E Diel, 1 Nëntor 2026

Rregulla të reja për licencimin në ndërtim, rriten kërkesat për inxhinierët, arkitektët dhe studiot projektuese

Kriteret për licencimin e profesionistëve dhe subjekteve në fushën e projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të punimeve të ndërtimit kanë pësuar ndryshime. Të dhënat e publikuara në Fletoren Zyrtare vendosin standarde të reja për individët dhe personat juridikë që operojnë në këtë sektor jetik, duke i klasifikuar ata në bazë të arsimimit akademik dhe viteve të përvojës në terren.

Rregullorja e re prek një spektër të gjerë të inxhinierisë, duke nisur nga ndërtimet civile dhe infrastruktura rrugore, e deri te studimet sizmologjike, impiantet energjetike dhe menaxhimi i mbetjeve urbane.

Edukimi dhe vitet e përvojës sipas kategorive

Për të marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit, inxhinierët dhe arkitektët duhet të plotësojnë kushte specifike që variojnë sipas rrezikshmërisë dhe kompleksitetit të veprës. Përvoja e kërkuar profesionale nis nga 3 vjet për kategoritë bazë (si topografia dhe gjeodezia) dhe arrin deri në 15 vjet për punimet e inxhinierisë komplekse apo drejtimin teknik të studiove.

Diploma e nivelit “Master Shkencor” ose “Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë” është kushti themelor për shumicën e profileve, përfshirë inxhinierinë e ndërtimit (strukturist, gjeoteknik, hidroteknik), atë elektrike, elektronike, mjedisore dhe mekanike.

Disa kategori me impakt të lartë publik, si ndërtimi i impianteve të trajtimit të ujërave të zeza, vend-depozitimet e mbetjeve apo studimet e thelluara sizmologjike, u rezervohen ekskluzivisht personave juridikë (studiove/shoqërive), të cilat duhet të kenë patjetër në stafin e tyre drejtues teknikë të profilizuar dhe me përvojë të gjatë.

Pastërtia penale dhe konflikti i interesit

Një risi e theksuar në këtë dokument zyrtar është shtrëngimi i rregullave etike dhe administrative përmes “Vetëdeklarimeve” (Shtojca 6). Çdo profesionist apo shoqëri që kërkon të licencohet, mban përgjegjësi të plotë ligjore për vërtetësinë e të dhënave, duke garantuar pastërtinë penale dhe mungesën e penalizimeve nga Inspektorati i Ndërtimit.

“Deklaroj se nuk kam asnjë çështje gjyqësore të hapur dhe nuk jam në ndjekje penale nga organet e prokurorisë në lidhje me profesionin.. Nuk kam asnjë penalizim nga strukturat shtetërore të ngarkuara për inspektimin ndërtimor e urbanistik.”, citohet pjesë nga Formulari i Vetëdeklarimit.

Gjithashtu, ligji godet drejtpërdrejt konfliktin e interesit dhe mbivendosjen e detyrave. Profesionistët duhet të deklarojnë se nuk janë të angazhuar me kohë të plotë në një punëmarrje tjetër.

Për ata që ushtrojnë veprimtari me kohë të pjesshme, vihet një vizë e kuqe e qartë: ata nuk mund të kryejnë detyra mbikëqyrjeje apo kolaudimi për të njëjtat ndërtime ku studioja e tyre ka bërë projektimin apo zbatimin. Për më tepër, ndalohet rreptësisht marrëdhënia e punës me institucionet shtetërore qendrore apo të pavarura për individët që kërkojnë të ushtrojnë aktivitet privat si drejtues teknikë, duke shmangur çdo formë abuzimi me detyrën publike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›