Rrëfimi për Krishtlindje
Familjet katolike kosovare kanë nisur festimin e Krishtlindjes. Të premten, kuzhinat e shtëpive të tyre mbanin erë ushqimi të veçantë, që ato e bëjnë gati për vete dhe miqtë e tyre, të cilët një ditë para festës zyrtare, mblidhen së bashku, hanë, pinë e festojnë deri në mesnatë, para se të mbahet mesha në Kishë.
Njëra ndër këto familje është edhe ajo e Lola Mazrekut nga Prishtina. Zonja e shtëpisë, Lola, të premten ishte detyruar të marrë pushim nga puna, për një arsye të fortë. Në mënyrë që ta shënojë si më mirë Krishtlindjen, ajo që nga mëngjesi kishte filluar përgatitjen e gjërave që në mbrëmje ka bërë plan t’ua servojë miqve të saj të zemrës.
Për Lolën, festa e lindjes së Krishtit është shumë e dashur. Madje ajo kujton se qysh kur ka qenë e vogël, gjithmonë e ka pritur këtë festë me shumë dashuri. “E mbaj mend qysh e vogël nënën time, kur ajo përgatiste ushqimin tradicional të Krishtlindjes. Sepse në këtë festë nuk lejohet asnjë ushqim i kafshëve, mishi, qumështi asgjë”, tregon Lola për Express.
Por, ndryshe nga e ëma, Lola i ka ikur mënyrës tradicionale të të përgatiturit. Ajo thotë se vendin kryesor në tavolinën e saj, për Krishtlindje, e zë mishi i qurës. “Në njëfarë mënyre, sa i përket ushqimit, unë i kam ikur asaj mënyrës tradicionale. Mund të them se e festoj festën në mënyrë moderne”, rrëfen Lola.
Thotë se këtë nuk e bën pse dëshiron të ndryshojë ndonjë gjë. Ka kaluar në përgatitjen e ushqimit “modern” vetëm pse nuk ka kohë për t’u marrë me ushqimet tradicionale. Ato ushqime marrin shumë kohë për t’u përgatitur.
“E, përveçse nuk kam kohë, unë i jam përshtatur edhe asaj se çfarë hanë fëmijët e mi. U bëj çfarë atyre u pëlqen. Madje me vajzën time e kemi bërë traditë t’i bëjmë së bashku disa biskota me forma të ndryshme”, u shpreh Lola. Sipas saj, këto ndryshime po ndodhin, sepse edhe festat së fundmi janë komercializuar, por shpreh keqardhje për këtë gjë.
Megjithatë, Lola nuk e ka harruar tërësisht mënyrën e vjetër tradicionale të kësaj feste.
Ajo për çdo vit, më 5 dhjetor, kur është Dita e Shën Kollit, fillon ta dekorojë shtëpinë. Bashkë me fëmijët e saj e stolis bredhin dhe i dekoron pjesët tjera të hapësirës brenda me zbukurime të ndryshme. Shumica nga to kanë ngjyrën e kuqe, sepse kjo është ngjyra që Lola e preferon më së shumti për Krishtlindje. Përveç kësaj, shtëpinë e Lolës kjo festë e karakterizon me aromën e cimetit dhe mandarinës.
“Çdo gjë që bëj mundohem ta bëj me këto dy aroma, sepse janë ato që i dua më së shumti, e që ma kujton Krishtlindjen”, vazhdon rrëfimin Lola, teksa po vazhdonte të merrej me përgatitjen e disa biskotave të njelmëta, në forma të yllit, të cilat sipas saj, për çdo vit zënë vend në tryezën e familjes së saj, në natën e lindjes së Krishtit.
Lola deri në mbrëmje i bën gati të gjitha, e rregullon tavolinën dhe i fton të gjithë miqtë e zemrës për darkë. Vend kryesor në tryezë zë vera e kuqe. “Sepse është pije tipike tradicionale për këtë festë”, pohon ajo.
“Mbrëmjen e kalojmë me miq deri pas mesnate, kur zyrtarisht është nata e lindjes së Krishtit. Zakonisht, para mesnatës familjet e tjera katolike shkojnë në kishë. Aty e presin festën. Por, mua më duhet të rrijë me fëmijët”, shpjegon Lola.
Thotë se para se t’i kishte fëmijët, ajo bashkë me bashkëshortin e praktikonte të njëjtën gjë sikurse të tjerët. “Shkonim në kishë, sepse ajo është pjesa më e bukur. Takimi me njerëz, urimet mes veti edhe organizimet pas meshës. Megjithatë, edhe të festosh me miq dhe fëmijët, këtu në shtëpi është ndjenjë shumë e bukur”, thotë ajo.
Përveç dekorimeve të tjera, te dera kryesore, në hyrje të shtëpisë, Lola kishte vënë edhe dy çorape të mëdha, nga ato që i sjell babadimri. Brenda tyre, dy fëmijët e saj kishin futur nga një letër, në të cilën ata kishin shprehur dëshirat e tyre drejtuar babadimrit, për dhuratat të cilat ata i duan për këtë vit. Ajo thotë se këtë pjesë të detajeve dekoruese, e adhuron më së shumti. “Dëshirat për dhurata të fëmijëve unë i respektoj më së shumti. E adhuroj mëngjesin e ditës së Krishtlindjeve, kur fëmijët e mi me pizhama vrapojnë kah bredhi për t’i marrë dhurata që ua ka sjellë babadimri”.
Secili zbukurim i vënë në bredhin, i cili kishte zënë vend në dhomën e ditës, për Lolën kishte një domethënie. Sidoqoftë, edhe pse e praktikon mënyrën moderne të të përgatiturit të ushqimit për festë, Lola shpreson shumë se kur të arrijë në një moshë më të shtyrë, do t’i kthehet tradicionales. “Atëherë mund edhe të mos e konsumoj mishin, qumështin dhe produktet e tij dhe çdo gjë tjetër që lidhet me kafshët”, thotë ajo.
Gjatë ditës, Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, ka uruar besimtarët për festën. “Festa e Krishtlindjes është moment hareje dhe gëzimi, por njëkohësisht edhe dëshmi se Zoti ka hyrë në historinë njerëzore dhe na shoqëron në udhëtimin tonë jetësor kah amshimi”, ka thënë ai.