Rregulla të reja për të vetëpunësuarit, Tatimet sqarojnë kriteret e klasifikimit të të ardhurave

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Administrata Tatimore informoi tatimpaguesit mbi zbatimin e ndryshimeve të fundit në udhëzimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke përcaktuar rregulla të reja për klasifikimin e të ardhurave të realizuara nga personat fizikë të vetëpunësuar, sipas nenit 12, germa “ç”, i njohur edhe si “neni antishmangie”
Sipas njoftimit, këto ndryshime synojnë të adresojnë situatat e evidentuara gjatë vitit 2025, kur të ardhurat e individëve të vetëpunësuar janë trajtuar si të ardhura nga punësimi, veçanërisht në rastet kur një pjesë dërrmuese e tyre sigurohet nga një numër shumë i kufizuar klientësh. Konkretisht, bëhet fjalë për raste kur 80% ose më shumë e të ardhurave realizohen nga një klient i vetëm, ose kur 90% ose më shumë e të ardhurave sigurohen nga më pak se tre klientë.
Megjithatë, Administrata Tatimore sqaron se, nëse nga analiza e marrëdhënies ekonomike rezulton se aktiviteti nuk ka natyrë punësimi, por përmbush kriteret e vetëpunësimit, atëherë këto të ardhura mund të deklarohen si të ardhura nga biznesi, në përputhje me përjashtimin e parashikuar në ligj.
Për të përfituar nga ky përjashtim, personat fizikë të vetëpunësuar duhet që, krahas dorëzimit të Deklaratës së të Ardhurave nga Veprimtaria e Personit Fizik për vitin tatimor 2025, të paraqesin edhe Deklaratën e Statusit të të Vetëpunësuarit.
Kjo deklaratë funksionon si një vetëdeklarim, përmes të cilit tatimpaguesi duhet të japë informacion të saktë dhe të plotë mbi mënyrën e ushtrimit të aktivitetit, duke përfshirë shkallën e pavarësisë, autonominë në vendimmarrje, organizimin e punës, rrezikun ekonomik të marrë përsipër, si dhe marrëdhënien reale me klientët.
“Kjo deklaratë është vetëdeklarim, ndaj tatimpaguesi ka detyrimin ta plotësojë me saktësi dhe me informacion të vërtetë, duke përfshirë elemente që lidhen me: nivelin e pavarësisë në ushtrimin e veprimtarisë; autonominë në vendimmarrje dhe organizimin e punës;
rrezikun ekonomik të marrë përsipër; marrëdhënien reale me klientët apo porositësit;
çdo element tjetër që përcakton natyrën e vërtetë të aktivitetit”, bën të ditur DPT.
Administrata Tatimore thekson se kjo deklaratë do të shërbejë si një instrument vlerësimi për të verifikuar nëse aktiviteti i individit përmbush kushtet e vetëpunësimit dhe nuk përbën një rast të shmangies tatimore.
Në çdo rast, institucioni rezervon të drejtën për të kontrolluar informacionin e deklaruar dhe, nëse konstatohen pasaktësi apo të dhëna të pavërteta, mund të kryejë rivlerësim të detyrimeve tatimore dhe të aplikojë penalitetet përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.
Dorëzimi i kësaj deklarate kryhet në mënyrë elektronike, sipas formatit të miratuar, ndërsa Administrata Tatimore apelon për plotësimin e saktë dhe të plotë të dokumentacionit, në mënyrë që të garantohet trajtim i drejtë tatimor dhe të shmangen pasoja administrative të panevojshme.
Shembujt e udhëzimit
Shembulli 1
Një individ i vetëpunësuar, i regjistruar me aktivitet “Shërbime për shfaqje artistike”, gjatë vitit tatimor 2025 realizon të ardhura bruto në shumën 3.500.000 lekë. Nga këto të ardhura, 2.900.000 lekë, ose rreth 83% e totalit, realizohen nga një klient i vetëm rezident tatimor në Republikën e Shqipërisë, ndërsa pjesa tjetër e të ardhurave realizohet nga dy klientë të tjerë të ndryshëm. Referuar shkronjës “ç”, pika 1, e nenit 12 të ligjit, ky individ do të plotësonte kriterin për t’u trajtuar si e ardhur nga punësimi për qëllime tatimore. Megjithatë, individi i vetëpunësuar, duke vlerësuar rrethanat konkrete të marrëdhënies ekonomike me klientin, dorëzon pranë drejtorisë tatimore rajonale Deklaratën e Statusit të Vetëpunësuarit, në të cilën vetëdeklaron se nuk ndodhet në kushtet e të ardhurave nga punësimi. Deklarata dorëzohet brenda muajit mars, së bashku me Deklaratën Vjetore të Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi. Në këtë rast, deri në një vlerësim të kundërt nga administrata tatimore, të ardhurat e individit të vetëpunësuar trajtohen si të ardhura nga biznesi, dhe individi plotëson rubrikat përkatëse të të ardhurave nga biznesi në Deklaratën Tatimore Vjetore të Tatimit mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi. Administrata tatimore, në ushtrim të kompetencave të saj në zbatim të ligjit për procedurat tatimore, përdor Deklaratën e Statusit të Vetëpunësuarit si mjet vlerësimi për verifikimin e mëtejshëm për të përcaktuar nëse ky tatimpagues është apo jo në kushtet e shmangies tatimore.
Shembulli 2
Një doktor me iniciale “A.N.” është i vetëpunësuar, ka një kontratë shërbimi me një spital dhe përfiton të ardhura vjetore prej 200.000 lekësh, sipas faturimit që kryen kundrejt spitalit. Gjatë ushtrimit të detyrës ai përdor pajisjet e spitalit (aparatura, sallat, zyrat, materialet mjekësore) pa investuar vetë. Pacientët që mjekon i siguron spitali, nuk i sjell ai vetë. Ai e ushtron detyrën në orarin e përcaktuar nga spitali. Spitali mbikëqyr punën e tij dhe vendos rregullat që ai duhet të ndjekë gjatë ushtrimit të detyrës sipas rregulloreve të spitalit. Pra, pavarësisht se doktori “A.N.” sillet si një vetëpunësuar, në fakt sjellja e tij është e njëjtë me atë të një të punësuari pasi ai është i varur nga spitali për punën dhe mjetet, ai nuk mbart risk financiar, prandaj për qëllime tatimore ai do të trajtohet si punonjës i spitalit.
Shembulli 3
Një kuzhinier me iniciale “B.C.” ushtron profesionin si i vetëpunësuar në restorantin “Z” dhe nuk mund ta delegojë apo zëvendësojë me dikë tjetër veten e tij. Restoranti ku ai punon, ka investuar mbi të gjitha pajisjet e kuzhinës dhe furnizon të gjitha materialet që i duhen kuzhinierit “B.C.” për të kryer punën e tij. Gjithashtu, restoranti ka përcaktuar dhe orarin dhe ditët e punës të kuzhinierit “B.C.” Ai paguhet me pagë fikse mujore 250,000 lekë pavarësisht qarkullimit që kryhet në restorant, sipas kontratës që ka me restorantin. Pra, kuzhinieri “B.C.” në këtë rast është një punonjës i restorantit, pavarësisht sjelljes së tij si i vetëpunësuar, për arsye se sjellja e tij është e njëjtë me atë të një punonjësi, ai nuk mbart risk dhe puna e tij kontrollohet tërësisht nga restoranti.
Shembulli 4
Personi i vetëpunësuar me iniciale “E.D.” është një shkrimtar. Ai përdor mjetet e veta (kompjuter, printer etj.) për shkrimet e tij. Punën ai e kryen në ambientet e shtëpisë së tij dhe orarin e punës e ka të papërcaktuar. Shkrimet e tij mund të jenë në forma të ndryshme (si libër apo artikuj të ndryshëm). Për çdo shkrim të tij, ai merr pagesën përkatëse, sipas marrëveshjes që bën me shtëpinë botuese apo redaksinë që ai zgjedh vetë. Ky shkrimtar në këtë rast është kontraktor i pavarur, për arsye se e gjithë puna bazohet në krijimtarinë e tij të pavarur dhe nuk kontrollohet apo drejtohet nga një shtëpi botuese apo redaksi, dhe në këtë mënyrë është ai që mbart dhe riskun e të ardhurave të tij
Shembulli 5
Arditi, një hidraulik me përvojë, ka rënë dakord me një kompani për të kryer shërbime me kohë të plotë në kantieret e ndërtimit si i vetëpunësuar. Ai përdor mjetet e tij personale dhe kryen punën sipas rendit dhe specifikimeve të përcaktuara nga kompania. Kompania furnizon të gjitha materialet, kryen inspektime të shpeshta të punës së tij, e paguan atë sipas sasisë së punës së kryer. Arditi nuk ka një vendndodhje biznesi dhe nuk kërkon të ofrojë shërbime të ngjashme për palë të tjera. Të dyja palët mund ta ndërpresin marrëdhënien në çdo kohë.
Arditi në këtë rast është qartësisht një punonjës i kompanisë, pasi e gjithë puna e tij drejtohet nga kompania, ai nuk mbart risk financiar. Pavarësisht se ai përdor mjetet e tij personale në kryerjen e punës dhe faturon kompaninë për çdo shërbim të tij, është kompania ajo që i siguron atij punën, kontrollon cilësinë e saj, furnizon Arditin me të gjitha materialet e nevojshme dhe është e vetmja kompani me të cilën Arditi operon.
/r.e/