Rrethimi demokratik
Ka njerëz që mendojnë se Sali Berisha nuk pyet për sirenat e alarmit që lëshojnë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar apo raporte ndërkombëtare për gjendjen e vajtueshme të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe është i gatshëm të djegë sërish vendin në funksion të fronit të tij. Të tjerë, mbrojnë pikëpamjen se ai është personi më pak i interesuar për rrugëtimin Europian të Shqipërisë, pasi interesat pasurore të familjes së tij nuk përkojnë me ato të vendit në rrugën e zhvillimit. Sipas tyre, ai nuk ka nevojë për këshillat e çmuara të partnerëve ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në rrugën e vështirë të demokratizimit, si për shembull Ashton, Fule, Lajcak, Countryman apo Stonestreet, por, për skllevër të lumtur apo vasalë në kllapi të tipit Sashenka, Tom, Meriban, Petraq apo Ristan.
Hyrja e LSI-së në këtë koalicion qeveritar pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2009, ndonëse u propagandua në funksion të stabilitetit të vendit, e për pasojë integrimit Europian, në fakt, ka prodhuar më shumë korrupsion, kontroll dhe komandim ndaj të gjitha institucioneve kushtetuese, keqpërdorim të administratës publike, papërgjegjshmëri me administrimin e financat publike dhe pasurive natyrore të atdheut tonë të përbashkët. Nëse para dy vitesh dikush mund të hamendësonte se LSI do të shërbente si valvul demokratike për të kontrolluar epshet për pushtet të Sali Berishës, sot nuk ka as më të voglin iluzion se ajo është kthyer në një prej binarëve të çatisë së qeverisjes së korruptuar të Sali Berishës.
Falë këtij degradimi politik, por mbi të gjitha moral, sot përballemi me një model që karakterizohet në thelb nga dhunimi i vullnetit popullor, shpërdorimi i parave publike, kthimi i Kuvendit si në një organ ratifikues ndaj vendimeve autokratike të qeverisë, rrënimi i institucioneve kushtetuese, ofrimi si model karriere i mëkatarëve të ligjit dhe çimentimi i kulturës së pandëshkueshmërisë, kërpudhizimi i kompanive dhe sipërmarrësve që sigurojnë të ardhura vetëm nga fonde publike. Shkurt, një qeverisje që bazohet në vendimmarrjen dhe ushtrimin diskrecionar të autoritet në shërbim vetëm të një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin.
Shqipëria anëtare e NATO-s është larg së qeni një demokraci e atlantikut verior ku zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme. Shqipëria, aspirante për të qenë pjesë e familjes Europiane, është e paaftë të dëshmojë se ka filluar procesin e Sanaderizimit të jetës publike, për sa kohë në vend të përballjes me drejtësinë, për skandalet e njëpasnjëshme të korrupsionit, të gjithë zyrtarët e lartë janë promovuar. Megjithëse ka përfituar në vite ndihmë financiare dhe teknike nga partnerët ndërkombëtarë, Shqipëria vuan pasojat e mobilizimi partiak e klientelist të administratës publike e shërbimit diplomatik. Mjafton ti hedhësh një sy titujve të gazetave që në të shumtën e rasteve janë identike dhe të porositura nga pushteti për të kuptuar trysninë e madhe ndaj tyre.
Megjithatë, ka disa tregues paraprakë në këtë stinë verore post-zgjedhore që na ofrojnë një pamje më shpresëdhënëse e që duhet të na bëjë ta shohim me realizëm të ardhmen. Qëndrimi i përbashkët i dy prej zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian, Ashton-Fule dhe mbështetja e menjëhershme amerikane për këtë qëndrim, ku nënvizohej pa ekuivok vlerësimi politik se zgjedhjet në Tiranë ishin jo të mira është shenja më rrëfimtare se partnerët ndërkombëtarë nuk kanë ndër mend të tolerojnë atë që një diplomat perëndimor me urtësi e ka konsideruar si vjedhje e mandatit të kryetarit të bashkisë së Tiranës ditën për diell.
Në rast se BE-ja dhe SHBA-ja polikisht ngelën në klasë qeverinë e Sali Berishës për ndërhyrjet e saj në zgjedhjet e 8 Majit, raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR bën një vlerësim të detajuar e teknik të të gjithë procesit, duke nënvizuar jo vetëm parregullsitë, por edhe rrugën sesi duhen riparuar ato. Ky reaksion zinxhir pritet të shtjellohet më tej edhe në raportin e progresit të Komisionit Europian që do të publikohet në vjeshtë, ku BE-ja pritet gjithashtu të mbajë një qëndrim të prerë në lidhje me përmbushjen e 12 përparësive të identifikuara nga vetë Komisioni Europian, kur dihet se zgjedhjet e lira e të ndershme përbëjnë zemrën e kriterit politik të Kopenhagenit.
Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR thekson se ndryshimi i vullnetit të zgjedhësve për Tiranën, nuk bazohet në ligj, por në vendime kontradiktore, të pambështetura në ligj e jurisprudencë dhe të motivuara politikisht të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor. Ndaj, sugjeron riformatimin rrënjësor të institucioneve të administrimit zgjedhor në Shqipëri si KQZ dhe Kolegj Zgjedhor, të cilat kanë humbur pavarësinë dhe besueshmërinë duke u kthyer në vegla qorre të pushtetit.
Në një gjuhë të ngjashme që gjendet vetëm në raportet e përpiluara nga OSBE-ODIHR për vendet që mbarojnë me stan (Uzbekistan, Kazakistan, Turkmenistan, Kirgistan, Taxhikistan) apo në raportin e zgjedhjeve parlamentare të manipuluara të 1996 në Shqipëri, pasojat e së cilës vuajmë ende sot, në asnjë paragraf të tij, raporti nuk i klasifikon këto zgjedhje si të lira e të ndershme, e as në përmbushje të standardeve ndërkombëtare. Madje, as si një gjysmë hapi apo hap para, sikurse ka dëshmuar praktika e tranzicionit shqiptar në të shkuarën.
Përkundrazi, raporti konstaton pak a shumë të njëjtat shqetësime të ngritura nga përfaqësues të opozitës apo medias, në lidhje me mospërputhjet, shtesat e dublimet në listat e zgjedhësve; votimin familjar, presionin e ushtruar ndaj administratës dhe punonjësve buxhetorë; dhe se procesi i votimit ishte i parregullt dhe në shkelje të ligjit në më shumë se 10% të qendrave të votimit.
I gjendur përballë këtij rrethimi demokratik që sa vjen e intensifikohet, pasojat e të cilit ndjehen para së gjithash në qëndrimin në vendnumëro të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit Europian, Sali Berisha nuk nguroi të kacavirrej pas shprehjes së raportit se zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, duke harruar se që prej vitit 1991 në Shqipëri organizohen zgjedhje konkurruese me shumë kandidatë, parti e koalicione zgjedhore. Me shpejtësi marramendëse ai u angazhua për kinse reformën e radhës, pa marrë përsipër përgjegjësitë për gjendjen e mjerueshme ku e ka zhytur vendin, si pasojë e grabitjes së mandatit të kryebashkiakut të Tiranës, para miliona syve në transparencë të plotë. Në të njëjtën kohë, kokëfortësish tregoi se nuk është i interesuar as për një jetë institucionale të shëndetshme, e as për statusin e vendit kandidat në BE, po për tërheqjen e opozitës dhe opinionit publik në grackën e një debati shterp rreth frazave të ndryshme të raportit, ani pse e di mirë që ky është një prej momenteve më fshikulluese ndaj qeverisjes së tij tanimë të kalbur e pa legjitimitet.
Është e qartë se për Sali Berishën zgjedhjet nuk duhet të ofrojnë një mundësi zgjedhjeje popullore, por vetëm një shans për të ratifikuar zgjedhjen e diktuar prej interesave të familjes së tij. Ndaj, si përfaqësues të opozitës ne kemi detyrimin historik që të vendosim në axhendën parësore të vendit çështjet dhe reformat e domosdoshme, në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare, pa humbur fokusin ndaj çështjeve gjithaq të rëndësishme që prekin jetën e çdo qytetari të zakonshëm të këtij vendi. Sigurisht, i gjithë ky proces do të duhet të ndodh në partneritet me Komisionin e Venecias dhe OSBE-ODIHR e nën mbikëqyrjen e garantuar të partnerëve ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të krijojmë një rrethim demokratik të efektshëm për të çliruar vendin dhe hapur rrugën e integrimit Europian.
SHQIP
