E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi drejt mbylljes, raport për gjendjen mendore të 28-vjeçares

Tiranë- Pas sqarimit të ngjarjes nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, tashmë çështja pritet të shkojë drejt pushimit, pasi nuk ka vepër penale. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se ditën e djeshme, dy prokurorët e çështjes, pas një analize të detajuar edhe me drejtuesin e Prokurorisë, pritet të vendosin pushimin e hetimeve. Ky vendim, sipas prokurorisë do të shoqërohet me pushimin tërësor të kësaj çështjeje, duke mos ngritur akuzë as për vajzën, e cila pranoi se kishte trilluar gjithë historinë për të ngjallur keqardhjen e bashkejtuesit të saj. E megjithë impaktin që kjo çështje pati në opinonin publik, prokuroria nuk ka vendosur të ngrejë asnjë akuzë për vajzën, apo kunatin e saj që bëri denoncim në polici. Sipas akuzës bëhet me dije se nuk ka qenë vajza ajo që ka bërë kallëzimin në polici, duke vënë kështu në lëvizje gjithë policinë e shtetit dhe Prokurorinë për Krime të Rënda, dhe për këtë nuk mund të akuzohet për kallëzim të rremë. Gjithashtu, një tjetër rrethanë që sipas prokurorisë nuk lejon ngritjen e akuzës, është edhe gjendja mendore e vajzës, pas sajimit të historisë së tmerrshme që tronditi mbarë vendin. Për të përcaktuar gjendjen mendore, prokuroria kishte thirrur në seancën e djeshme të pyetjes edhe një mjek psikiatër, i cili në bazë të dëshmisë do të përgatisë edhe një raport mbi gjendjen mendore të 28-vjeçares. Tashmë pritet formalisht vetëm vendimi i prokurorit për pushimin e hetimeve, ndërsa grupi i caktuar për çështjen është duke kryer veprimet e fundit procedurale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›