E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i Besës: Çmimi, prindërit dhe rrugëtimi muzikor

Besa, si mund ta klasifikosh veten me një fjalë (nga pikëpamja shpirtërore flas), pas shpalljes fituese e edicionit të Top Fest 5?

Shumë e lumtur. E shpresoja , por thellë nuk e besoja, deri në momentin që e preka skenën në atë moment.

Mbrëmje e madhe, apo jo?

Shumë emocionuese.

Edhe nëse nuk do ishit ju fituese?

Do mbetej një mbrëmje emocionuese.

Keni marrë dy çmime njëherësh. Por në fakt, ju vetë çfarë kishit ndërtuar në imagjinatë? Pra, deri ku shkonte bindja juaj lidhur me ndonjë çmim?

Shpresa ishte për çmimin e madh; ndërsa bindja ishte për një çmim.

Hiti juaj, pothuajse e kishte marrë “Ok” e publikut si me dëgjueshmërinë më të madhe në muajt e lançimit të këngëve në Top Fest. Në njëfarë mënyre, pati të njëjtën ecuri si në hitet e Alban Skënderajt. Ju vetë e keni ndjerë këtë? E kishit testuar suksesin?

Po, këtë herë e ndjeja që impakti që kjo këngë kishte patur e tejkaloi parashikimin dhe suksesin e gjithë repertorit tim.

Ju, Besa, jeni njëherësh dhe organizatore në disa edicione të një festivali alternativ të muzikës moderne shqiptare, siç është “Mikrofoni i Artë”. Por si do e gjykonit Top Fest (pa tifozllëk, ë!), nga pikëpamja profesionale?

Për të qenë e saktë, unë kam qenë organizatore vetëm dy herë, në 2004 dhe 2007. Përsa i përket Top Fest sivjet, çfarë ka qenë në dorë të organizatoreve, është bërë shumë mirë.

Çfarë i sjellin këto festivale muzikës shqiptare?

Këto festivale janë luks i madh për artistët. Festivale të këtij lloji, nuk ekzistojnë më në vendet europiane. Në Europë ekzistojnë ceremoni për shpërndarje vlerësimesh që ka bërë tregu në konkurrencë të drejtë. Ndërsa formate të tilla promovuese të këngëve, kanë qenë traditë e vendeve afër tonit dhe janë në njëfarë mënyre zëvendësues të “tregut” muzikor në Shqipëri, i cili as nuk mund të themi që ekziston, po ta gjykojmë sipas parametrave të vendeve europiane.

Nëse gjithë pjesëmarrësit e një festivali, konkretisht “Top Fest 5” do t’i publikonin këngët e tyre individualisht, sa prej tyre do të fitonin para? (gjithnjë duke deduktuar sasinë e parave që do t’u duhej për ta promovuar më parë).

Shumë pak, besoj, ndoshta aspak.

Pra, prandaj mendoj se është luks që : Artisti të promovohet, dhe ndërkohë të paguhet që promovon veten (Qesh).

Ndërsa, përsa i përket muzikës shqiptare, shteti duhet t’i jetë mirënjohës këtyre sipërmarrësve që investojnë pa kurrfarë përkrahjeje.

Prindërit tuaj, janë figura të njohura të biznesit e të jetës publike në përgjithësi. Si e pritën triumfin e vajzës së tyre në Top Fest?

Shumë krenarë dhe shumë të prekur për suksesin tim.

A u kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se Besa do të bëhej një këngëtare e suksesshme?

Them se nuk u pëlqente shumë ideja në fillim. (Qesh)

Pas fitimit të Çmimit të Madh në Top Fest, cila është udha që do të ndiqni këtej e tutje, në muzikë, kuptohet.

Nuk besoj se do të marr pjesë nëpër festivale për ca kohë të mira; po përgatitem për koncertin tim recital live, ndërkohë jam duke punuar për albumin tim të dytë.

Ju punoni me zërin dhe cili është profesori juaj i vokalit?

Unë kam punuar dhe punoj me zërin në mënyrë autodidakt, pra individualisht.

Si i jeni futur këngës, me bindjen që kishit talent dhe doemos duhet të bëje “boom” në fushën e muzikës, apo e nise si një hobi, si një çlodhje, e në këtë rrugë zbuluat një vetvete që nuk e njihnit?

Nuk është se thjesht isha unë e bindur që isha e talentuar, mua më evidentuan që në 8-vjeçare mësuesja e muzikës, më pas Gëzim Osma, violinçelist, këmbënguli shumë që unë t’i futesha muzikës profesionalisht, madje duke u munduar të bindë dhe prindërit e mi. Ia arriti qëllimit që të regjistroja diçka me Edmond Zhulalin, i cili më konfirmoi bindjen e njerëzve të mësipërm.

Më pas në Angli, profesori im i pianos, sa më dëgjoi të këndoja më fut në konkursin e talenteve ndërkombëtarë mes shkollave një dite para evenimentit, dhe e fitoj. Ndërkohë, sigurisht që ishte pasioni më i madh, gjithnjë thellë-thellë e dija që këtë gjë do bëja.

Nga fakti që prindërit tuaj janë biznesmenë, shumë njerëz nuk e kanë quajtur të rëndësishëm faktin se ju do merrni 10 mijë euro. Por në të vërtetë, sa e rëndësishme është për ju kjo sasi parash e më troç, çfarë do bësh me to?

Unë me to do të realizoj këngë të reja. Pavarësisht bindjes së përgjithshme, unë që prej këngës “Unik” i mbuloj vetë shpenzimet e muzikës time, dhe kjo me dëshirë, prandaj kanë dhe shumë rëndësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›