E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata dhe koritat me xhevahire për derrat

Gazeta Shqip

BALIL GJINI

Kundera te libri Pavdekësia thotë se, në çastin kur shëmtia do të fitojë ndaj të bukurës dhe estetikës, ai do të marrë një lule veshlepuri dhe do ta vendosë në fytyrë, për të mos ta parë më botën. Ka ardhur çasti që në vendin tim secili të mbajë një lule të këtillë mbi fytyrë, sepse njerëzit që i drejtojnë, shefa, drejtorë drejtorish rajonale janë njerëz pa cilësi e vlera. Pa e tepruar: shumë prej tyre s’janë gjë tjetër pos një argjilë e squllët që u jepet gjithë hare e gaz duarve të eprorëve, për t’i lëmuar e nxjerrë prej tyre gjithfarë modelesh. Ky tjetërsim (jemi në situatën kur partia Çirçe i shndërron shokët e Odisesë në derra) bëhet vetëm me një qëllim: për të pasur pak lëndë, a krunde, në koritën vetjake.

Fitorja e shëmtisë administrative ka ardhur pa u ndier, avash-avash, heshturazi dhe vuvazi. Për hir të së vërtetës në fillim të viteve 90 PD u orvat të sillte një imazh tjetër, duke sjellë në krye të punëve njerëz dinjitozë. Të njëjtat motive dukej se i kishte edhe PS. Ishte një kohë epope, me trumbeta hyjnore, sokëllima viganësh, por edhe me gjithë mjerimin që lë pas një luftë dhe kacafytje.  Por, dëshira për të fituar me insistim vota, bëri që të dyja partitë të bashkëpunonin me njerëz të krimit, pa din e imam, pa bindje politike. Hija e të keqes filloi të përhapej ngadalë, duke filluar në fillim nga ultësirat dhe moçalishtet e piramidës shtetërore, duke u ngjitur ijeve e shpateve të saj, dhe duke pushtuar pastaj majat. U krijua kështu një tarikat që e njohin njëri-tjetrin nga sytë e limaksur. Prirja e tyre (e vetme): babëzia. Shija: haja. Synimi: vjedhja dhe grabitja.

E keqja administrative ka ardhur nga lart, dhe ne, ndonjëherë, e drejtojmë gabimisht gishtin tek ata që i quajmë militantë, sepse e vetmja gjë e tyre ishte të niseshin nëpër mitingjet e partive si fishekzjarrë të lumtur brohoritjesh, dhe, pasi ta kishin harxhuar aty të gjithë barutin e entuziazmit, të ktheheshin si fitila të përzhëllitur e të trishtuar. Anipse instinkti u thoshte se hairin kësaj pune do t’ia shihnin më vonë. Militantë?!… Ju e kuptoni se kjo fjalë është mjaft e sojme dhe s’mund të mbajë brenda hijes së saj kopenë e tyre, sepse militanti, në të vërtetë, ka një qëllim, një bindje. Kurse kopeja e njerëzve për të cilët flasim janë thjesht marifetaxhinj, qebapë që rrotullohen si t’ua dojë puna: qoftë majtas, qoftë djathtas. Ata krijojnë lidhje të shkurtra me deputetë e ministra, të cilët, e pëlqejnë shumë këtë racë të ulët dhe të paaftë.

Një zë i hollë që vjen nga faqet e librit të Hysamedin Ferrajt E pafilozofuara, zë i hollë dhe inteligjent si të gjithë zërat që e shikojnë botën me dyshim, më thotë se ky vend kështu ka qenë jetë e mot, që nga koha e Lek Dukagjinit e gjer te koha e Lek Plepit, madje dhe më motmoçëm, që nga koha e kullës së Babilonit e gjer më sot te kullat e Fidelit. Ky vend ka qenë i mbushur citacit me bedelë e dembelë, qenie që vinin kokën në kërcu gjasme për devotshmëri, por në fakt veç për të pasur një tain hajeje më shumë në trastën e hedhur krahëve. Edhe sot në Labëri përdoret shprehja: Të vafsha bedel! E ndërsa gjindja vepronte kështu, ata lart, të mëdhenjtë, pashallarë, vezirë e sulltanë, i trajtonin dystazi, pa dallime. Siç e thotë dhe kënga:

Jashasun sulltan Hamiti,

me nishane doroviti,

si të bardhin dhe evgjitin…

Dorovitë e partive ndaj njerëzve që iu thonë lepe!, peqe! s’kanë pasur asnjëherë si qëllim interesin publik, por vetëm interesin vetjak, për të ruajtur medoemos postin shtetëror, altarin ku ne hedhim çdo ditë të mirat materiale, por që ata e kanë përdhosur, duke e shndërruar në një koritë derrash. Mos ua hidhni florinjtë derrave, thoshte Jezusi në tempullin e pushtuar prej farisenjve, sepse do të vijë një kohë dhe derrat do të kthehen kundër jush. Ajme, se në këtë vend s’janë dëgjuar asnjëherë profetët, por profanët.

Mund të themi, pa e tepruar, se niveli kulturor dhe profesional i drejtuesve të administratës është i ulët se ai i diktaturës. Në të vërtetë faji s’është i tyre, por i atyre të tjerëve që i emërojnë, sepse vetë ata janë thjesht bylyshë të vegjël, që rriten e veseliten bash aty ku derdhen ujërat e zeza të pushtetit, dhe po t’i çosh në ujëra të pastra iu plas fshikëza e notimit e ngordhin. Ngaqë e keqja është bërë rutinore, të duket sikur njerëzit janë ambientuar me të, dhe tashmë derrat mund t’i trajtosh veçse si kafshë të buta shtëpiake, të cilave mund t’iu kalosh dorën përsipër kurrizit, mund t’u ledhatosh leshin e butë: Hë, mo, se kështu bëjnë të gjithë! Haram e pastë po nuk vodhi!  Rrëkezat të këtij ligjërimi rrjedhin përsipër filxhanësh kafesh, duke u përzier me llurbën e zezë, rrjedhin në ngastra diskusesh miqësore, e hera-herës çajnë murin tinëz e rrjedhin edhe mbi faqe gazetash. Dhe, kur këto ligjërime rreshtin, në fundin e filxhanit mund të shihet ajo llurba e tharë, e bërë thela-thela në formë kurabiesh, por që janë helmatisëse.

Vendin e drejton partia shtet, dhe, në këtë drejtim, a mund të ketë kuptim demokracia? U duk sikur zërat kundër të Neritan Cekës, Genc Pollos e të tjerëve, zëra që ishin edhe kundër shëmtisë së këtij fenomeni, do të ndikonin për ta përmirësuar klimën. Por jo: ka ndodhur fenomeni i rikthimit të djalit plagprishës: me sytë e unjur, me shpinën e kërrusur. Këto rikthime kanë pasur formën e ca elipse dallëndyshesh, mu në prag të pranverës, elipse me formën e një rrethi të mbyllur, zbukuruar anash me dafina të gjelbra lëvdatash. Dhe, përderisa kanë dafina, janë kurora. Dhe përderisa janë kurora me dafina, këto rikthime mund të jenë dhe kurora vdekjeje e varri.

Mund të jenë të tilla sepse ato e degraduan më keq kulturën demokratike, duke krijuar një klimë klounësh e dordolecësh, ku fjalëve dhe argumenteve ua zënë vendin isharetet, shkeljet e syrit, ku herë duhet të biesh në sy të të gjithëve, të dalësh, të sajdisësh, dhe herë të tjera të japësh ryshfet, të bësh kodoshin e shefit dhe t’i thuash vazhdimisht padishah! Sigurisht në këtë tollovi servilizmi e lluce kutërbuese, të mrekullueshme për t’u zhgërryer derrat, më keq nga të gjithë ndihen të aftët e profesionistët, sepse s’ka më keq se sa të të drejtojnë horrat, profesioni i vërtetë i të cilëve është hileja. Autori i këtyre radhëve nuk ka asnjë shpresë se këtë fenomen mund ta rregullojë opozita, sepse, në bashkinë ku jeton, më shumë se gjysma e administratës janë mbetje toksike të kohës së komunizmit, të dominuar nga teatraliteti moral i objekteve të vjetra, pa asnjë shpresë riciklimi e kthimi në gjendjen normale. Veç kësaj, të majtë e të djathtë, kanë krijuar një kope të përbashkët, me shpërndarje postesh e privilegjesh ndaj njëri-tjetrit, me ryshfete të rafinuara dhe, kuptohet, edhe me humbjen e kuptimit të opozitarizmit.

E ndërsa në realitet ndodhin shëmtira të tilla, disa media, TV, politikanë, apo gazetarë, flasin dhe ndërtojnë një realitet tjetër, një rend simbolik që e bëjnë të duket estetik për shkak të pudrës e manikyrit. Flasin, p.sh, për rekordin e ri të Kryeministrit në not, për sukseset në turizëm, për faktin që Shqepuria edhe mund ta marrë statusin e kandidatin për në BE. Posi! Pse jo! E gjitha kjo, për analogji, mund të konsiderohet edhe si kompleksi i patates, e cila përjashta lëshon ca lule të bukura blu (integrim, demokraci, barazi gjinore), por, poshtë, nën tokë, rrit zhardhokët e tmerrshëm të kancerit (korrupsion, degjenerim, ryshfet)

E thanë në fillim se sa brutal është sulmi i të shëmtuarës. Fakti që mund të dalësh me një lule lepuri për t’iu fshehur asaj, mund të mos rezultojë dhe aq i suksesshëm, sepse lulja mund të thahet brenda disa orësh, kurse shëmtinë s’ka vapë që e than. Por edhe për diçka tjetër: duke të parë me një lule në fytyrë shëmtia sebep do për të të qesëndisur, për të të ironizuar, për të të trajtuar si të marrë. Shërimin ndaj plagëve të saj, ai mund të bëhet jo në mënyrë të përgjithshme, por duke e futur pambuku

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›