E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreh të shoqen dhe plagos vëllain e saj

Gazeta Shqip

Shkodër

Arrestimi

Kishte shkuar për të mbrojtur të motrën nga bashkëshorti, ka përfunduar me disa goditje thike nga dhëndri. Ngjarja në fjalë ka ndodhur dje pasdite në lagjen Skënderbeg të qytetit të Shkodrës, ku shtetasi me iniciale P. J. ka shkuar te banesa e motrës së tij, pasi ajo, pavarësisht se kishte pak kohë e martuar, kishte mosmarrëveshje me të shoqin. Pasi është futur në banesë tek e motra, kjo e fundit është ankuar tek i vëllai se bashkëshorti e keqtrajtonte. Kaq ka mjaftuar që mes kunatit dhe dhëndrit të fillojë një sherr, që ka përfunduar në përleshje fizike. Më pas, Marketin Zoza, 28 vjeç, ka goditur disa herë me thikë vëllain e gruas së tij, duke e lënë të plagosur rëndë. Pak minuta pas ngjarjes ka mbërritur policia, e cila ka arrestuar agresorin. Ndaj të arrestuarit është ngritur akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Policia, pas arrestimit të autorit, ka marrë në pyetje dëshmitaren e ngjarjes, që është motra e të dëmtuarit dhe bashkëshortja e autorit. Ajo ka rrëfyer motivin e konfliktit, duke mbrojtur vëllain e saj. A. H.

Rreh të shoqen dhe plagos vëllain e saj burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›