E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet, të paktën 117 të vdekur në Brazil

Numri i të vdekurve nga rrëshqitjet e dheut dhe përmbytjet në qytetin e epokës koloniale të Brazilit, Petropolis, u rrit në 117 të enjten dhe pritej të rritet më tej, ndërsa rajoni po kalon nga shirat më të dendur në pothuajse një shekull.

Reshjet e dendura pasdite, kur qyteti regjistroi rreth 6 cm (2,36 inç) shi, shkaktuan edhe më shumë paqëndrueshmëri të tokës dhe ndërprenë përpjekjet për të gjetur të mbijetuar dhe për të pastruar mbeturinat. Sipas meteorologëve gjatë natës në rajon priten deri në 4 cm reshje shiu.

“Këtu janë të paktën gjashtë fëmijë dhe mund të ketë më shumë nga fqinjët,” tha Fabio Alves, një banor, i cili vuri në dukje se shpëtimtarët nuk po kërkonin atë zonë. “Ne po vlerësojmë më shumë se 10 persona të varrosur këtu dhe kemi nevojë për ndihmë,” tha ai.

Më shumë se 700 njerëzve iu desh të linin shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin në shkollat ​​lokale dhe akomodime të tjera të improvizuara. Guvernatori i Rio de Zhaneiros, Claudio Castro, të mërkurën e krahasoi dëmin me një zonë lufte.

“Unë jam këtu duke shpresuar të gjej gruan time. Jam i sigurt që ajo është këtu. Fqinja në katin e poshtëm tha se ishte në ballkon kur ra rrëshqitja e dheut,” tha Marcelo Barbosa, një tjetër banor.

Ka informacione kontradiktore për numrin e viktimave të tragjedisë. Policia tha se më shumë se 100 persona janë të zhdukur ndërsa zyra e prokurorit tha se të paktën 35 persona janë të zhdukur.

Gjatë ditës, morgu lokal u detyrua të përdorte një kamion frigoriferik si një rezervë pasi po silleshin më shumë viktima ndërsa trupat e tjerë ende prisnin të identifikoheshin nga familjet e tyre.

Kreu i mbrojtjes civile të Rio de Janeiro, Leandro Monteiro, punoi gjatë natës, me ndriçim të dobët në tokë të lagur për të gjetur të mbijetuarit. Ai është në mesin e më shumë se 500 punonjësve të shpëtimit, së bashku me fqinjët dhe të afërmit e viktimave që janë ende në kërkim të njerëzve të dashur./Reuters

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›