E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rriten të ardhurat nga turizmi, operatorët në Korçë të kënaqur me fitimet e fundvitit

Vetëm përgjatë 10 ditëve të fundit të 2024-ës në qytetin e Korçës dhe fshatrat turistikë të Boboshticës, Dardhës e Voskopojës janë shpenzuar minimalisht 2.5 milion euro.

Korça mbetet jo vetëm e preferuar, por tashmë është duke ndikuar mjaft mirë në të ardhurat e operatorëve turistikë të cilët duket se këtë fundvit kanë nxjerrë fitime të mira.

“Gjatë fundvitit dihet që Korça ka fluks të turistëve. Sipas llogaritjeve, të paktën në 10 ditë, me 4000 shtretër që ka Korça, plus për një individ marrim 50 euro, kanë hyrë 2 milion euro, por duke llogaritur restorantet, blerjet, shkon deri në 2.5 milion euro. Faktikisht, flasim për shifra reale një individ në Korçë me fjetje ushqim, harxhon 5 mijë lek të reja”, tha specialisti i ekonomisë Fatmir Ceci.

Ceci shton se fakti që çmimet nuk u rritën dhe numri i vizitorëve në Korçë vijon në trend rritës, ka detyruar operatorët turistikë kryesisht ata të hoteleve të rrisin numrin e dhomave dhe shtretërve duke i shoqëruar me investime.

“Korça ka një trend dhe shtim të akomodimeve, në përgjithësi kjo sasi e madhe e investimeve ka sjellë e ne cilësi e ne rritjen e numrit të turistëve por korçarët janë të kujdesshëm në çmime. Mbajnë çmime të arsyeshme, kjo ka sjellë që Korça ta ketë boom të vizitorëve”, tha Ceci.

Shifrat zyrtare nga ana e bashkisë së Korçës tregojnë se ky qytet dhe fshatrat turistikë gjatë vitit 2024 janë vizituar nga mbi gjysmë milionë vizitorë vendas dhe të huaj./vizionplus.tv

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›