Rrëzimi i avionit në Greqi, nuk ka substanca të rrezikshme, nis operacioni për heqjen e 11.5 ton municione

Nuk ka substanca të rrezikshme në avionin me 11.5 ton municione që u rrëzua të dielën në Kavalla të Greqisë. Forcat e Armatosura të Greqisë dhe ato të Mbrojtjes Civile kanë nisur një operacion masiv për pastrimin e zonës së përplasjes nga municionet. Sipas autoriteteve, mund të duhen rreth 4 javë që e gjithë zona të jetë pastruar dhe të mos ketë më asnjë rrezik për qytetarët. Po ashtu në avion u gjetën edhe trupat e 8 anëtarëve të ekuipazhit, ndërsa mbetet ende e paqartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e avionit.
Avioni “Antonov 12”, që i përkiste një kompanie në Ukrainë, u ngrit nga aeroporti i Nishit në Serbi me një ekuipazh prej tetë personash dhe njëmbëdhjetë e gjysmë tonë mallra të rrezikshme.
Sipas planit të fluturimit që ai ua kishte dorëzuar autoriteteve kompetente serbe, avioni do të kryente një fluturim për në Bangladesh me ndalesa të ndërmjetme në Jordani dhe Arabinë Saudite. Por avioni njoftoi Qendrën e Kontrollit të Zonës Athinë-Maqedoni se për shkak të një problemi nuk do të vazhdonte në destinacionin e tij përfundimtar dhe se do të kthehej në aeroportin e nisjes. Por duke fluturuar në lindje të Halkidikit ai informoi kontrollorët e trafikut ajror në afrimin për në Selanik se ka një problem me motorin numër katër (4), duke shpallur menjëherë gjendjen e jashtëzakonshme. Piloti i avionit zhvilloi një bisedë me kullën e kontrollit të Kavallës dhe njoftoi se po shkonte për ulje emergjente. Menjëherë u dha leja e uljes për aeroportin Chrysoupolis në Kavallë. Por piloti nuk mundi të manovronte duke humbur kontrollin dhe duke u rrëzuar./ CNN.gr
/rtsh.al/