E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rompuy: Progresi në veri vetëm përmes dialogut

Presidenti i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompuy ka thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës.

Rompuy këto komente i bëri në konferencën e përbashkët për mediat, me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila po qëndron për vizitë në Bruksel, duke potencuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.

“Palët duhet gjithashtu t`u adresohen çështjeve në veri të Kosovës, për të mirën e qytetarëve që jetojnë atje. Unë mbetem i bindur se gjithsesi vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit do të jetë mënyra më e mirë për të arritur këtë progres dhe për të siguruar një stabilitet të mëtutjeshëm dhe zhvillim të mëtutjeshëm në rajon”, tha Rompuy.

Ai tha se në dialogun e zhvilluar deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, janë arritur rezultate të prekshme, mirëpo sfidë vazhdon të mbetet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Presidenti i BE-së, Herman Von Rompuy shprehu përkushtimin e BE-së për perspektiven evropiane të Kosovës, përderisa shtoi se do të vazhdohet me prezencë edhe më të fuqishme të EULEX-it në Kosovë.

Ndërkaq, presidentja Atifete Jahjaga kërkoi nga BE-ja që të bëjë më shumë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve dhe ne kemi kërkuar nga Bashkimi Evropian që të gjejnë mekanizmat për të monitoruar dhe garantuar zbatimin e tyre”, tha Jahjaga.

Ajo tha më tej se Kosova pret që Serbia t`i normalizojë marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën, pasi ky është një faktor paqeje që do të ndikojë drejtpërdrejt në eliminimin e strukturave kriminale që vazhdojnë ta mbajnë peng integrimin e tre komunave veriore të Kosovës. Jahjaga tha se institucionet e Kosovës po vazhdojnë me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave.

“Të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe të përshpejtojnë të gjitha procedurat që dalin nga ato”, tha Jahjaga.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›