E Diel, 1 Nëntor 2026

Seancë e tensionuar në Senat, Hegseth kërkon 87.6 miliardë dollarë për luftën në Iran mes protestave dhe kritikave

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, është përballur me një seancë dëgjimore të trazuar dhe plot tensione përpara Komitetit të Buxhetit të Senatit. Gjatë dëshmisë së tij për të mbrojtur paketën shtesë prej 87.6 miliardë dollarësh të kërkuar nga administrata e Presidentit Donald Trump për financimin e luftës në Iran, Hegseth u përball me kritika të ashpra nga senatorët si dhe me ndërprerje të njëpasnjëshme nga protestuesit në sallë.

Seanca nxori në pah mospajtueshmëritë e thella mbi koston ekonomike të konfliktit ushtarak, si dhe shqetësimet për politikat e reja drejtuese brenda Departamentit të Mbrojtjes.

Kritikat e senatorëve, ekonomia dhe mënjanimi i grave në ushtri

Kryetarja e komisionit, senatorja republikane Susan Collins, e hap seancën duke ngritur shqetësime mbi raportimet se gratë dhe ushtarakët me ngjyrë po lihen mënjanë ose po shkarkohen në mënyrë disproprocionale nën drejtimin e Hegseth.

“Kjo ka të ngjarë të dekurajojë gratë dhe individët me ngjyrë të kualifikuar që të bashkohen me forcat tona të armatura.” tha Susan Collins, Senatore Republikane (Maine).

Nga ana tjetër, senatorja me rang të lartë demokrat Patty Murray vuri theksin te mungesa e mbështetjes popullore për luftën dhe goditja që po i jepet ekonomisë amerikane.

Murray nënvizoi se luftimeve nuk po u shihet fundi, ndërsa çmimet e benzinës vazhdojnë të rriten dhe rritja ekonomike po ngadalësohet.

Ndërprerjet e protestuesve dhe argumentet e Hegseth

Fjalimi i Sekretarit të Mbrojtjes u ndërpre katër herë nga protestuesit brenda sallës, të cilët thërrisnin kundër luftimeve përpara se të shoqëroheshin jashtë nga Policia e Kapitolit.

“Ndalo bombardimin e fëmijëve tanë, ndalo bombardimin e Palestinës, kjo është e paligjshme!”, ishin thirrjet e një protestuesi në sallën e seancës

Pavarësisht kaosit, Hegseth këmbënguli në “urgjencën” e kalimit të paketës buxhetore, duke paralajmëruar se pa këto fonde ushtria amerikane rrezikon të përballet me mungesa kritike.

“Duhet të përgatitemi për luftë që të ruajmë paqen. Pa këto fonde, ne përballemi me mungesa kritike që kërcënojnë aftësinë tonë për të paguar thjesht anëtarët e shërbimit tonë, për të rimbushur me shpejtësi pajisjet dhe municionet dhe për të mbështetur operacione jetësore.”, tha Pete Hegseth, Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së

Hegseth e mbylli fjalën e tij duke akuzuar administratën e mëparshme të Bidenit për lënien e një “katastrofe” në menaxhimin e buxhetit të mbrojtjes, duke theksuar se investimet e reja janë të nevojshme për të parandaluar që kundërshtarët gjeopolitikë të tejkalojnë SHBA-në.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›