“Rozafa”, premierë në TKOB, një produksion që sjell në jetë legjendën e sakrificës dhe besës

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit sjell premierën botërore të operës “Rozafa”, një produksion që ndërthur mitin shqiptar me gjuhën universale të muzikës dhe teatrit.
Që prej shekujsh, historia e Rozafës është rrëfyer si një simbol i besës, dashurisë dhe sakrificës. Një legjendë që ka mbijetuar brez pas brezi, për t’u kthyer sot në një vepër operistike që sjell në skenë një nga rrëfimet më të fuqishme të trashëgimisë sonë kulturore.
Me muzikë nga Ndoc Pistulli, libret të Zef Zobrës dhe orkestracion nga Gridi Kraja, vepra përcjell përmes tingujve dhe interpretimit dramatik emocionet e një historie ku përballen dashuria, besa, tradhtia dhe flijimi.
Nën drejtimin muzikor të Gridi Krajës dhe me regji e skenografi nga Andis Gjoni, në skenë ngjiten solistët, Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, të cilët i japin jetë një produksioni të realizuar me një frymë bashkëkohore, duke ruajtur thelbin e legjendës shqiptare.
Përmes muzikës, skenografisë dhe interpretimit, “Rozafa” nuk rrëfen vetëm historinë e gruas që pranoi të murosej për të mbajtur në këmbë kalanë, por sjell edhe mesazhin e përjetshëm të sakrificës dhe forcës që mbart kjo legjendë në kujtesën kolektive të shqiptarëve.
Premiera do të mbahet më 22 korrik, në orën 20:00, në skenën e TKOBAP-së.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/