E Diel, 1 Nëntor 2026

Roskovec/ Vrau ish-vjehrrin dhe mori peng ish-partneren, drejtori i Policisë Fier: Gruaja u lirua, vijojnë negociatat me autorin

Policia ka arritur të lirojë ish-partneren e 35-vjeçarit Refit Buzi, i cili mëngjesin e kësaj të premteje vrau babanë e saj dhe plagosi nënën në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Erion Ahmeti, bëri me dije se pas disa orësh negociatash me autorin, i cili e mbante peng ish-partneren në automjet dhe kërcënonte se do të vriste veten dhe atë, u bë i mundur lirimi i saj.

Sipas policisë, gruaja është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia vijon negociatat për dorëzimin e tij, ndërsa negociatat vijojnë ende me qëllim që situata të mbyllet pa pasoja të tjera.

“Fillimisht u bë i mundur lirimi i shtetases që mbahej peng në automjet, kundër vullnetit të saj. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Negociatat me autorin vijojnë, me qëllim që ai të dorëzohet pa shkaktuar pasoja të tjera”, deklaroi Ahmeti.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00 në fshatin Vidhisht, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se qëlloi me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa plagosi edhe ish-vjehrrën.

Pas krimit, autori u largua me automjet duke marrë peng ish-partneren e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, policia rrethoi zonën, ngriti pika kontrolli dhe angazhoi Forcat Speciale RENEA për kapjen e tij.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e motivit të krimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›