Thaçi: Viti 2011, mban emrin e heroit Enver Zymberi

Kryeministri i Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, drejtori i Policisë së Kosovë, Shpend Maxhuni dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, kanë vizituar familjen e policit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Heroit të Kosovës, Enver Zymberi. Me këtë rast, kryeministri Thaçi tha se institucionet e Kosovës gjithmonë do të jenë pranë familjes së heroit Enver Zymberi, dhe fëmijëve të tij. Ai vlerësoi se familja Zymberi do të jetë frymëzimi për të fuqizuar dhe konsoliduar shtetin e Kosovës.
“Edhe një herë ritheksoj viti 2011, mban emrin e heroit Enver Zymberi. 25 korriku është dita e bashkimit territorin të Republikës së Kosovës, i sakrificës së madhe për të ruajtur dhe fuqizuar pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial. Çdo ecje përpara dhe çdo sukses që e kemi arritur, ndërlidhet drejtpërdrejt me emrin, jetën, veprën dhe heroizmin e Enver Zymberit. Dhe kjo vizitë e jona sot është nderimi shtetëror që i bëhet sot jetës dhe veprës Enver Zymberit”, ka thënë Thaçi.
Ndërkaq, familjarët e heroit Enver Zymberit, janë ndjerë të nderuar me vizitën e kryeministrit Thaçi. Ramadan Zymberi, xhaxhi i Enverit, tha se çdo herë kanë respektin e institucioneve të Kosovës, për të cilën gjë shprehet mirënjohës dhe falënderues.
“Për neve janë të mirëseardhur. Po na ndihmojnë, po na e lehtësojnë dhimbjen, nuk po na lënë të mërzitemi. Për neve është boll. Ne për këto institucione kemi respekt, kemi respekt për shtetin e Kosovës dhe udhëheqësi e Republikës së Kosovës, për neve është boll, dhe i falënderoj të gjithë në përgjithësi”, ka thënën Zymberi.
Enver Zymberi ishte polici i Njesisë Speciale të Kosovës – ROSU, i cili u vra nga snajperët serbë në aksionin për lirimin e pikave kufitare në veri të vendit. Ai la pas vetes gruan dhe 4 fëmijë. Enver Zymberi ishte shpallur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjga, Hero i Kosovës. /kosovapress/