E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rreziqet financiare nga fatkeqësitë, Kapetanoviç: Bashkëpunimi rajonal, kyç për qëndrueshmërinë

Bashkëpunimi rajonal është kyç për ndërtimin e qëndrueshmërisë financiare ndaj fatkeqësive, theksoi Amer Kapetanoviç, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, gjatë një diskutimi me politikëbërës nga Greqia, Rumania dhe Turqia dhe ekspertë të sektorit financiar.

Paneli “Bashkëpunimi Rajonal në Shpërndarjen Financiare të Rrezikut nga Fatkeqësitë” u mbajt në kuadër të Forumit Rajonal për Zhvillimin e Qëndrueshëm (RFSD) 2025 për rajonin e UNECE, në Zyrën e OKB-së në Gjenevë. Gjatë aktivitetit u fol mbi nevojën urgjente për mekanizma më të fortë të sigurimit dhe shpërndarjes financiare të rrezikut nga fatkeqësitë në Evropën Juglindore (EJL), në kuadër të Strategjisë SEE2030. E miratuar në nivelin më të lartë politik në vitin 2021, Strategjia përshkruan një vizion të përbashkët për rritje të qëndrueshme ekonomike, përfshirje më të madhe sociale, tranzicion digjital dhe të gjelbër, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë rajonale.

“Bashkimi i burimeve dhe ndarja e rrezikut përtej kufijve mund të zvogëlojë barrën mbi ekonomitë dhe të sigurojë përgjigje më të shpejta dhe më efektive ndaj fatkeqësive natyrore dhe goditjeve të lidhura me klimën. Me më pak se 12% të familjeve në Ballkanin Perëndimor të mbuluara nga sigurimi ndaj fatkeqësive dhe me humbje ekonomike që arrijnë miliarda, nuk mund të mbështetemi vetëm në skemat e kompensimit qeveritar pas fatkeqësive. Përmes Rrjetit Rajonal të EJL për Sigurimin dhe Shpërndarjen e Rrezikut nga Fatkeqësitë, po ndërmarrim një hap të guximshëm dhe kolektiv drejt qëndrueshmërisë – duke krijuar një platformë ku qeveritë, rregullatorët dhe sektori i sigurimeve punojnë së bashku për ta bërë sigurimin ndaj fatkeqësive të aksesueshëm, të përballueshëm dhe efektiv për të gjithë,” tha Amer Kapetanoviç, Sekretari i Përgjithshëm i RCC.

RCC ka krijuar së fundmi Rrjetin Rajonal të Evropës Juglindore për Sigurimin dhe Shpërndarjen e Rrezikut nga Fatkeqësitë, një platformë bashkëpunimi që përfshin autoritetet rregullatore dhe shoqatat nga 13 ekonomi të EJL. Rrjeti synon të kapërcejë boshllëkun e madh në mbulimin e sigurimit ndaj fatkeqësive në rajon duke lehtësuar dialogun politik, ndarjen e ekspertizës dhe promovimin e nismave konkrete të përbashkëta për të përmirësuar sigurinë njerëzore dhe qëndrueshmërinë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›