E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikohet integrimi i Shqipërisë!

Për qëllim të integrimit evropian, Shqipëria është futur në një grup me pesë shtete të tjera të përfshira më parë në konflikte në Ballkanin perëndimor. Përsa i përket progresit drejt anëtarësimit në BE, Shqipëria vjen pas Kroacisë dhe Maqedonisë dhe përpara Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Për Kroacinë dhe Maqedoninë u deshën tre deri në katër vjet nga përfundimi i marrëveshjeve të Asociim Stabilizimit që BE t'u jepte atyre statusin formal të kandidateve për anëtarësi.

Në rastin e Kroacisë, vonesa ishte për shkak të progresit të ngadaltë në zbatimin e kërkesave të gjykatës së krimeve të luftës në Hagë. Në Maqedoni, shkak vonese u bë zbatimi i marrëveshjes së paqes së Ohrit që i dha fund konfliktit të 2001.

Shqipëria që e nëshkroi marrëveshjen e vet në qershor nuk ka patur probleme të tilla. Por ajo ka probleme të veta që duhen zgjidhur para se ajo të aspirojë për statusin e kandidatit, le më pastaj bisedimet për anëtarësi në BE.

Një nga çështjet kryesore ka qenë dështimi për të mbajtur zgjedhje që do të plotësojnë tërësisht normat demokratike - dhe kjo megjithë praktikën e nevojshme me gjashtë zgjedhje parlamentare dhe katër zgjedhje lokale që nga 91.

Këtë herë, koalicioni qeverisës i drejtuar nga Sali Berisha është përballë opozitës që drejtohet nga socialistët që thonë se do të bojkotojnë zgjedhjet e thirrura për 20 janar.

Megjithëse një seri mosmarrëveshjesh të mëparshme, duke përfshirë përbërjen e komisionit elektoral janë zgjidhur, opozita vazhdon të këmbëngulë se kërkon që çertifikatat e lindjes të jenë të regjistruara në qendër para se të përdoren si provë identiteti.

Ndërsa kanë mbetur edhe dy javë nga dita e zgjedhjeve që teorikisht ka qenë dita e fundit që zgjedhjet duhen mbajtur, duket se është gjetur një rrugë për shtyrje prej një muaji duke riinterpretuar ligjin elektoral.

Megjithatë, kjo ende nuk jep kohë të mjaftueshme për të plotësuar kërkesat e opozitës dhe çdo vonesë tjetër do të kërkojë amendamente të legjislacionit.

Pas kësaj mosmarrëveshje për procedurat elektorale ka shumë interesa të forta partiake. Kryeministri Berisha do të kishte preferuar t'i mbante zgjedhjet në vjeshtë, një vit pasi fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe ajo që ka më rëndësi para ndërprerjeve të energjisë gjatë dimrit që mund të minonin përkrahjen e publikut për qeverinë.

Në të kundërt, udhëheqësi i opozitës Edi Rama do që zgjedhjet të shtyhen dhe me disa muaj të tjerë pasi atij i duhet të ketë një kontroll më të fortë të partisë së tij, vetëm një vit pasi ai u zgjodh kryetar. Zgjedhje jo të suksesshme mund të minonin pozitën e tij dhe mund t'i jepnin shans paraardhësit të tij, ish kryeministrit Nano të rikthehej në skenën politike.

Në këtë situatë, partnerët e huaj kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku shprehin shqetësimin e tyre dhe kanë paralajmëruar politikanët se dështimi për të arritur një marrëveshje nuk duhet të penalizojë të gjithë vendin që ka nevojë për zgjedhje lokale që të plotësojnë standartet ndërkombëtare.

Zakonisht, një paralajmërim nga BE mund të jetë iniciativë për politikanët që të vepronin. Por, duke qenë se statusi i kandidatit të Shqipërisë është tre-katër vjet larg, Brukseli mund të aplikojë shumë pak presion të menjëhershëm.

Po ashtu, duke qenë se një vendim për anëtarësim në NATO nuk do të jepet deri në fund të vitit tjetër, ndikimi aktual amerikan në Tiranë është disi më pak i fuqishëm sesa mund të jetë më pranë kohës së marrjes së vendimit .

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›