E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për ekspozitën e dytë të Edmond Tullumanit

Nga Gjovalin Paci
Piktor        

Rastësisht një mikeshë më prezanton me piktorin Edmond Tullumanin. Fillimisht mbeta i befasuar kur në një zyrë të vogël, të mbushur cep më cep me tabllo e kavaleta, ishte e vështirë të dalloja ngjyrat e vajit, nga DVD e muzikës klasike. Emocioni i parë që më krijoi brenda vetvetes si brendësi artistike ishte përballja me një univers personal të autorit, ku larmia e gjinive ndërthuret me gama të përmbajtura ngjyrësore, ku herë-herë në kontraste të fuqishëm, por që flasin gjithmonë me gjuhën e ekuilibrit figurativ. Autori bën kalime të natyrshme nga plotësia e ftohtësisë që përbën tabllonë, me prekje tepër elegante, larg efekteve, gjë që e takon rrallë në zhanrin e pikturës, e cila krijon një raport të çuditshëm të marrëdhënies autor-shikues-vëzhgues të hollë të detajit artistik.

Mondi pikturën e vet e ndan në disa cikle, ku të bie në sy ai i portretit. Në veçanti në portret, ajo që më bën më shumë përshtypje dhe më krijon një lloj marrëdhënie direkte, është ai i malësorit. Aty mbizotërojnë gama jeshile shumë e përpunuar, e prekur nga një e ftohtë, nga e bardha në gri, te e argjendëta me prekje smeralde, që krijojnë tërësinë e këtij portreti të mbajtur larg detajeve, por që është i vizatuar me një lloj ndjenje të brendshme, pa përpunime maniere e me një lloj moskokëçarje instiktive, por që të krijon strukturat e vetëpërmbajtura, që është element bazë në një vepër vepër arti.
Mondi, duke qenë një piktor si natyrë e tërhequr por shumë shpërthyese, sidomos në momentin që kryen aktin artistik, krijon brenda tij amalgama të qëndrueshme artistike që nuk vuajnë nga maniera e teknikës, por ato janë të ndjeshme e të gjalla, herë-herë të prekshme dhe herë-herë fluide, pavarësisht se është e ngopur me ngjyrë, e veçanta që përshkon ciklin e portreteve është struktura me të cilën mbështetet motive, me theksin e fuqishëm kombëtar.

Piktura e Mondit është pikturë që luan me ngjyrën, ku dhe dritën e merr vetvetiu nga ngjyrat e vet pikturës. Ai dhe kur punon peisazhin, portretin, nuk i jep shumë rëndësi dritëhijeve të prera, por i jep atë me ngjyrën, pra jo me dritëhije klasike. Në tërësi vepra e Mondit është e një lloj individualiteti, i krijuar ndërmjet kërkimeve të gjata herë-herë të guximshme, kur në momente të caktuara marrin kthesa të papritura, duke krijuar një lloj pikture ekspresioniste me frymë realiste, por gjithmonë e dallueshme nga çdo autor tjetër.
Kur qëndron përpara tabllove të Mondit kupton thjeshtësinë, emocionin, forcën që ai e përcjell nëpërmjet penelatës të studiuar mire. Punimet e Mondit nuk vuajnë nga mbimbajtja në dorë ose mbikalimin në vetëlodhje, gjë që e vuan çdo autor, pra me një lloj finese arrin të kuptojë dhe i lejon vetvetes e mbylljes së veprës në më të thjeshtë, pavarësisht kohës fizike që ai harxhon mbi telajo.

Thelbësore për Mondin është mosrënia pas një lloj arti ose rryme, por kërkimi i brendshëm individual për tablonë, herë atë të dallueshme dhe të qëndrueshme, si një veti e krijimit të personalitetit të tij personal në këtë fushë të artit.
Mondi, duke njohur dhe duke qenë pjesë e botës muzikore, i ndërthurur këndshëm  këto dy lloj gjinish. Ai jeton i përgjysmuar ose brenda Mondit dualizojnë muzika dhe piktura, që do ti dëshironte ti kishte çdo autor, në veçanti një piktor.

Loja që Mondi kryen gjatë aktit të krijimit është një lojë që ekziston vetëm brenda botës së tij të brendshme dhe që përcjell me aq shkathtësi dhe me aq individualitet, pa u bërë aspak i bezdisshëm edhe kur trajton cikle të ndryshme, që janë brenda një game, qofshin ato kompozime, portrete ose gjini të tjera të pikturës.

Ekspresionizmi Mondian të përcjell moment të gëzueshëm, pra kur edhe ato trajtohen brenda gamave të ftohta, sa që vështirë e ke të kuptosh një tabllo të mbajtur ngrohtë, me një tabllo që është mbajtur me të gjitha të ftohta, por që ka disa prekje mjeshtërore , sa që për një moment të duket sikur janë elemente që janë punuar deri në detaje, por kur futesh në brendësi të saj, ato janë prekje deri në detaj. Në të vërtetë ato janë thjeshtë prekje ekspresive herë të qeta, herë nervore, herë të ëmbla dhe herë të thata, por që duke u bashkuar në një të tërë krijojnë një rezonancë marrëdhëniesh autor-shikues, që dashje pa dashje, të bëjnë që të kërkosh brendësinë e intensitetit krijues të Mondit.

Ekspozita përmban rreth 50 punime të trajtuara me një lloj fryme kombëtare në ciklet portret, folklore, peisazh, kompozim, natyrë të qeta, kolazh etj.

Te peisazhi, ajo që bie në sy janë kalimet nga të ngrohta në të ftohta, nga peisazh i butë, në peisazh me frakture. Cikli folklorik që është cikli më interesant nga pikëpamja ime personale, me një jeshile të smeraldë e gjetur nga vetë ai, alternohen nga të kuqe në të zeza, dhe ndërtojnë strukturën e vetë veprës. Thjeshtësia që ato sjellin përpara nesh ka një thellësi brendësore të përjetuar nga autori. Ato janë një produkt i kontaktit me vlerat kulturore, me traditën kombëtare, ku ndërthurja e lëvizjes me njësinë muzikore që transmetohet nëpërmjet ngjyrës, përbën një nga arritjet më të mira të autorit.

Interesante në natyrën e qetë është se Mondi luan brendshëm, jo si një vegël muzikore, por si një instrument frymor gjallor, ku harmonia që krijohet brenda vizatimit dhe gamës koloristike të krijojnë idenë e një formacioni muzikor të traditës.

Ajo që me natyrat e qeta të bie në sy është se Mondi me këpucët e labit në një sfond të errët, me një gamë ngjyrash të kursyer transmeton një thellësi loje artistike, ku këpucët me xhufka në mënyrën e vendosjes të krijojnë përshtypjen herë-herë të varfër, herë-herë të valles labe, e herë-herë të një subjekti që brenda saj ka ikjen dhe kthimin. Pra është njëherësh midis varkës dhe këpucës, por që të dyja kanë një lidhje organike, sidomos për krahinën e Labërisë, ku dhe deti, gërxhet, këpuca e labit dhe varka janë simbol i miqësisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›