Rrëfehet Ermonela Jaho: Në fillimet e karrierës isha e paragjykuar ngaqë isha shqiptare
Intervistë me Ermonela Jaho, në emisionin Opinion në Tv Klan
Blendi Fevziu
Në këtë intervistë do të flasim për Shqipërinë, karrierën tuaj, eksperiencën por dhe shumë qytete të botës që për një kohë të caktuar dhe jo shumë të shkurtër bëhen qytetet tuaja si Vjena, Londra, Marseja, Lioni, etj. Kam parë që kalendari juaj është shumë i ngjeshur i përballoni dot të gjitha?
Po kur e bën një zanat me një dëshirë kaq të madhe dhe me një pasion të madh vështirësinë e ndjen më pak.
Vazhdoni pas 20 vitesh të keni të njëjtin pasion që të bëheshit një këngëtare?
Absolutisht po. Ai pasion dhe ai zjarr që të mban atë ambicien e mirë që të ketë një artist. Çdo fushë të mban në kërkim të një diçkaje të re sidomos në art. Nuk duhet të përsëritësh pasi përsëritja është vdekja e artit.
Nuk ka pasur ndonjë moment ku përball një valixheje të mbushur plot ke thënë u lodha, nuk dua të nisem sot?
Në fakt e them gjithmonë dhe përsëri nisem sërish. Nisem sërish pasi kur e mendoj se po bëj diçka që më pëlqen dhe kam një pasion që bashkë me mua është rritur vazhdimisht. Kjo është një ëndërr që rrite bashkë me Ermonelën.
Në fakt një nga të dhënat që stafi im po përgatiste për intervistën tuaj nënvizonte një fakt që, në moshën 14-vjeçare ju kishit shkuar për herë të parë në operën e Tiranës, dhe kishte qëlluar që opera e asaj dite të ishte Traviata dhe sipas asaj që kishit thënë vetë kishit qarë. Çdeshët në opera në moshën 14-vjeçare dhe si u gjendët realisht?
Është shumë e vërtetë, dua ta nis pak më përpara. Njohja ime me muzikën ka qenë si për çdo shqiptar pasi shpirti i shqiptarëve njihet përmes muzikës popullore, në rastin tim nëpërmjet muzikës polifonike të Shqipërisë së Jugut pasi prindërit i kam nga jugu dhe kisha dëshirën të dëgjoja kushërinjtë e mi që këndonin. Ata kanë marrë pjesë dhe në grupet polifonike të Gjirokastrës si amator. Unë nuk vij nga një familje muzikantësh pasi babai im është ushtarak ndërsa nëna filloi si arsimtare pastaj me punë të ndryshme për të mbijetuar. Kjo ka qenë njohja ime e parë me muzikën popullore. Shpesh herë kam provuar të mbaj iso po stonoja dhe tani më vjen zor ta them. Hapi tjetër ishte kur dëgjoja këngët në RTSH do të doja të isha pjesë e atij festivali, ishin dëshirat fëminore në atë kohë.
Kush ishte këngëtarja që ju impresiononte?
Parashqevi Maku, ishte këngëtarja që më pëlqente si shumica e fëmijëve të asaj kohe. Doja të isha si ajo. Ndërkohë në moshën 5 vjeçare babai më regjistroi në Pallatin e Pionierëve ku ka qenë dhe një lloj institucioni shumë edukativ për fëmijët. Pasi aty nisnin hapat e para drejt teatrit, drejt skenës.
Por, nuk kishit asnjë lidhje me muzikën klasike?
Absolutisht. Doja të vazhdoja më tutje dhe bashkë me mua u rrit ajo ambicia ime për të qenë pjesë e festivalit. Por për të realizuar këtë duhej të regjistrohesha në Lice në moshën 14-vjeçare. Në atë periudhë për tu bërë pjesë e Liceut duhej të përgatisje një pjesë nga muzika klasike dhe kjo gjë më detyroi në një farë mënyre të interesohesha pak më tepër dhe të merrja një lloj kulture në këtë zhanër të muzikës klasike. Përgatitja e kësaj pjesë ishte në embrionin e këtij zhanri nuk njihja më shumë se aq. Por, për të bërë gjërat më të sakta vendosa të shkoja dhe të shikoja një opera në Teatrin e Operës dhe Baletit gjithmonë në kuadër të përgatitjes për të shkuar në Lice. Nuk e kisha idenë se çfarë ishte Traviata, nuk e kisha idenë se çfarë ishte muzika klasike, pakëz dëgjoja muzikë simfonike në radio. Opera Traviata ishte botë tjetër, ishte fjalor tjetër. Pa e ditur fare se ku po futesha fillon Preludi, që kur filloi preludi dhe tani që e kujtoj duart i kam të ftohta ndjej një emocion që nuk e prisja sepse gjithmonë kisha shprehur dëshirë të shkoja drejt muzikës së lehtë. Për një fëmijë të ndrojtur si unë pashë që diçka lëvizi, si një lloj dashurie në zgjimin e parë. Akti i parë më futi në një botë që nuk e kuptoja dhe deri sa arriti në aktin e fundit ku ndodhi vdekja e Violetës, aty kam qarë dhe u preka jashtë mase dhe i thashë vëllait: Nuk do të vdes pa kënduar njëherë Traviatën.
Ju e fituat konkursin e Liceut përfshirë dhe pjesë klasike. E mbani mend çfarë pjese ka qenë?
Ka qenë një pjesë nga opera e Verdit, Aria e Oskarit.
Si ishte koha e studimeve në Tiranë?
Mund të them se kam qenë shumë me fat që kam qenë pjesë e asaj lloj disipline, gjë që do ti vijë për të qeshur brezit të sotshëm. Nuk kishim asnjë lloj komoditeti, kishim vetëm një piano që të jepte mundësinë të ushtroheshe deri më 30 min. Por për të gjithë brezin tonë që donim të studionim pasioni i mbyste pamundësitë. Ngrihesha në 5 të mëngjesit për të shkuar dhe për të parë se kush ishte i pari që i binte pianos, madje ndonjëherë hynim dhe nga dritarja.
Ju keni thënë se pasi u transferuat në Itali, në Santa Sicilia, mësimdhënia ndryshonte krejtësisht nga ajo ne Tiranës. Në çkuptim ndryshonte?
Ndryshonte sepse nëqoftëse në Tiranë hyrja në një shkollë ishte një pasion që do më shoqëronte gjatë gjithë jetës dhe këtë e dija, në Itali ishte si një hob. Unë kisha hyrë në një rrugë që nuk kishte rrugë pas.
Është e vërtetë që e keni kënduar Traviatën për herë të parë në moshën 17-vjeçare?
Kjo është e vërtetë. Në rastin tonë studimi i kantos është rezistenca vokale sepse nuk është një instrument violinë apo violonçel. Në rastin e këndimit duhet një përgatitje e fortë dhe kordat e këndimit duan një teknikë të fortë që të bëjnë ty që të kesh një rezistencë që të këndosh një opera për tre orë.
Cili ka qenë fati i shokëve dhe shoqeve të klasës tuaj ata që studiuan bashkë me ju, patën një karrierë apo e braktisën siç ndodhi me shumë artistë pas viteve 90?
Fatkeqësisht disa prej tyre e braktisën nga ndryshimet radikale që ndodhën në atë periudhë në Shqipëri. Këto ndryshime zgjuan tek ne atë ndjenjën e lirisë dhe ndoshta pasioni për muzikën që kishim, u vu në provë. Një pjesë e mirë e tyre ikën pasi panë që nuk ishte aq e lehtë që të çash me muzikën, ndërsa një pjesë prej atyre që mbaj kontakte kanë ndryshuar karrierën për të mbijetuar.
Keni pasur rastin të takoni ndonjë nga shokët tuaj nëpër turnet që keni bërë?
Ka ndodhur por jo nga shokët dhe shoqet e mija, por nga studentët që kanë qenë pas meje. Rasti i fundit ishte kur dhashë premierën në Vjen ishte Saimir Pirgun që erdhi të më ndiqte.
Ju keni së bashku me Saimirin dhe në Londër, dhe sipas shtypit britanik ishte hera e parë që dy shqiptarë luanin rolet kryesore në Traviatës?
Është e vërtetë dhe ka qenë një arritje jashtëzakonisht e madhe. E para ishte një arritje profesionale pasi ka qenë tempulli muzikës klasike ku kanë kënduar idhujt tanë të kaluarës dhe jo kushdo mund të ngjitet në atë skenë. Nga ana tjetër dy rolet kryesore diva dhe partneri, gjë që nuk u përtyp dhe shumë mirë pasi në atë periudhë në Londër lakoheshin shembujt negativ për shqiptarët por në fund të fundit kritikat kanë qenë shumë pozitive dhe u prit mjaftë mirë.
Përpara se të shkonit në operën e Londrës apo të Vjenës ku jeni sot, përpara se të bënit këtë karrierë ju duhet të bënit një kapërcim, atë kapërcim që duhej të ngriheshit që në 5 të mëngjesit për tu ushtruar në piano dhe të shkonit drejt këtij tregu ndërkombëtar. Kjo gjë ndodhi në 93 ku Ricereli organizoi një audicion në Shqipëri. Si ndodhi?
Kjo gjë ndodhi rastësisht pasi Ricereli ishte hera e dytë që bënte një konkurs dhe përzgjidhte studentë nga e gjithë bota. Rastësisht vajta dhe mora pjes