Rrezikoi jetën për gjetjen e të zhdukurit në Osum/ Shpëtohet 22-vjeçari, i cili u angazhua vullnetarisht në kërkime

I riu i cili kishte mbetur i bllokuar në kanionet e Osumit u nxorr nga uji mëngjesin e të dielës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes që njofton përfundimin e operacionit të kërkim shpëtimit ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, është i vetëdijshëm dhe po mbahet në kujdesin e mjekëve.
Pasditen e të shtunës 22- vjeçari u angazhua vullnetarisht për gjetjen e një 42 vjeçari i cili dyshohet se mund të jetë hedhur në kanionet e Osumit, por gomonia me të cilën po lëvizte u përmbys.
Pas rreth 6 orë kërkimesh nga alpinistë, vullentarë, forca të RENEA-s dhe Forcat e Armatosura i riu u nxorr nga shkëmbi ku kishte mbetur I izoluar.
Operacioni u zhvillua në kushte sfiduese në një terren tejet të vështirë kanioni ku u përdorën tenika alpine për të realizuar një zbritje vertikale prej 120 metrash.
Ministria e Mbrojtjes thotë se operacioni po vijon pa ndërprerje për kërkimin e 42 vjeçarit të raportuar të humbur.