E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rritet kërkesa për ambiente me qira, të huajt blejnë në zonën muzeale

Në Gjirokastër interesi për ambiente me qira ka qenë tepër i madh gjatë gjithë vitit 2024.

Agjentë imobiliarë bëjnë me dije se pavarësisht çmimeve, të cilat janë rritur me rreth 30% nga vitet e kaluara, kërkesa përsëri ka qenë e lartë.

“Kryesojnë shtetasit e huaj, por edhe familjarë. Aktualisht për sa i përket apartamenteve me qira ka pasur goxha investime, shumë të mira faktikisht, por këto janë në Booking dhe AirBnB e nuk jepen për familjarë ose për qira vjeçare. Nuk ka pasur ndërtime të reja, ndaj edhe u është shtuar vlera apartamenteve ekzistuese,” tregon Valbona Bani, agjente imobiliare.

Për sa i përket zonës muzeale, ajo është një nga të preferuarat e shumë të huajve si italianë apo polakë, të cilët kohët e fundit po blejnë ambiente dhe po i kthejnë në bujtina për turistë.

Gjirokastra tashmë është cilësuar si një ndër destinacionet më të frekuentuara jo vetëm për të kaluar disa ditë pushimi, por edhe për të jetuar.

Gazetare: L. Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›