Rrëfimi i të padëgjueshmit

U shkarkua sepse nuk deshi të jetë marionetë e Ministrisë së Kulturës, pohon dramaturgu Jeton Neziraj, ish-drejtor artistik i Teatrit Kombëtar, në intervistën për Express. Shkarkimi i tij nxiti reagime të shumta, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Sipas tij, qëllimi ka qenë që në teatër të sillet dikush nga rrethi i ministrit dhe këshilltarit të tij, një dikush i dëgjueshëm, me të cilin mund të manipulohej lehtë.
Fillimisht kjo intervistë u mendua të jetë një ballafaqim ndërmjet dy palëve; Nezirajt në njërën anë dhe ministrit të Kulturës, Memli Krasniqit, e drejtoreshës së Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berishës, nga ana tjetër. Këta dy të fundit nuk pranuan. Neziraj thotë se drejtoresha e TKK’së s’ka çka thotë.
“Vërtet, ajo asnjëherë nuk ka pasur çka të thotë. Pos disa dërdëllitjeve pa përmbajtje tek-tuk, asgjë tjetër nuk ka thënë deri më tash”, sqaron, mes tjerash, ai.
E, ministrin Krasniqi e percepton vetëm si një karrierist politik, i cili akoma nuk vepron i pavarur.
Vitin që po e lëmë pas, ndërkaq, Neziraj e konsideron vit katastrofal për kulturën. Sipas tij, viti po përmbyllet me një teatër kombëtar të rrethuar me dhjetëra skandale e afera. Viti po përmbyllet pa asnjë film në Kosovë.
“Viti po përmbyllet si është më së keqi. Këta çunat e MKRS’së, m’janë dukur si ata gjelat që të krekosur këndojnë maje plehu. S’kanë qenë në gjendje ta funksionalizojnë asnjërin prej institucioneve kulturore, s`kanë pasur ide sesi ta shpenzojnë e administrojnë buxhetin, kanë shkarravitur e kanë përshkllyer disa prej ligjeve, e kështu me radhë. Pra, si disa kauboj të rinj që mbas kalërimit, pos pluhurit, nuk lënë gjë prapa. E filluan me logjikën e mbrapsht dhe, si duket, mbrapsht do ta përfundojnë”, shprehet ai.
Ndërkohë, punët që nuk arriti t’i kryejë në Teatrin Kombëtar, Neziraj do të ketë mundësi t’i kryejë diku tjetër, pasi që, siç thotë, është duke punuar në hapjen e një teatri të vogël në Prishtinë. Kjo do të ndodhë kah fundi i muajit mars.
Pse u shkarkuat nga posti i drejtorit artistik në TKK? Ku ka qenë problemi?
Jeton Neziraj: N`këtë pyetje do t`duhej të përgjigjej ministri i Kulturës dhe njerëzit e tij. Ata natyrisht i dinë arsyet. Por, ajo që mund të them unë është që, me atë rast, është kryer një veprim antiligjor e arbitrar. Në fakt, është shkarkuar Këshilli Drejtues i TKK’së, dhe përmes këtij veprimi është pamundësuar vazhdimi i kontratës sime. Pra, këto janë veprime totalitare banditeske. Tani, jashtë atyre pallamutjeve të tyre nëpër media, unë vetëm mund të spekuloj për arsyet; por, e di që tereni u përgatitë përmes një fushate të egër mediale të ministrit dhe këshilltarit të tij - herë duke më cilësuar si antikombëtar, herë si anëtar i LDK’së, herë si tradhtar, e ku ta di unë. Por, prapavija natyrisht dihet: qëllimi ka qenë që në teatër të sillet dikush nga rrethi i ministrit dhe këshilltarit të tij, një dikush i dëgjueshëm me t`cilin mund të manipulohet lehtë, i cili nuk ua nxjerrë të palarat. Se kam qenë i padëgjueshëm këtë e pranoj. Dhe ju e dini, telashet e mia kanë qenë me të gjithë ministrat, edhe me Valton Beqirin, edhe me Lutfi Hazirin, e tani edhe me Memli Krasniqin. Mirëpo, kanë qenë telashe sepse kam synuar të krijoj një teatër funksional, një teatër që nuk është marionetë e Ministrisë e as e Qeverisë. E asnjë Ministrie dhe e asnjë Qeverie. Kam synuar një teatër të pavarur, të standardeve krejt tjera.
Pas shkarkimit tuaj, u ndryshua edhe ligji për teatër, kështu që TKK më nuk ka drejtor artistik. Sipas jush, cila është arsyeja e këtij ndryshimi?
Jeton Neziraj: Këto janë kalkulime të klaneve e grupeve të caktuara të interesit. Tani, kur do ta largojnë Burbuqen nga TKK, do të kuptojmë se për kë, në fakt, është përgatitur ky ligj! Thonë se ku ka tym, do t’ketë edhe flakë. Tymi është, flakën do t’a shohim mbas pak. Por, që është paradoksale dhe e turpshme, është! Dikush e ka manipuluar ministrin se duhet të bëhen këto ndryshime në ligj, dhe ai, axhamishëm, është bërë pjesë e kësaj loje, pasojat e së cilës, natyrisht, do t’i bart teatri në të ardhmen.
Por, si mund të funksionojë, madje edhe të aspirohet një rritje e kualitetit të shfaqjeve, nëse TKK funksionon pa drejtor artistik?
Jeton Neziraj: Vërtet nuk e di, dhe nuk dua ta di. Si i thonë fjalës, le ta thyejnë qafën me marrëzitë e tyre. E di që, ata duan që kompetencat e drejtorit artistik t’ia mveshin drejtorit gjeneral ose Bordit Artistik. Por, të dy këto janë ide të destinuara të dështojnë. Teatri funksionon me Këshill Artistik, me sa e di unë, vetëm edhe në Tiranë. Këshillat Artistikë janë mbetje të komunizmit. Mund të ketë këshilla leximi, që lexojnë, selektojnë dhe propozojnë drama e projekte për inskenim, por duhet të jetë një njeri (drejtori artistik) ai që në fund vendosë dhe krijon njëfarë harmonie e uniteti të repertorit mbi kritere të tija. Sepse, në fund të fundit, është çështje njohurish, por edhe sensibiliteti. Por, edhe ideja që kompetent për repertor të jetë drejtori gjeneral është anakronike. Në fakt, pozita e drejtorit gjeneral do të duhej të reduktohej në “administrator” ose “drejtor ekzekutiv” ose “menaxher”, e të fuqizohej pozita e drejtorit artistik. Imagjinoni, një drejtori të përgjithshëm, që i ka një milion punë teknike e administrative, i duhet të vendosë edhe për repertorin!
Pse, sipas jush, as ministri e as drejtoresha e teatrit nuk deshën që të jenë pjesë e kësaj interviste, që ndërlidhet me ju?
Jeton Neziraj: Burbuqja nuk ka çka të thotë. Në të vërtet, ajo asnjëherë s’ka pasur çka thotë. Pos disa dërdëllitjeve pa përmbajtje tek-tuk, asgjë tjetër nuk ka thënë deri më tash. Ne jemi kolegë dhe vërtet nuk kemi pasur asgjë personale, por unë prapë dua ta përsëris: është njeri i gabuar për pozitën ku është. Të vetmen gjë që ka ditur ta bëj si duhet është të qenit oportunist. Nuk drejtohet teatri duke i bërë shoqe gratë, motrat, dhe shoqet e ministrave. Këto janë taktika primitive të cilat mua vazhdimisht më janë gërditur. Roli i saj ka qenë më tepër teknik; ajo është përdorur si mashë e grupeve të ndryshme të interesit, dhe kurrgjë më tepër. Synimi i saj parësor ka qenë dhe mbetet: të mos e largojnë prej aty ku është. Më larg nuk shkon ambicia e saj.
Sa i përket ministrit, mendoj që ai është thjesht një karrierist politik, por që akoma nuk vepron i pavarur. Por, ai dallon nga shumica e politikanëve tjerë, për shkak të disa ideve të çuditshme përsa i përket perceptimit dhe relacionit të fesë e institucioneve shtetërore. Çka e lidhë atë me kulturën? Asgjë. Këtë ministri ia kanë ofruar, këtë e ka pranuar. Po t’ia kishin ofruar edhe Ministrinë e Kthimit, edhe atë do ta kishte pranuar. Veprimet e tij në lidhje me mua janë si konsekuencë e disa përplasjeve të mia indirekte të mëhershme me babanë e tij, dhe me këshilltarin e tij. Kaq. Pra, është hakmarrje primitive, tipike për logjikën e odave.
Lidhur me shkarkimin tuaj pati reagime të shumta nga njerëz dhe institucione të huaja. Sipas jush, a patën ndonjë efekt këto reagime?
Jeton Neziraj: Këto reagime kanë pasur efektin që unë e kam dëshiruar dhe efektin që është pritur. Reagimet janë bërë me qëllim që t’ushtrohet trysni mbi logjikën e këtyre burokratëve kulturorë, të tanishëm e të ardhshëm, se nuk mund të luhet me institucionet kulturore siç luajnë çobanët guxhas në male; se politikat kulturore partizaneske, fisnore e të manipulimeve nuk u takojnë praktikave demokratike dhe logjikës së institucioneve serioze kulturore.
Veprimin tim dikush e ka çmuar, e dikush ndoshta jo, por unë konsideroj që ka qenë veprim i drejtë që i ka shërbyer, para së gjithash, vet kauzës së teatrit. Besoj që, në të ardhmen, ky ministër dhe të tjerë që do të vijnë, do të mendohen dy herë para se të ndërmarrin këso aventurash banditeske të thyerjes së ligjit.
Çka do të duhej ndryshuar në menaxhim dhe qasje, sipas jush, në mënyrë që teatri të arrijë në një gjendje më të mirë se tani – qoftë materialisht, qoftë nga aspekti kualitativ dhe konkurrues me rajonin?
Jeton Neziraj: Ka shumëçka për t’u ndryshuar. Hapi i parë do t’duhej të ishte çlirimi nga kthetrat e politikës. Duhet pastaj të ndryshojë relacioni MKRS-TKK. MKRS e trajton TKK’në si një departament të vetin, si institucion që mund t’ia imponojë vendimet e veta çdoherë që do. Ndërkohë që, TKK, sipas ligjit, është institucion i pavarur që vetë duhet t’i krijojë politikat menaxhuese e programore. Duhet pastaj të rritet buxheti për teatrin. Së paku edhe dyfish. Duhet të largohet nga TKK ajo strukturë menaxhuese dhe ai bord kukull. Duhet të vijë një garniturë e re, me ide të reja, me njohuri të reja dhe me energji të reja. Strukturat aktuale në TKK, që të gjitha, janë klientë të MKRS’së. Të gjithë janë argatë në shërbim të strukturave tjera jashtë-teatrore. Ai teatër duhet të aplikojë standarde e kritere tjera në fushën e menaxhimit, duhet të hapet për bashkëpunime me artistë e kompani ndërkombëtare, duhet të punojë në rritjen e cilësisë, në gjetjen e formave të reja të shprehjeve artistike. Sepse, ai është një teatër që po plaket kreativisht. Tani, ju mund të shtroni pyetjen logjike: a kam punuar unë në këtë drejtim që t’i sanoj këto mangësi? Unë them që, për tre vite sa kam qenë, shumë gjëra kanë ndryshuar pozitivisht. Nuk është tani momenti t’i përmendi sukseset, por besoj mjafton nëse them që, gjatë atyre tre viteve, ai teatër ka qenë në shtatë festivale ndërkombëtare jashtë rajonit. Shfaqjet e prodhuara gjatë mandatit tim janë të programuara edhe për disa festivale të rëndësishme në vitin 2012. Aspiratat e mia kanë pasur koordinata globale. Jo me demagogji e fjalë boshe, por me punë praktike.
Si e shihni gjendjen në fushën e kulturës - përgjithësisht - në vitin që po e lëmë pas, por edhe në atë që po vjen?
Jeton Neziraj: Ka qenë një vit katastrofal për kulturën. Viti po përmbyllet me një teatër kombëtar të rrethuar me dhjetëra skandale e afera, viti po përmbyllet pa asnjë film në Kosovë. Viti po përmbyllet si është më së keqi. Këta çunat e MKRS’së m’janë dukur si ata gjelat që të krekosur këndojnë maje plehu. S’kanë qenë në gjendje të funksionalizojnë asnjërin prej institucioneve kulturore, s’kanë pasur ide sesi të shpenzojnë dhe administrojnë buxhetin, kanë shkarravitur e kanë përshkllyer disa prej ligjeve, e kështu me radhë. Pra, si disa kauboj të rinj që mbas kalërimit, pos pluhurit, nuk lënë gjë prapa. E filluan me logjikën e mbrapsht dhe, si duket, mbrapsht do ta përfundojnë.
Por po, që t’jem i sinqertë, kanë edhe suksese: kanë financuar dy festivale provinciale teatri, prej nga janë kthyer edhe me shpërblime. Bravo provincializmit kulturor me të cilin ata e kanë stolisur këtë vend.
Me çka po merreni ndërkohë dhe cilat janë planet tuaja për vitin 2012?
Jeton Neziraj: Aktualisht jam në Paris, në një bursë shkrimi që më është ndarë nga Île-de-France, përmes Maison d'Europe et d'Orient. Po shkruaj një dramë të re, e cila do t’vihet në skenë në vitin 2012. Ndërkohë që, në shkurt të 2012’tës, do t’kem një premierë të rëndësishme botërore, në Volkshtheater të Vjenës, që është teatri i dytë më i rëndësishëm në Austri. Po ashtu, jam angazhuar të shkruaj një dramë të re për Teatrin Kombëtar të Uellsit.
E, veç këtyre angazhimeve si dramaturg, po përgatitem që bashkë me disa kolegë të mi artistë të hap një teatër të ri të vogël në Prishtinë. Hapësira është gjetur, dhe aktualisht është duke u renovuar. Shpresoj se do ta hapim diku në fund të marsit. Kjo hapësirë do të jetë shtëpi e re e Qendrës Multimedia.
Natyrisht, në pika gjenerale, këto janë planet kryesore. Por, ka ndërmjet edhe projekte e angazhime më të vogla.