E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet Ibrahimoviç: Dua ti bëjë të tjerët të lumtur

Futbollisti i Paris Sen Xhermen, Zlatan Ibrahimoviç, padyshim që është një ndër sulmuesit më të mirë në botë, por me karizmën që sjell brenda dhe jashtë fushe ai është shndërruar në një futbollist shumë popullorë në të gjithë botën.

Gjiganti suedez në një intervistë për BBC ka rrëfyer thuajse gjithë jetën e tij, tashmë jo në një libër por në një intervistë. Ai tha se është shumë ndryshe nga çfarë njerëzit e perceptojnë se është. Gjatë gjithë karrierës së 31-vjeçarit është thënë se e gjithë skuadra i bindet atij dhe luan për të, megjithatë suedezi ka tjetër opinion për veten.

“Lexoj gjatë gjithë kohës se njerëzit mendojnë se jam arrogant. Thonë se jam kryelartë dhe kam karakter të keq. Kjo më ka ndodhur që nga fëmijëria. Por kur më takojnë, më thonë: Imazhi nuk përshtatet me ty. Nga vendi që vij unë, asnjëherë nuk e gjykojmë një person para se ta njohim. Asnjëherë nuk do ta bëja atë. Kudo ku kam luajtur kam fituar. Por unë jam i kënaqur vetëm atëherë kur janë të lumtur bashkëlojtarët e mi, tifozët dhe të tjerët. Unë kam një zemër të madhe dhe dua ti bëjë gjithmonë tjerët të buzëqeshin”.

Zlatan nuk ka luajtur deri më tani vetëm në Kampionatin Anglez, por 31 vjeçari beson se nuk do të mund të bëjë diçka të tillë pasi mosha nuk ja lejon.

“Jo nuk e besoj që do mund të luaj ndonjë ditë në Premier Leaue pasi tani jam 31 vjeç dhe ndjehem shumë mirë te Parisi. Kam shumë përgjegjësi dhe e ndjej që mund të jap gjithçka për Parisin, por të ardhmes nuk i dihet kurrë. Kur shkova te Barcelona mendova se do të qëndroja atje për 5 vjet, por pas një viti u largova. Atëherë kur e projektoj të ardhmen, gjithmonë më ndryshojnë planet, ndaj më mirë të mendoj ditë pas dite.”

Suedezi foli edhe për teknikun e preferuar Murinjon.

“Kapelo më injektoi mentalitetin e fituesit, ndërsa Mourinjo më transformoi nga mace në luan. Ai nxorri nga unë atë që asnjë trajner tjetër nuk e kishte bërë më parë.”

Ndërkaq ai ju përgjigj edhe pyetjes mbi transferimin e Bejl duke ndarë të njëjtin mendim si Zidan.

“Asnjë futbollist nuk është aq i mirë për t’u vlerësuar 100 milionë euro. Kalimi i Gareth Bale te Reali i Madridit i ngjan transferimit tim te Barcelona. Çmimi i një futbollisti rritet nga mediat, ndërsa klubi që është i interesuar për të blerë verbohet nga ideja që po afron një emër të madh. Bale do të ketë shumë presion në Santiago Bernabeu. Edhe Zinedin Zidan fillimisht është vërshëllyer nga tifozët e Realit. Nëse kjo ka ndodhur me një nga mesfushorët më të mirë të historisë futbollit. Bale duhet të ketë shumë durim.”

Zlatan Ibrahimoviç gjatë karrierës së tij ka shënuar 269 gola në  536 ndeshje me skuadrat ku ka luajtur ndërsa me kombëtaren ka gjetur rrugën e rrjetës 45 herë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›