E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turistët mes mbeturinave

Nga Artan Mullaj

Disa kohë më parë, duke u larguar nga vendi ynë, ish-zv/ambasadorja e Hollandës (emri i saj nuk më kujtohet), tha diçka për pisllëkun, që në ndërgjegjen time ka mbetur e depozituar pak a shumë kështu: Territori juaj zonja dhe zotërinj,të kujton amvisen me duart në brumë,që fshin hundët me mëngë dhe ka thonjtë e paprerë!

Atëherë kryeministri, Mediu, dhe ndonjë zë i mefshtë qeveritari qyrash,  qe me zor arrin deri në media, thanë se, po, kanë të drejtë të huajt që ankohen për ne. Na mbytën plehrat! Duhen pastruar, o njerëz!  Të njëjtën gjë Sali Berisha e tha mbas një bisede me një vizitore angleze të huaj, pasi edhe kjo i ishte ankuar: Mister Brisha, keni natyrë fantastike, por qelbeni!.  Plehrat urgjent, tha Saliu, madje atëherë u supozua krijimi i një task force pastrimi, me qeveritarë, fshesaxhinj dhe karrocaxhinj, në gjithë territorin e vendit.

Edhe ky vullnet autoritar i kryeministrit, për të pastruar territorin nga plehrat dhe vetëdijen publike nga poshtërimi që sjell mungesa e një elementi kaq të brishtë, siç është higjiena, ashtu si çdo reformë kuturu, ashtu si nismat e hershme të pastrimit, që shteti ndërmerr nga makthi për të vërtetuar ekzistencën e tij,do të pushojë shpejt. Të gjithë e dimë. Është diçka e ngjashme me FSHESATe Greqisë ndaj emigrantëve shqiptarë. Sa me shumë fshesat synonin pastrimin e ilegalëve, aq më shumë numri i tyre rritej në territorin helen. Sa më shumë kryeministri të thotë duhet të luftojmë mbeturinat, aq më shumë mbeturinat uzurpojnë territorin super turistik të vendit.  Janë ndërmarrë disa herë aksione rrufe pastrimesh, me kujdesin e drejtpërdrejtë ose jo të kryeministrit, sa herë që atij ndonjë zonjë e huaj apo ndonjë turist potencial ja fryn çdo rast në vesh këtë gjë, por mbeturinat përkundrazi janë shtuar tek ne, turpërisht.

Të paktën për problemin e mbeturinave, jemi dakord me kryeministrin. Për të shkruar një metaforë, mbeturinat janë si kambana zgjimesh të ndruajtura, që na shqetësojnë me përshtypje të vrazhda çdo moment. I kemi në jetën tonë, si piramida të neveritshme mizerjesh e misteresh, ku shkaqet janë të padukshme. Prandaj jo rrallë, të huajt e shpërdorojnë deri në pikën e fundit finesën e tyre për të na thënë gjithherë: Njerëz, bëhet fjalë për civilizimin tuaj, kërkoni shkaqet e pisllëkut që iu përbalt dinjitetin, ju rrezikon edhe shëndetin, që të mund të jetoni si njerëz  në pastërti..

Në atmosferën e pistë ku thithim e shfryjmë, edhe ne, edhe Saliu, edhe Edi Rama, edhe Arvizu-ja,  gjëmon papushim ky paradoks: Përse atdheu ynë është shndërruar në një mozaik turpi, me plehra dhe mbeturina të shpërndara simetrikisht në çdo metër katror territori të banuar, nëpër rrugë nacionale, nëpër plazhe, përreth banesave, kudo? Sepse, ose shteti është i paaftë të përmbushë këtë detyrim publik në misionin që ka, ose shtetasit tanë ende nuk kanë atë nivel civilizimi që nevojitet për ta marrë seriozisht sa duhet këtë problem, për të jetuar pastër e gjelbër.  Ose, më keq akoma, sepse  kjo është një çështje gjenetike, çka do të thotë se në kemi lëvruar në nëndijen tona zakonin e keq të shpërfilljes së pastërtisë publike. A është e mundur të shndërrohet në një instikt dominues  shpërfillja e higjienës së ambientit? Me sa duket, po.. Sot, në Shqipëri është e zakonshme të shohësh njerëz që fluturojnë mbeturinat nga ballkonet dhe dritaret e tyre.. Sot janë jo të paktë bajraktarët e atmosferës, kryeqytetasit të zbritur së fundmi nga malet, që krijojnë thuaj përditë tymnaja lagjesh me zjarre mbeturinash e lëndësh të rrezikshme,më të mëdhenj se ata të ditës së verës, ndërsa djegin masivet e plehrave qoshe më qoshe, duke helmosur mushkëritë e fëmijëve: askush nuk shqetësohet për shtimin e tyre. Askush nuk ankohet, askush nuk di ku të ankohet. Sot, pa fjalë, liria e djegies së mbeturinave dhe shfryrjes së tyre,konkurron vullkanin në Islandë,ndërsa dëmi ekologjik është i pallogaritshëm. Sot, tymnajat në qiejt e qyteteve tona janë një gjë e zakonshme dhe sot, plazhet tona janë hale mbeturinash, ndërsa bidonat plastikë janë më të shumta se peshqit në det. Sot, qeskat e pafundme të hedhura nga udhëtarët në çdo rrugë e qoshe konkurrojnë emblemat e halleve pa fund të shqiptarëve, që me sa duket nuk e kanë më në listën e halleve pisllëkun.

Këta jemi ne,kjo është higjiena jonë nacionale!

Në një fare mënyre, shpërfillja kolektive e pastërtisë mund të justifikojë edhe vullnetin e pavullnetshëm të shtetit për të sistemuar këtë problem shkatërrues. Ngaqë ky shtet nuk bën asgjë seriozisht për pastrimin e territorit, tregon se në mendjet e shtetarëve, ashtu si në mendjet e qytetarëve, inercia e pisllëkut vazhdon njëlloj në formën e një presioni të papërballueshëm. Duket se shteti i ka larë duart nga kjo histori, mbasi e ka kuptuar se shpresat për të jetuar pa mbeturina janë diçka që nuk ekzistojnë, prandaj është mjaftuar me krijimin e task-forcë kukullave, për të luftuar paqësisht jo mbeturinat,por iluzionet e pastërtisë së pamundur.

Turistët e huaj hyjnë buzëqeshur në Shqipëri dhe dalin me nëqeshje të trishta, dhe më dilema të trishta për situatën makabre të një territori ku jetojnë njerëz të cilët  hyjnë pa viza në shtetet e tyre të perëndimit.. Dilema jo për shkaqet e katastrofës ambientale, por për vullnetin e munguar kolektiv të kësaj shoqërie. Ashtu si për ish-zv/ambasadoren hollandeze në largim, për çdo të huaj, është e pakuptueshme kjo paqe kombëtare me mbeturinat…  Nënqeshja e trishtë në largimet e tyre, mbase vjen nga paqartësia e tyre dhe paaftësia për të kuptuar se përse as shteti, as shoqëria nuk e marrin seriozisht dicka kaq të rëndësishme për kualitetin e jetës së tyre dhe sidomos për shëndetin e fëmijëve të tyre.. Kjo është një analizë komplekse për një perëndimor që e ka të vështirë të perceptojë të kundërtën e psikozës që instalon tek njeriu vlerën e shëndetit,  pra vlerën e jetesës. Vetëm nëse fantazia e harbuar e ndonjërit kalon kufijtë e arsyes për arsyetime substanciale, mund të ketë ndonjë përfundim a shpjegim:  Doza e trishtimit në nënqeshjen e imagjinuar të ndonjë evropiani fantazist, ndoshta vjen ngaqë ai ka kuptuar se morali njerëzor këtu gjendet në pikën e fundit! Kur klithmat e një jete ku përpjekjet nuk çojnë asgjëkundi, prekin qiellin, kur dëshira për të arritur i ngjan një litari të këputur në mes, kur drejtësia është private dhe liria është iluzion, ambienti i shpërdoruar është etaloni i pistë i këtij zhvillimi të keq të kësaj  shoqërie. Është një matës depresioni, matës i sarkazmës së jetës dhe matës i krizës së vetëdijes të një komuniteti që rrezikon vetveten dhe sillet si kamikaz  jo nga besimi, por nga dëshpërimi që vjen prej besimit se ky vend vështirë të bëhet ndonjëherë.

Megjithatë, ka një shpresë reale që fshihet brenda nesh,për të jetuar pastër në një ambient të shëndetshëm. Nëndija e njerëzve duhet të bombardohet papushim me ashpërsinë e ligjeve që duhet të bëjë shteti për të ruajtur ambientin, por ligje të tilla nuk mund të bëjë veçse një shtet publik, që ne nuk e kemi.  Që të mund të kemi një shtet publik, nëndija e qeveritarëve që drejtojnë shtetin privat shqiptar,  duhet të bombardohet edhe ajo nga presioni kolektiv i publikut, në mënyrë që këta të fillojnë të kuptojnë rolin e tyre dhe shkakun përse janë zgjedhur.. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë klasës politike i ka ardhur data e skadencës.  Duhet ndryshuar. Ky është një problem i sovranit. Në fund të fundit, nëse shteti ynë është privat, kjo është një përgjegjësi kolektive. Përgjegjësi kolektive është dhënia gabim e pushtetit, si ka ndodhur gjithë këta vjet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›