Rotacioni, i vetmi shans i ndryshimit*
Ardian Vehbiu
Studiues
- Një nga pozicionet më energjike, që ndesh sot mes analizave për zgjedhjet, është ai që i sheh dy polet PS/PD si të barasvlershme; dhe që rekomandon, sipas rastit, votën e bardhë ose votën kryq ose ndonjë lloj tjetër vote të tillë që të shënjojë refuzimin e sistemit, jo preferencën e votuesit për këtë apo atë kandidat. I mirëkuptoj argumentet e të gjithë atyre që shohin faliment moral tek e majta, pas aleancës së fundit mes PS-së, e cila ka qenë gjithë këto vite në opozitë; dhe LSI-së, e cila ka qenë gjithë këto vite, përkundrazi, në pushtet; sepse kjo aleancë me vlera thjesht aritmetike, në thelb, e zbrazi nga përmbajtja kritikën e drejtë dhe këmbëngulëse që opozita ia kish bërë pushtetit gjithë këto vite; dhe ia përçudnoi profilin kësaj opozite, e cila deri tani ishte përvijuar si kundërshtim i regjimit, jo vetëm në formë (ose për të marrë pushtetin), por edhe në përmbajtje. E megjithatë, unë mendoj se nuk ka arsye për të vënë shenjën e barazimit mes njërës palë dhe tjetrës; dhe se ta bësh këtë, do të thotë ta shfajësosh një çikë si shumë shpejt PD-në dhe Berishën vetë, për dështimet e tyre të njëpasnjëshme dhe spektakolare, në politikën e brendshme dhe të jashtme, në ekonomi dhe në kulturë, në legjislacion dhe në politikat sociale, në arsim dhe në shëndetësi, etj. Por kam edhe një argument tjetër – që për mua ka kaluar pa u vënë re. Dilema e votuesit, ose dyzimi, nuk mund të jetë vetëm ajo e të zgjedhurit mes PD-së dhe PS-së; Berishës dhe Ramës. Kjo zgjedhje është vetëm një aspekt i dyzimit, dhe kushedi më pak i rëndësishmi, pavarësisht se mediat vetëm aty po ngulin këmbë, duke na i pikturuar zgjedhjet e ardhshme si të ishin ndeshje boksi mes dy super-atletëve të politikës shqiptare. Aspekti tjetër, me rëndësi kritike, ka të bëjë me qëndrimin e zgjedhësit ndaj vijueshmërisë së sistemit ekzistues. Natyrisht, nëse fiton opozita, do të kemi “rotacion”; nëse fiton PD-ja, gjërat do të mbeten pak a shumë po ato – dhe kjo është aq elementare, sa shpesh fiton tejdukshmëri në debatet. Nga njëra anë, qytetarit i duhet të vendosë nëse do t’ia japë votën njërës palë apo tjetrës (po thjeshtoj me vetëdije; duke lënë jashtë parti të treta ose alternativën e votës protestë). Nga ana tjetër, qytetarit i duhet të vendosë nëse do të ketë ndërrim në timonin e shtetit, apo fushat e forcës, strukturat dhe fytyrat do të mbeten siç ishin. Ajo që s’është vënë re mirë, në sa parashtrova më lart, është se këto dy dilema nuk reduktohen dot në forma të ndryshme të një dileme të vetme madhore. E kuptoj se mund të arsyetohet – nga qytetari – se pala e Berishës dhe pala e Ramës janë të barasvlershme dhe shprehje të të njëjtave patologji prej të cilave vuan sot politika shqiptare; por kjo nuk do të thotë aspak, ipso facto, se permanenca dhe rotacioni janë gjithashtu të barasvlershme. Kemi të bëjmë me dy probleme të ndryshme; jo teorike, por praktike dhe që çdo votues duhet t’i zgjidhë njëfarësoj me veten. Në këtë mes, asgjë nuk na pengon të përfytyrojmë një zgjedhës të mundshëm, i cili të simpatizojë politikisht PD-në, e megjithatë të votojë për opozitën, ngaqë mendon se, në këtë moment, ndërrimi i duarve në timon ka rëndësi më të madhe, se ideologjia, fizionomia morale, historia personale ose prejardhja e personave përkatës dhe partive të tyre. Dhe – vini re – aq më i fortë vjen e bëhet ky argument, për të gjithë ata që pranojnë, si premisë, se palët kundërshtare në zgjedhje janë “njëlloj si njëra si tjetra”, sidomos nga pikëpamja morale. Edhe një herë: duke thjeshtuar në maksimum, le të përfytyrojmë qytetarët që shkojnë të zgjedhin midis A dhe B, në kutinë e votimit. Ka qytetarë që votojnë me bindje për A; ka të tjerë që votojnë me bindje për B. Ka të tjerë që mendojnë se A dhe B janë njëlloj, dhe se duhen refuzuar me ndonjë mënyrë çfarëdo, p.sh. me votë të bardhë, etj.. Megjithatë, kjo votë e bardhë ose zero – të paktën kështu siç po promovohet – nuk ka shumë shans të sjellë ndonjë ndryshim praktik në raportin përfundimtar të forcave; por shumë-shumë do t’u tregojë politikanëve se ka njerëz që i refuzojnë si klasë, jo si individë dhe përfaqësues të kësaj apo asaj partie. Ata që e mbështetin votën protestë, shpjegojnë edhe se kalimi i pushtetit nga duart e Berishës në ato të Ramës (sërish po thjeshtoj) nuk do të ishte rotacion i mirëfilltë, meqë pushteti sërish do të mbetej nën kontrollin e “parisë së Tiranës”, që e ka humbur tashmë krejt kapitalin moral në sytë e qytetarëve. Mirëpo në fakt dhe në praktikë, po t’i fitojë opozita zgjedhjet, ajo do të sjellë të paktën njerëzit e vet në institucionet ose të paktën njerëz të rinj; si pasojë dhe në përgjigje edhe të politizimit që u ka bërë këtyre institucioneve pala në pushtet deri më sot. Është pikërisht ky ndërrim njerëzish, ky freskim kuadri, që duhet parë si faktor në mos pozitiv, të paktën i shkëputur nga ideologjitë përkatëse; ose zhvillim i pavarur nga pozicionet dhe mëkatet politike të palëve. Prandaj, edhe sikur A dhe B të jenë të barasvlershëm politikisht dhe moralisht, përsëri fakti që, po fitoi A do të kemi vijueshmëri të kuadrit në pushtet, ndërsa po fitoi B do të kemi, përkundrazi, një ndërrim të këtij kuadri, do të mjaftonte, si argument, për të votuar B-në; në rrethanat kur biem dakord se A-ja ka pësuar fiasko tashmë në timon, sikurse duket se mendojnë edhe përkrahësit e votës zero, votës së bardhë, votës me kryq dhe grevës së votës. Me një fjalë, qytetari ka të drejtë ta gjykojë rotacionin, dhe rolin e tij si qytetar në suksesin e këtij rotacioni, si proces dhe zhvillim politik të pavarur nga përkatësitë politike dhe ideologjike të palëve që marrin pjesë në këtë proces.
*Titulli është redaksional