Rrëfimi i Valbona Çobës, nga lindja e djalit tek pasarelat
Intervistoi: Arta AGOLLI
Sa herë që shohim dy sy të shkruar, një fizik të mrekullueshëm, e një buzëqeshje tepër rrëzëllitëse, ndër mend na shkon imazhi i një vajze të brishtë që në spektaklin e parë të bukurisë Shqiptare në vitin 1991 u bë ikona e bukurisë shqiptare dhe tërhoqi jo pak vëmendjen e publikut. Por edhe sot pas plot 20 vitesh, ajo duket sikur nuk ka ndryshuar aspak, madje pas lindjes së Aiden, djalit të saj është bërë akoma edhe më e bukur. Edhe pse ajo jeton larg me familjen e saj të re, që tashmë është shtuar, publiku e do njësoj si ditën e parë, ndaj në një intervistë për gazetën Tirana Observer ajo do të rrëfejë momentet më speciale të jetës së saj si një nënë e devotshme, gugatjet e para të djalit të saj, shëtitjet e para me të, por nuk do të kursejë edhe përshtypjet e momentet kur ka sfiduar përkrah modele me famë botërore si Laeticia Casta apo Claudia Schiffer. Modelja shqiptare që theu çdo tabu duke prekur pasarelat botërore, rrëfen se ajo nuk do të humbë asnjë moment nga ditët e para të vogëlushit të saj, por sapo ai të rritet do ti kthehet sërish profesionit si modele, madje dëshiron të shkojë edhe më tej duke provuar edhe kinematografinë botërore.
Sapo ke sjellë në jetë djalin tënd, sa ka ndryshuar jeta jote me lindjen e tij?
Ka ndryshuar tërësisht. Çdo pjesë e ditës i përket atij dhe vetëm atij. Nuk e di nëse do vazhdojë të jetë kështu. Them që fillimi ndoshta është më i vështiri derisa të ambientohemi dhe ne me djalin po dhe ai me ne. Aq më tepër që është hera e parë për ne, dhe akoma mësojmë nga dita në ditë. Kështu që çdo ditë e re është një eksperiencë e re për ne të gjithë. Por mund të them që çdo orë me të është thjesht një mrekulli më shumë.
A mund të na rrëfesh si është një ditë e jotja me bukuroshin Aiden?
Ditët nuk jam shumë aventuroze mund të them, për faktin se Aiden është akoma shumë i vogël. Tani kemi filluar të dalim jashtë paasditeve dhe të ecim së bashku. Aiden i pëlqen shumë madje as nuk fle po shikon me vëmendje gjithçka. Me sa duket i pëlqen natyra.
Çfarë ndjesie përjeton një yll i skenës shqiptare, që ka provuar edhe pasarelat e botës, pasi është bërë nënë?
Është një ndjesi krejt e re për mua. Është vështirë të përshkruaj me fjalë atë çfarë ndjej. Çdo gjë është me shumicë. Një lloj dashurie që se kisha provuar më parë dhe s’e dija që ekzistonte. Lumturi pa fund për faktin që Aiden është me ne. Por dhe dëshpërim i jashtëzakonshëm kur ai qan dhe unë se di përse ose sdi si ta ndihmoj..
A do ti rikthehesh botës së spektaklit?
Patjetër që po. Jo shumë shpejt besoj. Nuk do doja ti humbisja kurrsesi muajt e parë të jetës së Aiden. Nuk dua të humbas asgjë që ndodh për herë të parë në jetën e tij.
Çfarë mendon për fotomodelet në Shqipëri, pasi ti je e para modele që ke shkelur pasarelat evropiane?
Kur unë fillova të merresha me modeling në Shqipëri as nuk bëhej fjalë të mendohej si karrierë. Unë isha fëmijë i sistemit komunist dhe të bëheshe modele ishte thjesht një ëndërr jo reale. Ndërsa sot është komplet e kundërta. Kështu që dhe vajzat shqiptare janë më të familjarizuara me këtë karrierë dhe mendoj vjen më natyrshëm kur njihesh me të. Po ashtu vajzat e sotme kujdesen më shumë për trupin etj. Në kohën time nuk mund të shkoje në palestër thjesht që të kujdeseshe për linjat. Çdo gjë ka evoluar dhe gjithashtu edhe vajzat tona. Jam vërtet krenare për modelet tona dhe mendoj se do dëgjojmë gjithmonë e më shumë se si x modele shqiptare arriti të bëjë edhe këtë apo edhe atë jashtë kufijve të Shqipërisë.
Si ka qenë të sfiloje përkrah modeleve më të mira në botë Laeticia Kasta, dhe Claudia Schiffer, mund të na tregoni ndonjë detaj?
Sigurisht që ishte diçka e pabesueshme për mua kur merrja lajmin që do sfiloja përkrah tyre, po mbas kënaqësisë të kësaj surprize vinte gjithmonë frika e përzierë me emocione. Më dukej sikur nuk mbaja frymë derisa mbaronte sfilata. Përsa i përket detajeve, me Laeticia Casta mbaj mend që të gjithëve na bëri përshtypje gjatësia e saj. Në prisnim një vajzë super të gjatë ndërsa ishte komplet e kundërta. Ndërsa në sfilatën me Claudia Schiffer ndodhi diçka komplet e pazakontë që nuk do të mund ta harroj asnjëherë. Në mes të sfilatës filluan të bien sirenat e hotelit dhe u dha lajmi që të gjithë duhet të dilnim përnjëherësh sepse policia kishte marrë lajm që një bombë ishte vendosur në hotel. Sfilata zhvillohej në hotelin Intercontinental. Dhe sigurisht të gjithë duhet të dilnim. Ishte një kaos i vërtetë. Po kur dolëm qëlloi që unë isha afër me të, dhe kështu Claudian, mua, dhe disa modele të tjera që qëlluan të ishin afër na çuan në katin nëntokë të hotelit së bashku me bodyguardët e saj. Por mbaj mend që të gjithë ishim shumë të qetë përfshirë Claudian. Sigurisht që nuk kishte bombë, por për mua ishte diçka më e mirë kjo ndodhi se sa sfilata vetë. Ndryshe nuk do kisha pasur rastin të kaloja kaq kohë së bashku me të.
Një ndër pasionet e tua është dhe bota e kinemasë, a do të ketë në të ardhmen një bashkëpunim me artistët shqiptarë?
Unë gjithmonë e kam mirëpritur një bashkëpunim të tillë. Nëse rasti i përshtatshëm shfaqet do e pres me dëshirë
A bën pjesë në aspiratat e tua Hollyëood-i a ka ndonjë projekt interesant në të ardhmen Valbona?
Hollywood-i ka qenë gjithmonë pjesë e aspiratave të mia. tani për tani nuk kam ndonjë projekt. Projekti i vetëm është Aiden, por sapo ai të rritet pak, do i rikthehem.