“Rritet interesi për Forcat e Armatosura”- Kolonel Ciroku: Janë 17 kuota të hapura, mosha 18-22 vjeç dhe të njohin një gjuhë të huaj

Është rritur ndjeshëm interesi i të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura, ndërsa kriteret e rekrutimit përfshijnë moshën 18 deri në 22 vjeç dhe njohjen e një gjuhe të huaj.
Në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, kolonel Fadil Ciroku bëri të ditur se aktualisht janë rreth 17 kuota të hapura për rekrutime në Forcat e Armatosura.
“Për vitin 2026 është mbyllur procesi për studime në Itali, në Greqi dhe në Kosovë. Aktualisht jemi në proces rekrutimi për të ndjekur studimet në Turqi, ku kemi katër kuota. Një për Forcën Detare, një për Forcën Ajrore, një për Forcën Tokësore dhe një për Mjekësi. Pothuajse çdo vit ne kemi pasur në këto shtete dhe kjo është fushata e fundit që kemi për këtë vit. Edhe menjëherë nga shtatori, nga tetori, fillojnë fushatat e tjera për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Ciroku.
Sipas tij, interesi është shtuar edhe nga persona që, pas rreth 30 vitesh, dëshirojnë të rikthehen sërish në radhët e ushtrisë.
“Më 1 tetor do kemi një rreshtim të punonjësve që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e këtij shërbimi pas 30 vjetësh. Ne thamë që zyrat janë të hapura gjatë gjithë kohës, por patjetër, sepse rekrutimet për të shkuar në universitete jashtë shtetit ne i kemi në kohë të ndryshme. Italia vijnë nga shkurti, nga marsi, Greqia vjen nga prilli, Turqia vjen nga korriku, Amerika vjen nga shtatori e me radhë. Janë gjatë gjithë vitit këto faza janë të hapura, por nga viti 2023 dhe deri më sot ne kemi plotësuar të gjitha pritshmëritë tona dhe jemi në kushte tani që do seleksionohen dhe do përzgjidhen si listë të meritës dhe nuk do të mund të fillojnë punësimin si ushtar profesionist të gjithë kandidatët, për shkak të kërkesës së madhe të ardhur prej tyre”, tha ai.
Procesi i rekrutimit përfshin studimet në universitetet ushtarake jashtë vendit, programin e rezervistëve, rikthimin në Forcat e Armatosura, si dhe rekrutimin e ushtarëve dhe detarëve.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/