E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfimi i Griseldës: Sajova shtatzëninë për të mbajtur lidhjen me Elvisin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 03-06-2011 10:13

Tiranë- Rrëfimi i dytë i 28-vjeçares Griselda Zaimi, ai i vërteti, ka nisur ngadalë. Fillimisht me fjalë të shkëputura, e më tej, me ndihmën e dy psikologeve, gruaja e re ia ka dalë të sqarojë gjithë historinë që terrorizoi mbarë opinionin publik. Në prani të dy prokurorëve, dy psikologeve, një mjeku psikiatër dhe një zyrtari të lartë të policisë, Griselda Zaimi (Rroshi) ka konfirmuar përfundimin e hetimeve intensive, të cilat patën si konkluzion një histori të sajuar me shumë fantazi nga 28-vjeçarja. Dëshmia e saj u prit me mjaft interes nga grupi hetimor, i cili për 24 orë me radhë nuk ka arritur të gjejë asnjë motiv për sajimin e një historie të tillë, fundi i së cilës nuk mund të parashikohej as nga ekspertët e hetimeve, të cilët nuk kishin hasur kurrë më parë një rast të tillë. Mes lotësh, 28-vjeçarja ka pohuar se historia e shtatzënisë ishte sajuar nga ana e saj për të ngjallur keqardhje te njeriu me të cilin jetonte, pasi lidhja e tyre nuk funksiononte siç duhet. Sipas saj, kishte qenë pikërisht mungesa e një fëmije, çka mund të ketë sjellë ftohjen e marrëdhënies së saj me Elvis Rroshin, apo më keq, hera-herës edhe acarimin e lidhjes. Gjithçka ka nisur kur 28-vjeçarja ka mësuar se nuk mund të lindë fëmijë. Ky lajm duket se ka ndikuar negativisht në psikologjinë e saj, duke bindur përditë e më shumë veten se mungesa e fëmijës mund të shkatërronte përfundimisht lidhjen e saj, ende të pacelebruar në martesë. Takimet me Rroshin, sa vinin e bëheshin më të rralla, madje edhe në ditët që Griselda qëndronte në shtëpinë e tij, në qytetin e Kavajës. Sipas dëshmisë së Griseldës, Elvisi kthehej shumë vonë në shtëpi, dhe nuk mund të kalonin çaste me njëri-tjetrin. Duke marrë shkas nga situata e krijuar, 28-vjeçarja ka treguar se pjesën më të madhe të kohës e kalonte në shtëpinë e prindërve të saj në Tiranë, ndërsa gjatë atyre pak ditëve që ndodhej në Kavajë, ajo takohej shumë rrallë me bashkëshortin, madje gjatë kësaj kohe edhe debatonin. E bindur se gjithçka ndodhte për shkak se ajo nuk mund të lindte një fëmijë, Griselda ka nisur të fantazojë, madje të bindë veten se mund të ishte shtatzënë. “Nisa të mendoj se mund të isha shtatzënë, edhe pse e dija që nuk mund të lindja fëmijë. Këto mendime m’u përforcuan edhe më shumë kur filloi të më rritej dhe barku”- mësohet të ketë thënë në prani të psikologëve dhe grupit hetimor 28-vjeçarja. Duke vijuar me rrëfimin tronditës, 28-vjeçarja ka treguar se pas këtij momenti që duket sikur do të ndryshonte përfundimisht jetën e saj, ajo ka vazhduar të sillej si një grua që është në pritje të një fëmije. Burimet thanë se vajza ka treguar për veshjet që mbante, të cilat ishin të ngjashme me ato që veshin gratë shtatzëna. Kjo gjendje ka zgjatur për muaj me radhë, edhe pse nuk ka mundur të përmirësojë marrëdhëniet e saj me partnerin. Ky, sipas hetimit, dyshohet të ketë qenë motivi që 28-vjeçarja ka trilluar skenarin e rrëmbimit që mund të shihet vetën në filma, dhe detyrimin për një lindje të parakohshme në një ambient të përshtatur enkas për këtë qëllim. Vajza ka pranuar në dëshminë e saj se gjithçka është bërë për të tërhequr vëmendjen e bashkëshortit, ndërsa nuk ka dashur kurrsesi që në këtë histori të përfshihet policia dhe prokuroria. “Pasi shkova në shtëpi dhe tregova atë që kisha menduar, u kërkova familjarëve të mos lajmëronin policinë, pasi historia është sajuar vetëm për të krijuar keqardhje”- ka vijuar rrëfimin 28-vjeçarja. E pyetur për veprimet që ka kryer një ditë para ngjarjes, Griselda Zaimi ka sqaruar me përpikëri gjithë itinerarin e ndjekur në datën 31 qershor, kur ishte shoqëruar nga kunati i saj, nga Kavaja drejt Tiranës. Fillimisht ka qëndruar në ambientet e një lokali në pronësi të bashkëshortit të saj, në lagjen “Komuna e Parisit”, që administrohet nga një e afërme e familjes, ndërsa më pas është larguar me taksi drejt një hoteli në zonën e Tiranës së Re. “Kur shkova në hotel mendova të vetëvritesha. Më pas nuk po ndihesha mirë. Kisha të përziera dhe diarre dhe kërkova një taksi për të shkuar në spital” - ka deklaruar 28-vjeçarja, duke specifikuar edhe mënyrën sesi kishte menduar të vetëvritej. Por, sipas hetimeve, ka qenë gjendja shëndetësore ajo që ka detyruar vajzën të heqë dorë nga vetëflijimi, ndërsa punonjësit e hotelit kanë lajmëruar një taksi, e cila e ka transportuar drejt klinikës ku vetë 28-vjeçarja ka thënë se kishte probleme shëndetësore për shkak të një sanduiçi që kishte konsumuar. Gjatë dëshmisë së saj, që ka zgjatur më shumë se dy orë, hetuesit dhe prokurorët e çështjes kanë pyetur 28-vjeçaren nëse kishte folur më parë me të afërm apo familjarë të saj për historinë e trilluar, që shokoi mbarë vendin. Mësohet se vajza ka pohuar që nuk ka folur me askënd për këtë gjë, madje as me familjarët e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›