E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezik i lartë për zjarre në qarkun Durrës, reshje shiu në disa qarqe

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave informon se sot pasdite dhe nesër, e mërkurë, 23 shtator, në qarkun e Durrësit pritet nivel rreziku “i lartë” për zjarre, ndërsa në qarqet Shkodër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Vlorë niveli i rrezikut pritet të jetë “i moderuar”.

Sipas parashikimit, në qarqet e tjera vendi pritet nivel rreziku “i ulët”.

IGJEO bën me dije se rrezik “i lartë” pritet vetëm në zona të lokalizuara në disa qarqe, konkretisht në pjesën perëndimore të Shkodrës, Lezhës, Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, si dhe në veriperëndim të qarkut Vlorë.

Sipas parashikimit, rreziku pritet të jetë më i lartë gjatë ditës së sotme.

Sa i përket reshjeve, sot pasdite priten reshje lokalisht të dobëta në qarqet Kukës, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera nuk priten reshje. Për nesër nuk parashikohen reshje në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat minimale dhe maksimale nesër pritet të arrijnë në 14 deri në 25 gradë Celsius në zonat bregdetare, 10 deri në 25 gradë në vendet e ulëta dhe 5 deri në 19 gradë në zonat malore.

Era sot pasdite dhe nesër pritet të jetë e lehtë deri mesatare, ndërsa në bregdet dhe në zonat malore mund të arrijë deri e fortë.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›