E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshen, jo thjesht një rrugë e brendshme moderne

Turistët e huaj: Rrësheni, perla mjedisore shqiptare

Nga Aleksandër Ndoja

nje lulishtePadyshim Rrësheni, qyteti i vogël verilindor, paraqet një nga vendbanimet më interesante urbane të vendit, ku pos oksigjenit të pastër (matjet mjedisore e nxjerrin me te pastrin ne vend), ka dhe një konfigurim interesant sa i përket vendvendosjes. Me pozicionin e tij, anash lumit Fan i Vogël dhe jo fort larg nga Fani i Madh, si dhe i shtrirë në mes dy përrenjve që vijnë nga malet qarkuese të tij, ka marr trajtën e një qendre urbane të lakmueshme për syrin e çdo vizitori të vendit apo të huaj. Pjerrësia e vogël nga fillimi në fund të tij, ndihmon në shpëlarjen natyrale, pos faktit që bashkia i kushton kujdes të përditshëm me pastrimin dhe freskimin e mjediseve në gjithë hapësirën e tij.
Rrësheni, me 64 vite histori të tij, dikur është quajtur qyteti i busteve dhe lulishteve, tashmë kur bustet kanë mbetur pa piedestal, janë këto të dytat që e vënë në vëmendje të kujtdo banon apo kalon për vizitë këndej.

Të huajt: Rrësheni, perla mjedisore shqiptare
Turistë gjermanë, austriakë, italianë ardhur në këto anë ditëve të fundit, nuk kanë lënë pjesë të qytetit pa vizituar. Ndoshta për të parë shtrirjen e gjelbërimit, pasi në shumë qytete fokusohet në pjesën qendrore të saj. Në fund nuk kanë munguar që qytetin Rrëshen ta pagëzojnë me emërtimin perla mjedisore shqiptare.
Si asnjë herë tjetër, bashkia Rrëshen nën drejtimin e kryetarit të saj Ndue Gega, i ka dhënë rëndësi mbajtjes në kondicion sa më të  lartë të parametrave mjedisorë të qytetit. Duke filluar me një perimetër goxha të largët të tij, që nga bujtina e përjetshme, siç janë varrezat, unazat respektive në dy hyrjet kryesore veri-jug, gjithkund janë bërë mbjellje pemësh gjithëstinore, barë dhe shkurrishte, dhe më pas në qytet, me lulishte si në pikat kyçe të qytetit, sheshin kryesor, afër institucioneve, në mes të pallateve e gjetkë. Kësisoj për metër katrorë dhe për njësi popullsie, Rrësheni, statistikohet qyteti më i gjelbëruar i vendit. Gjelbërimi brenda qytetit vjen në harmoni të plotë me kurorën natyrale të tij me pyjet dushkore të Kulmes apo kodrinat e tjera e deri në shtrirjet lumore.

rruga me e funditInfrastruktura e brendshme dhe një rrugë që prodhoi debat
Por krahas saj, me mundësitë e veta financiare dhe me donacione të vogla, por të mirëmenaxhuara, është ndërhyrë në rrjetin rrugor të brendshëm, duke sjellë një standard të ri si në trotuare, rrugica në mes pallateve, konfigurimet e lulishteve etj.
E ndërkohë projekti më i ri i bashkisë lidhet më rrugën e re, dendurisht më e frekuntueshme në mes të qytetit nga Posta në kryqëzimin e tregut dhe lidhjes me rrugën e re Rrëshen-Klos të Matit, ka sjellë një model të ri rrugor, të standardit perëndimor. E ndërtuar me dy korsi, me ndarëse të gjelbëruar, arreduar dhe me drita e aksesorë të tjerë modernë, si dhe e përshtatur për gjithë targete e qytetarëve, për të moshuar, invalidë etj, kjo rrugë hap dhe një kapitull të ri urban për këtë qytet. Projektet e bashkisë janë për të bërë ndërhyrje të tilla cilësore si dhe për të shkuar dhe drejt rrugëve pedonale në ndonjë zonë të qytetit.

Por habitshëm që me nisjen e punimeve në të këtë rrugë, segmente të ndryshme sidomos të politikës penguese, nisën një fushatë denigruese për ndërtimin e kësaj rruge. Ndonjë media e blerë me 10 litra naftë nuk heziton të mbajë mikrofonin para pushtetarëve parazitë, që qajnë me lot krokodili për disa pisha të rrënuara nga vitet, të kthyera në një rrezik evident për banorët sidomos gjatë muajve të dimrit. Kudo janë fiksuar pamje kur bora ka hedhur në tokë shumë prej tyre, duke rrëzuar përdhe edhe rrjetin elektrik, çka në shumë raste janë rrezikuar edhe jetë njerëzish. Ndërkohë kishin mbetur si trofe lufte vetëm 4-5 pisha edhe ato të rrjepura nga thyerja e degëve, ndërkohë që rrënjët e tyre dëmtonin seriozisht trotuarin dhe asfaltin e rrugës duke e ngritur atë lart. Në se u hoqën katër ose pesë pisha të degraduara, pikërisht në këtë rrugë u mbollën 26 pemë të llojit blirë, të cilat në një hark kohor të shkurtër do të mbushin më freski edhe atë pjesë të qytetit, ndërkohë që pjesë të tjera të të tij janë plotësisht nën gjelbërim masiv. Vetëm ata që nuk dinë çfarë është historia e një qyteti, deklarojë se pishat ishin me një moshë 40 vjeçare sa mosha e vetë qytetit, ndërkohë që Bashkia Rrëshen për herë të para ka festuar 63 vjetorin e krijimit të qytetit, dhe po merr masa për festimin me madhështi të 65 vjetorit të Rrëshenit.
E gjithë kjo punë bëhet nën presionin e fortë të qeverisë që po lëmë pas, aq sa dhe kryebashkiaku Gega, thotë, se edhe pse nuk patëm asnjë financim nga qeveria për dy vite, nuk rreshtëm së punuari me fondet tona të pakta, por që kanë dhënë impakt në qytet. Tashmë me ardhjen e qeverisë së re, jemi të bindur se do kemi projekte të tjera serioze, që do ta bëjnë Rrëshenin një qytet tepër të bukur dhe kreativ për banorët e vet dhe vizitorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›