Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës

Një tjetër aeroport në Shqipëri nisi të marri jetë . Të martën është nënshkruar marrëveshja për fillimin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se punimet do të nisin brenda 14 muajsh dhe aeroporti do të kushtojë 104 milionë euro.
“Me ngritjen e Aeroportit të Vlorës do të hapet mundësia për investime shumë të mëdha në sektorin turistik. Punimet do të nisin brenda 14 muajsh, do të ketë një fazë përgatitore për sa i përket studimit mjedisor, ku është një aeroport që do të ngrihet sipas kritereve evropiane, do të ketë edhe një studim arkeologjik, më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për përmbushjen e kushteve paraprake dhe dorëzimit të masterplanit dhe 6 muaj për marrjen e lejeve të ndërtimit”, tha Balluku.
Behgjet Pacolli, kompania e të cilit është shpallur fituese për ndërtimin e këtij aeroporti, gjatë ceremonisë të nënshkrimit, tha se kjo është një investim që ai e ka dashur prej kohësh.
Ndër të tjera, Pacolli theksoi se do të dëshironte që të shkurtoheshin afatet ligjore, sepse në këtë mënyrë investimi përfundon më herët dhe kostot janë më të pakta. (A.Çejku)