Ronaldinjo beson te suksesi

Edhe pse jo në formën e tij më të mirë, braziliani ka bërë paraqitje të kënaqshme në Serinë A. Duke shënuar golat vendimtarë në fitoret me Interin në derbi dhe gjatë fundjavës së kaluar përballë Napolit, Dinjo deklaroi se tashmë mund të ketë vetëm përmirësim.
Ai nuk ka fshehur as lidhjen me klubin e ri. “Dëshiroj që të fitoj gjithçka, të cilën e kam arritur më parë me Barcelonën dhe mendoj se në vitet e ardhshme Milani do të më dhurojë shumë kënaqësi, ashtu si ato që përjetova në Spanjë”, tha fantazisti.
“Këtu ndihem shkëlqyeshëm, si në shtëpinë time. Të gjithë më trajtojnë mirë dhe më respektojnë. Më pëlqen qyteti, edhe pse ende nuk e njoh aq shumë. Besoj se vendimi për të ardhur te Milani ishte i drejtë, pasi po luaj me skuadrën më të fortë në botë”. Me magjitë e tij, Ronaldinjo i ka dhënë një impuls të ri lojës së “Djallit”.
Skuadra e Ançelotit ka marrë kryesimin në kampionat pas katër viteve, ndërkohë që objektivat janë fitimi i titullit dhe kualifikimi për në Champions, për edicionin e ardhshëm. Por, pavarësisht momentit të mirë që po kalon 28-vjeçari, trajneri i Kombëtares së Brazilit, Karlos Dunga, nuk e ka grumbulluar për miqësoren e 19 nëntorit me Portugalinë.
Debati - Rikthimi i kuqezinjve si pretendentët kryesorë në garën për titull ka hapur edhe debatin në distancë me rivalët historikë të Interit.
Galiani u përgjigjet “shigjetave” të presidentit zikaltër, Masimo Morati, i cili ironizonte mungesën e gjatë të emocioneve që të dhuron kreu në Serinë A.
“Nëse jemi të emocionuar që kryesojmë kampionatin? Morati duhet të shohë dhomën tonë të trofeve dhe më pas do t’i kuptonte emocionet tona”, u kundërpërgjigj zv/presidenti i kuqezinjve. Galiani foli edhe rreth Ronaldinjos, për të cilin Milani u akuzua se e bleu vetëm për përfitime nga marketingu: “Kur arritëm marrëveshjen, të gjithë mendonin se Ronaldinjo do të ishte thjesht një figurant në ekip, por ai po na ndihmon të fitojmë ndeshjet”.
Në fund edhe dy fjalë për akuzat e Napolit, rreth penalltisë së dyshimtë të akorduar nga gjyqtari Roki, e cila u shpërdorua nga Kaka. “E mohoj kategorikisht që Milani po ndihmohet në ndonjë mënyrë nga gjyqtarët”, përfundoi drejtuesi i klubit.