërmarrja artistike i kanë nxjerrë jashtë. Kemi depozituar kërkesë pranë bashkisë për takim dhe nuk kemi marrë. Qeveria, ministria e bashkia nuk po reagojnë. Po protestojmë për të reaguar dhe të na dëgjojë zërin. Në emër të federatës rome i bëj thirrje të gjithë institucioneve për të na dëgjuar. Kemi dhënë dhe ne kontributin tonë. Jemi të përqendruar në Shqipëri prej 600 vitesh dhe jemi të barabartë, shteti të na dëgjojë. Na vjen keq që ndërkombëtarët reagojnë, por jo shteti shqiptar,- tha Xheladin Taço.

Protesta vjen disa ditë pasi famljet rome u dëbuan nga vendbanimet e tyre pranë Pallatit me Shigjeta në Tiranë. Mbi 37 familje që jetonin tek trualli i ish-ndërmarrjes artistike, ringritën çadra të improvizuara në trotuar ngjitur me murin rrethues ku u përzunë.

Avokati i Popullit Igli Totozani ka bërë pothuajse çdo ditë thirrje bashkisë dhe qeverisë që të marrin masa urgjente për zgjidhjen e strehimit të këtyre familjeve teksa theksoi se po shkelen të drejtat e njeriut.

Edhe faktori ndërkombëtar është shprehur i shqetësuar në lidhje me këtë situatë.

Reagon Ministria e Punës: Mos i përdorni politikisht

Sot ka reaguar për herë të parë Ministria e Punës e cila përmes një deklarate për mediat tha se ka trajtuar me përparësi situatën e krijuar me 37 familjet rome. “Ministria është treguar e gatshme për të strehuar romët…Në Sharrë janë marrë godina për strehimin e tyre”,-tha MP-ja, por pa sqaruar se si do të zgjidhë problematikën.

“Askush të mos e përdorë politikisht këtë problem…Thirrje disa institucioneve të mos ndërlikojnë situatën…Kemi menaxhuar edhe më parë situata të tilla”,-tha MP-ja në deklaratën e saj duke thënë se ka bashkëpunim të ngushtë me shoqatat e romëve në vendin tonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›