E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrezikojnë punën nëse nuk kanë tituj

Lorina Mixha

Pedagogët

Ministria e Arsimit kërkon nga universitetet të dhënat për secilin të punësuar

Lorina Mixha

Brenda një muaji universitetet në të gjithë vendin duhet të kenë nisur në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës rrjetin e të dhënave për të gjithë të punësuarit. Bëhet fjalë për pedagogët, e brendshëm, por edhe të jashtëm që japin mësim në institucionet e arsimit të lartë. Para çeljes së vitit të ri akademik Ministria e Arsimit kërkon të ketë një databazë të të gjithë pedagogëve dhe numrit të studentëve që ka secili institucion për të përgatitur më pas një plan nga ku të kërkohet rritje e buxhetit për universitetet, shtimin e pedagogëve të rinj, por edhe filtrimin e punonjësve në arsimin e lartë.

Lëvizjet

Rrezikojnë vendin e punës ata pedagogë që nuk kanë tituj dhe grada shkencore, nuk disponojnë kualifikime pasuniversitare, si dhe ata që japin mësim në degë të cilat nuk kanë lidhje me profilin e studimeve të tyre.

Kemi kërkuar një listë të punonjësve që japin mësim në universitete. Pjesë e të dhënave që duhet të dorëzojnë universitetet, duhet të jenë lëndët që ata japin, arsimin përkatës, gradat, titujt, por edhe pasuniversitarët apo ciklet që janë duke ndjekur. Më pas do të bëhet një lloj filtrimi. Pjesë e procedurës së re që kemi kërkuar është edhe sugjerimi dhe planifikimi që kanë bërë rektoratet për shtimin e burimeve njerëzore për vitin e ri akademik, sqaroi zyrtarisht Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Kërkesat që ministria u ka bërë rektorateve të universiteteve publike në vend, duhet të plotësohen deri në javën e dytë të shtatorit dhe materiali duhet të jetë i detajuar për secilin pedagog duke shënuar përkatësisht të dhënat personale, titujt, gradat, por edhe specializimet e pasuniversitarët që kanë kryer.

Ministria e Arsimit ka pohuar se në këtë rast do të kemi edhe filtrim të personelit akademik duke bërë kështu përzgjedhje për stafet më të mira, për pedagogët më të kualifikuar, por për të sjellë edhe emra të rinj të pedagogëve që kanë studiuar dhe kualifikuar jashtë, të domosdoshëm për të kontribuar me përvojën e tyre europiane. Pedagogët që nuk do të kalojnë filtrin janë kryesisht ata që japin mësim në universitete, për degë të cilat nuk kanë lidhje me fushën e tyre të studimit. Rrezikojnë vendin e punës ata pedagogë të cilët kanë bërë vetëm një universitet pa pasur në jetëshkrimin e tyre asnjë kualifikim, pasuniversitar, master, doktoraturë. Ndërkohë që nuk rrezikojnë ata pedagogë që kanë titujt: doktor, profesor i asociuar apo profesor. Këta janë vlerë për institucionet ku janë të atashuar dhe nuk do të kalojnë në procesin e filtrimit.

Punësimet e reja

Pedagogët që do të pranohen këtë vit në universitete do të përcaktohen në mes të muajit shtator. Numri i akademikëve të rinj të cilët do të atashohen pranë stafeve të departamenteve dhe fakulteteve në universitete publike do të referohet pas dorëzimit të informacionit dhe materialeve në Ministrinë e Arsimit. Çdo universitet duhet të bëjë gati kërkesën në bazë të nevojave duke bërë edhe planifikimin e orëve të mësimit, numrit të studentëve që do të pranojnë, si dhe nevojat që ka institucioni për të gjitha ciklet e studimit, me kohë të plotë, korrespondencë apo për pasuniversitare.

Më pas pranimet do të bëhen nëpërmjet kritereve që do të shpallë çdo universitet. Miratimi përfundimtar jepet nga Ministria e Arsimit e cila bën edhe përllogaritjet për buxhetin dhe nevojat e tjera për të marrë në punë stafet e reja.

Sipas legjislacionit në fuqi, në rast se universitetet, arsimi i lartë paraqet kërkesa të larta dhe buxheti i dikasterit nuk mund ti përballojë, atëherë ministria duke parë mundësitë në sektorë të tjerë mund të bëjë rishpërndarje fondesh duke e hequr nga sistemi që ka më pak nevoja.

Të dhëna

Rrjeti - Në mes të muajit shtator do të mbyllet edhe procesi i krijimit të rrjetit të të dhënave për secilin pedagog që jep mësim në njërin prej institucioneve të arsimit të lartë publik

Lëvizjet - Rrezikojnë largimet nga puna ata pedagogë që nuk kanë tituj e grada, nuk kanë përfunduar mastera, specializime apo pasuniversitarë

Kërkesa  - Ministria e Arsimit u ka kërkuar universiteteve të paraqesin informacion të detajuar për pedagogët, të dhënat e tyre personale, arsimimin, tituj, grada e kualifikime

Rrezikojnë punën nëse nuk kanë tituj burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›