E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rrezikohet marrëveshja për grurin; Rusia kërkon që prodhuesit bujqësorë të kenë akses të plotë në tregjet botërore

Marrëveshja për grurin në Detin e Zi, mes Rusisë dhe Ukrainës, mund të mos rinovohet.

Këtë e bëri të ditur ministria e jashtme ruse, e cila thekson se “zgjatja e marrëveshjes do të merret në konsideratë, vetëm nëse adresohen shqetësimet e prodhuesve të saj bujqësorë, që duhet të kenë akses të papenguar në tregjet botërore”.

Marrëveshja e grurit mes Ukrainës dhe Rusisë, e cila u arrit me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë, do të përfundojë këtë muaj, por Rusia është e pakënaqur me disa aspekte të saj dhe mund të mos e nënshkruajë përsëri.

Kjo marrëveshje, e cila lejon eksportin e sigurt të grurit nga portet e Ukrainës, u arrit në muajin korrik të vitit të kaluar.

Përmes saj, u krijua një korridor i mbrojtur transiti detar që u projektua për të lehtësuar mungesat globale të ushqimit, duke lejuar rifillimin e eksporteve nga tri porte në Detin e Zi.

Ukraina është prodhuesja e shtatë më e madhe e grurit në botë .

Në vitin 2021, eksportet ukrainase të grurit u vlerësuan në 5.1 miliardë dollarë, me Egjiptin, Indonezinë, Turqinë, Pakistanin dhe Bangladeshin si destinacionet të tjera kryesore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›