E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi: Mbolla 2 vjet hashash në Lazarat, për bukën e gojës

GJIROKASTER -Me lekët që fitova gjatë punës për mbjelljen e fshatit në Lazarat, rregullova shtëpinë. Tani nuk shkoj më, se kam frikë se përfundoj në burg. Janë qindra familje të papuna që i mban Lazarati, pasi shteti i ka harruar njerëzit. Ata rrojnë me bukën në kurriz të fëmijëve, pasi ajo që mbjellin e korrin është drogë, që merr në qafë bijë nënash”.
Kështu u shpreh dje, 43-vjeçarja D.T. nga qyteti i Gjirokastrës. Nëna e dy fëmijëve pohoi se nuk hapnin gojë për atë që ndodhte në Lazarat, pasi rrezikonin jetën e të afërmve të tyre. Ajo tha se që e la punën për hapjen e gropave të hashashit pas shtimit të kontrolleve nga policia. Ndërkohë, mësohet se Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës në bashkëpunim me FNSH-në kanë ngritur postblloqe të shumta përgjatë rrugës nacionale që të çon në fshatin “rebel”. Ndonëse tri ditë më parë blutë shoqëruan 100 kultivues të drogës, punëtorët e punësuar nga lazaratasit u bëjnë sfidë. Burime zyrtare nga policia lokale bënë të ditur se, dje janë shoqëruar 21 persona, kryesisht punëtorë krahu nga rrethet Elbasan e Cërrik. Ndërkaq, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 43-vjeçarja tregon me detaje se si punoi për mbjelljen e hashashit në Lazarat.
Si quheni dhe nga jeni?
Jam (heziton të thotë emrin) 43 vjeç, nga lagjia “Punëtori” e qytetit të Gjirokastrës. Jam e martuar, me dy fëmijë të rritur. Të ardhurat e familjes vijnë vetëm nga unë. Bashkëshorti është i papunë, po ashtu edhe fëmijët. Jetojmë me borxhe, vetëm kështu sigurojmë bukën.
Prej sa kohësh punoni në Lazarat?
Kam dy vjet që shkoj, edhe pse me frikë. Fillimisht ishte burri që punonte si murator në Lazarat. Aty mësoi që shkonin shumë gra nga Gjirokastra dhe sidomos këto që kanë ardhur nga fshatrat me banim në qytet. Edhe një komshija ime punonte aty. Ajo më tha që paguajnë mirë dhe kështu vendosa të shkoj dhe të punoj në Lazarat. Në fillim kisha pak siklet, por të paktën fillova të marr lekë. Unë punoja për hapjen e gropave dhe rrinim tërë ditën. Shkoja në mëngjes dhe rrija deri në ora 18:00 ose 19:00.
A kishte shumë persona që punonin aty?
Unë isha punësuar nga një familje nga Lazarati. Hapja gropa tek bahçja e tyre, ndaj nuk di gjë për të tjerët. Por, në mëngjes shikoja shumë furgonë që shkonin nga Gjirokastra në Lazarat. Më shumë ishin gra, them se punonin në familje të ndryshme.
Sa paguheshe për punën që bëje?
Vitin e kaluar, por edhe këtë vit, unë jam punësuar vetëm në sezonin e mbjelljeve, pra në kohën kur hapen gropat për mbjelljen e hashashit. E them këtë, se lazaratasit mbledhin punëtorë edhe gjatë periudhës së korrjes së hashashit. E provova vetëm një herë të punoja në sezonin e korrjes, por u ndjeva keq; më lëvizi tensioni dhe kisha të vjella. Kështu që vete vetëm tani, në periudhën e mbjelljes së bimëve narkotike. Vjet më paguanin 15 mijë lekë të vjetra në ditë. Ndërsa, këtë vit paguajnë më pak, 5 deri në 10 mijë lekë të vjetra. Lazaratasit thonë se nuk u shitet malli. Ç’të them, ne çfarë shikonim e dëgjonim në Lazarat, nuk e zinim me gojë. Kemi frikë për fëmijët.
A vazhdon të mbjellësh hashash në Lazarat?
Jo. Para disa ditësh vura re se ishin shtuar forcat e policisë përgjatë rrugës që të çon nga Gjirokastra në Lazarat. Më hyri frika, ndaj nuk vajta. Dhe mirë bëra, pasi para dy ditësh dëgjuam se kishin shoqëruar 100 punëtorë që shkojnë me furgonë në Lazarat. Sot (dje) dëgjova se kanë ndaluar persona të tjerë. Nuk dua të përfundoj në burg, se kam dy fëmijë për të ushqyer. Tani kam filluar punë në një rrobaqepësi dhe do Zoti më ecën mbarë.
Po pjesëtarë të familjes suaj, kanë punuar për mbjelljen e gropave të hashashit në Lazarat?
Në fakt, ne halli na detyron të punojmë dhe aty ku nuk duhet. Me lekët që fitova në Lazarat rregullova dhe shtëpinë e shkatërruar.
Djali më kërkon që të shkojë atje, se është çun e do lekë. Po kam merak se mos më merr rrugë të tjera, apo e arreston policia. Janë qindra familje të papuna që i mban Lazarati, pasi shteti i ka harruar njerëzit. Ata rrojnë me bukën në kurriz të fëmijëve, pasi ajo që mbjellin e korrin është drogë, që merr në qafë bijë nënash. Ç’të bësh, kur të zë halli?! Kur s’vë dorë shteti, askush nuk fle.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›