Berisha: Pas 11 majit, qeveria e PD do të bëjë negociata të hapura me SHBA-të për tarifat

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference me gazetarët ka njoftuar se, pas 11 majit, qeveria e PD do të fillojë negociata të hapura dhe transparente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave.
Sipas Berishës, Shqipëria ka përfituar deri tani tarifa më të ulëta se vendet e tjera dhe se çështja e tarifave është një çështje globale që kërkon një qasje të balancuar dhe paanshme.
“Qeveria e PD-së, pas 11 majit do të ketë në axhendën e vet, negociatat e hapura, transparente me qeverinë e SHBA-së, për çështjen e tarifave. Jam optimist, sepse nëqoftëse ju keni konstatuar, për Shqipërinë janë përdorur, në një shikim të parë, tarifat më të ulëta se në vendet e tjera, edhe për Kosovën e njëjta gjë. Kështu që unë këtë koment kam për tarifat.”
Ai u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që do të favorizonte prodhimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e “Made in Albania” si një drejtim strategjik për ekonominë e vendit.
/rtsh.al/