E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rriten të ardhurat e biznesit në Permet

Me nisjen e vaksinimit dhe ardhjen e pranverës, në bashkinë e Përmetit duket se po normalizohet edhe situata e bizneseve . Ardhja kryesisht e vizitorëve vendas por edhe e atyre pak të huajve, ka bërë që të ardhurat e bizneseve të kenë një rritje të vogël. Për disa prej tyre, situata duket akoma e zymtë por ka edhe nga ata sipërmarrës që shprehen optimistë për stinën e verës. Ata pohojnë për rtsh-Gjirokasta se gjatë kësaj periudhe po shohin një ndryshim edhe pse mjaft të vogël.

“Me pandeminë patëm pak probleme, u bllokuam sepse orari ishte i kufizuar edhe njerëzit  u frikësuan, blinin gjëra të pakta por tani me ardhjen e pranverës janë shtuar edhe vizitorët dhe kjo ka patur pak efekt, janë rritur pak të ardhurat tona dhe ndjehemi më mirë” shprehet një administrator.

“Puna jonë, është me lodra për fëmijë, më gjëra kinkalerie. Kur ka festa, kemi pak punë, tani me raste kemi, kush blen një pale syza apo diçka tjetër. Si në çdo vend, pandemia ndikoj dhe tek ne. Kur ngrohet koha, fillojnë lëvizin edhe turistët”, shprehet një administratore.

“Në këtë periudhë situata është përmirësuar por jo aq sa duhet dhe aq sa ka qenë më përpara. Tani po përmirësohet, se kufizimet po hiqen dhe njerëzit po lëvizin pak më shumë . Por sido që të jetë, ne shpresojmë për më mirë sepse me këtë biznes mbajmë familjen”, shprehet një tjetër.

Vitin e kaluar për shkak të pandemisë edhe në Përmet disa biznese u mbyllën kryesisht në zonat rurale. 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›