E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrënimi i “Vëllazërim-Bashkimit”

Sheshi “Adem Jashari” Simboli më i madh i komunizmit në Prishtinë, ai i “Vëllazërim-Bashkimit”, duket se i ka ditët e numëruara.

Tri shtyllat e gjata prej betoni që ndodhen prapa Kuvendit të Kosovës, do të zëvendësohen me një shtatore të madhe të Adem Jasharit.

Kjo shtatore pritet që për fqinj të parë ta ketë atë të Ibrahim Rugovës, që besohet se do të ngrihet në vendin ku sot është grumbulli me dhe nga krejt çfarë ka mbetur nga ish-Hotel “Unioni”.

Në këtë mënyrë, sipas projektit të Komunës, statuja në formë trekëndëshi, e ndërtuar në vitin 1970, ka mundësi që shumë shpejt të zhduket nga aty.

Edhe pse simbol i komunizmit, duket se ky trekëndësh i ka bashkuar pozitë dhe opozitë në Kuvendin Komunal. Të gjithë janë pajtuar se nga aty duhet të hiqet ky simbol.

Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se ky objekt do të largohet sapo Komuna të fillojë ndërtimin e shesheve që janë planifikuar.

“Aty do të fillojnë punët në rregullimin e një nënkalimi si dhe parkingu nëntokësor. Sapo të fillojnë këto punime, kuptohet që do të pasojë edhe largimi i objekteve ekzistuese mbi tokë, të cilat janë pengesë”, shpjegon Gashi për Express.

Sipas tij, trekëndëshin në të ardhmen do ta zëvendësojë sheshi “Adem Jashari” në qendër të të cilit, sipas projektit që ka siguruar Expressi, do të vendoset shtatorja e tij.

“Ky shesh do të lidhet me sheshin ‘IbrahimRugova’ dhe me sheshet ‘NënaTereze’ e ‘Zahir Pajaziti’, ka thënë Gashi.

Për këtë vendim të Komunës, si rrallëherë, duket se edhe opozita është pajtuar.

Shemsi Veseli, shef i Grupit parlamentar në Komunën e Prishtinës, nga radhët e PDK-së, thotë se sapo Komuna ka paraqitur projektin për heqjen e trekëndëshit, për të ndërtuar një shesh, ai dhe grupi i tij parlamentar janë pajtuar.

“Jemi për largimin e tij, sepse ajo ka qenë një pjellë artificiale në momentin e caktuar për motive politike dhe fundja nuk ka ndonjë vlerë të madhe arkitektonike dhe historike”, thekson Veseli për Express. Për të, kjo përmendore në këtë rast, është vetëm një pengesë për realizimin e projektit.

Edhe Haxhi Mehmetaj, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës, thotë se simbolin e Vëllazërim – Bashkimit, nuk e do më askush.

Sipas tij, ky objekt kurrë nuk ka qenë monument i shpallur si trashëgimi kulturore dhe nuk ka asnjë pikë vlere historike.

“Është vetëm një monument politik, i kohës së Vëllazërim-Bashkimit në ish-socializëm. Madje, edhe ata që e kanë ndërtuar, nuk e duan më”, thekson i bindur Mehmetaj për Express. Ai vlerëson se Komuna është e lirë nga të gjithë që këtë monument ta heqë kur të dojë, pa pengesën e askujt.

Por jo të gjithë pajtohen për mënyrën e marrjes së vendimeve nga ana e Komunës së Prishtinës. Valdet Osmani, udhëheqës i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, ka disa kritika.

Sipas tij, për këtë çështje duhet të merren edhe vlerësime të profesionistëve të kësaj fushe.

“Çdo vendim duhet të jetë i hapur për diskutim publik, përderisa edhe sheshi që do të ndërtohet aty është publik. Pastaj duhet edhe të flasin me ekspertë që të marrin edhe vlerësimin e tyre se a ka ndonjë vlerë ai monument apo jo”, shpjegon Osmani për Express.

Sidoqoftë, edhe gjatë fushatës së fundit parazgjedhore, kryetari i Komunës, Isa Mustafa, pati premtuar se do t`i ndërtojë tri sheshe, duke përfshirë përfundimin e punimeve të filluara në Sheshin “Nëna Tereze”, pastaj punimin në Sheshin “Skënderbeu”, Sheshin “Ibrahim Rugova” dhe Sheshin “Adem Jashari”, projektet e të cilave janë bërë, por ndërtimet akoma nuk kanë filluar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›