E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rotacioni dhe sfidat e të ardhmes për Shqipërinë

Milaim Shefkiu / Gazetar 

Nuk është e mundur që të organizohen një palë  zgjedhje në Shqipëri, dhe të kalojnë në qetësi, të  jenë ferr dhe të mos ndodhin incidente me përmasa sa të kërcet kallashnikovi, si në luftën e Sirisë.  Zgjedhjet e 23 qershorit nuk ishin asgjë tjetër  përveç një lojë kolumbiane me gjela, ku bastexhinjtë kur humbasin bastin, nxjerrin hanxharët dhe i  bëjnë yrysh kundërshtarit, thua se ai i ka fajet që  gjeli i tij humbi lojën. Prandaj Shqipëria si Shqipëria. 

Në mes të Laçit, simpatizanti i një partie politike  qëllohet me plumba nga simpatizanti i një parti  tjetër. Pas dy ditësh, vrasje tjetër si në Kamboxhia  në të njëjtin qytet. Kjo është për të ardhur keq, së  pari për Shqipërinë të cilës po i përsëritet historia,  e më pas edhe për familjet e të vrarëve. Megjithatë  në një lojë nervash gjatë numërimit, u konfirmua  se Edi Rama dhe koalicioni i majtë fituan bindshëm zgjedhjet. 

Nëse është e vërtetë sentenca  se “Dita e mirë shihet në mëngjes” atëherë Rama i ka fituar këto zgjedhje dhe pas tetë vitesh  në pushtet Partia Demokratike e humb garën,  ndërsa Sali Berisha shkon në pensionim. Ajo që  kërkohet nga Berisha është se pas 22 vjetësh  në politikë dhe pas gjithë atij bagazhi që ka ndërtuar në Shqipëri, të largohet burrërisht duke dorëzuar pushtetin dhe duke i uruar rivalit qeverisjen  e re. Kështu Berisha mbetet në analet e historisë  shqiptare si pishtar i demokracisë, si njeriu që ka  ndërtuar Rrugën e Kombit dhe si kryeministri që  ka çuar Shqipërinë në NATO. Berisha nëse largohet në mënyrë dinjitoze, mbetet politikan me  nam, ndërsa nëse qet shqelma dhe sfidon Parlamentin, atëherë bie në fund të pusit. 

Këtu përfundon një etapë e Berishës dhe fillon një  sfidë e re e Edi Ramës. Rama duhet të jetë edhe  më dinjitoz, ndërsa premtimet që i ka bërë duhet  t’i përmbushë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe  për shqiptarët në rajon, përfshirë edhe ata të  Preshevës. Sido që të jetë, shqiptarët e Kosovës,  Malit të Zi, Maqedonisë dhe të Luginës së Preshevës, presin që procesi i zgjedhjeve në Shqipëri  të përfundojë me sukses, i qetë, dhe pa tensione  të tjera. 

Pas vrasjes në Laç, Evropa nuk po arrin të krijojë imazh tjetër për Shqipërinë, duke  kujtuar po atë Shqipëri të ngatërresave. Nëse  Edi Rama, ndryshon për të mirë mentalitetin e  Shqipërisë karshi ndërkombëtarëve, atëherë  vërtet ai do të mbetet reformator dhe do ta  mbajë epitetin e liderit që çoi Shqipërinë në Evropë. Kurse Sali Berisha duhet të mendojë më  racionalist dhe të ikë nga politika, duke ia lënë  partinë klasës së re, atyre që premtojnë, por  edhe që e sfidojnë Ramën në zgjedhjet e ardhshme, ndoshta Basha ose Olldashi. 

*Titulli është redaksional  Marrë me shkurtime nga gazeta “Zëri” në Kosovë. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›